E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preci: Vendimi për Petroliferën, i nxituar, të tregohet kujdes

TIRANE- Ish- kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Zef Preci e konsideron të nxitur vendimin për kompaninë Petrolifera, pas hetimit të kryer në tregun e depozitimit me shumicë të gazit të lëngshëm. Preci shpjegon se Petrolifera nuk ka pozitë monopol, ashtu sic pretendon Autoriteti i Konkurrencës, pasi zotëron vetëm 10 për qind të tregut dhe në këtë fushë operojnë edhe kompani të tjera.

“Vendimi flet për pozitë monopoliste në treg, gjë që nuk është e vërtetë dhe ndoshta këtu kapet dhe kompania që reagon. Mendoj që problemet mund të zgjidheshin dhe mund të zgjidhen duke ju referuar termave të koncesionit. Operatorët privatë importues me shumicë të gazit të lëngshëm kanë një mundësi tjetër në Porto Romano dhe është vetë tregu që rregullon koston e depozitimit në përputhje me volumin apo kohën që depozitohen. Të mos jepen vendime të nxituara të cilat përdorin thjesht emërtimin pozitë monopoliste në treg dhe tentojnë të penalizojnë padrejtësisht një biznes. ” theksoi Preci.

Ish kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Zef Preci iu bën thirrje drejtuesve aktualë të këtij institucioni që të tregojnë kujdes me vendimet që merren, pasi rrezikojnë të dëmtojnë kompanitë private, sic është rasti i Petroliferës.
Për ish kryetarin e autoritetit të konkurrencës, Zef Preci subjektet private duhet të respektojnë kontratat, duke kaluar nëpërmjet depozitimit, ndërsa tarifat përcaktohen nga tregu.
Kompania Petrolifera ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit të Konkurrecës, dhënë në ditët e para të këtij muaji, ku pretendohet se Petrolifera ka pozitë monopol në tregun e depozitimit më shumicë të gazit të lëngshëm. Sipas drejtuesve të kompanisë italiane, kjo situatë është krijuar nga disa importues të gazit, të cilët duan të vazhdojnë të punojnë pa asnjë rregull dhe duke shkelur bazën ligjore.
Investitorët e Petroliferas kanë deklaruar se që prej vitit 2005 kanë ofertuar me importuesit shqiptarë, madje dosjen e tyre ia kanë paraqitur edhe autoritetit të konkurrencës, e cila e shpërfilli atë duke marrë një vendim tërësisht arbitrar.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›