E Shtunë, 31 Tetor 2026

Predikues dhe narkoman

Si do të dukej dhe çfarë do të bënte Jezusi në shekullin 21? Këtë pyetje e shtron shkrimtari amerikan James Frey në librin e tij më të ri dhe përgjigjja e tij është: do të tymoste marihuanë dhe do të bënte seks me prostituta. Nga Express më 18 mars 2011 në ora 15:30

James Frey është bërë djali i keq i letërsisë amerikane kur doli në shesh se pjesë të ‘memoarit’ të tij debutues bestseller të vitit 2003, ‘A Million Little Pieces’, ishin të falsifikuara. Libri i tij i fundit, një rrëfim fiktiv i asaj se si Jezu Krishti do të jetonte në shekullin 21, nuk do të bëjë asgjë për t’i zbutur kritikët e tij.

Romani i ardhshëm i Frey-t, ‘The Final Testament of the Holy Bible’ do të eksplorojë ardhjen e dytë, në formën e ‘Ben Jones’, të Mesias, i cili tymos marihuanë dhe bën seks me prostituta. Frey është bashkuar me dilerin milioner amerikan të artit Larry Gagosian për ta shpërndarë librin. Libri do të botohet të premten e madhe, më 22 prill.
Frey ka thënë më herët se libri ka qenë ‘ideja e tij se si do të dukej Mesia nëse, në ditët e sotme, do të ecte rrugëve të New York-ut’.

Emri i vërtetë i protagonistit Ben Jones është Zion Avrohom dhe ai jeton në një apartament të papastër në Bronx, New York. Historia e tij është e treguar nëpërmjet rrëfimeve të miqve, familjarëve dhe ndjekësve të tij dhe eksploron atë që nënkupton të jesh i krishterë në shoqërinë e ditëve të sotme. Një zëdhënës i galerisë Gagosian, i cili bëri të ditur se galeria do të lëshojë një numër të limituar të kopjeve prej 10 mijë sosh, ka shtuar: “Megjithëse ai është Mesia, Ben nuk është njeriu, të cilit të krishterët i janë lutur gjatë dy mijë viteve të kaluara”.

Librat do të jenë të mbështjellë në këllëfë prej lëkure me një imazh të bërë nga Gregory Crewdson, fotograf amerikan i specializuar në imazhe surreale. Ato do të shiten nëpërmjet galerive të New York-ut, sikurse edhe online, gjithashtu edhe me versione digjitale për iPad dhe libra elektronikë. Gjithashtu do të jenë edhe një mijë botime të nënshkruara nga autori Frey.

“Supozohet të jetë vëllimi i tretë teorik i Biblës”, ka thënë Frey për New York Post. “Ka qenë i Vjetri, i Riu dhe ky është i Fundit”.

Në pritje të kontradiktës së ardhshme, Frey ka shtuar: “Jam i sigurt se e drejta religjioze do të çmendet për shkak të tregimit të Ben-it”.

Botuesi i tij britanik, Roland Philipps, i ka dhënë jehonë kësaj, duke sugjeruar se ka qenë motivimi prapa marrëveshjes për botimin origjinal me galerinë Gagosian. “James nuk mund ta imagjinonte një botues të përbashkët që i qëndronte afër në një ambient të kërcënimeve të mundshme me vdekje, djegie librash dhe ndalimesh në ShBA”, ka thënë ai.

Debutimi i Frey-t, i cili ka eksploruar vitet kur shkrimtari i kishte kaluar duke u përballur me varësinë ndaj alkoolit dhe drogës, ishte shitur në tetë milionë kopje. Pas botimit të tij, megjithatë, doli në shesh se autori kishte zbukuruar disa detaje, sikurse fakti se ai kishte kaluar vetëm disa orë në kujdes policor e jo tre muaj në burg, siç kishte përshkruar ai.

Frey ishte paraqitur në show Oprah Winfrey në vitin 2006, e cila e kishte përzgjedhur librin ‘A Million Little Pieces’ për klubin e saj të librit. Që atëherë Frey ka shkruar edhe dy libra të tjerë, memoarin ‘My Friend Leonard’ në vitin 2005 dhe romanin ‘Bright Shiny Morning’ në vitin 2008. (The Independent)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›