E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti: Kompensim për tokën e Ashtës



SHKODER - Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu inspektoi dje zonën e Ashtës, për të parë nga afër efektin e pritës që ushtria ka ndërtuar në këtë zonë. Ai u premtoi banorëve se shteti do t’i kompensojë ata për tokën e humbur nga ujërat e lumit Drin. Ndërprerja e shkarkimeve të hidrocentraleve si dhe ndërtimi i pritës në Ashtë kanë dhënë rezultat e tyre, pasi ka rreth një javë që erozioni i tokës bujqësore të 10 shtëpive të këtij fshati është ndalur. Prefekti Cungu, pasi ka parë nga afër pritën në bregun e Drinit, ka pohuar se të tilla masa do të merren në të gjithë ato vende që kanë probleme të ngjashme të erozionit të tokës, për të evituar çdo lloj të papriture në të ardhmen. Përballë kërkesave të banorëve për dëmshpërblim, prefekti Cungu i ka pohuar banorëve të këtij fshati se Qeveria do të dëmshpërblejë ose do t’u kompensojë të gjithë sipërfaqen e tokës së humbur si pasojë e gërryerjes së saj nga ujërat e lumit Drin. Ka qenë puna e mirë e forcave xheniere të ushtrisë që ka bërë të mundur devijimin e rrjedhës së lumit, e cila për 12 metra mbeti pa iu afruar themeleve të banesave, çka do të sillte një humbje tejet të madhe për banorët. “Po punohet me grupet e ekspertëve që të bëhet edhe një ndërhyrje tjetër po në këtë breg, me qëllim që këta banorë të mos ndihen më të rrezikuar nga rrjedha e lumit Drin”, pohoi Cungu. Lumi i rrëmbyeshëm shkaktoi dëme të mëdha në tokë bujqësore, ndërsa rrezikoi 11 banesa në fshatin Ashtë. Pas këtij precedenti, edhe banorët e zonave të tjera të Shkodrës kërkuan ngritjen e digave për të shmangur përmbytjet. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›