Pretenca, burgim i përjetshëm Altin Lamajt

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin maksimal për të akuzuarin, por me gjykim të shkurtuar ai i shpëton burgimit të përjetshëm
Akuzohet nga prokuroria për pesë vrasje të ndodhura në kryeqytet, pjesë e një zinxhiri hakmarrjeje mes grupeve të ndryshme
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, kërkoi nga togat e zeza të dënojë të pandehurin Altin Lamaj me "burgim të përjetshëm". Kjo masë dënimi, u kërkua nga prokurorët e çështjes Shpëtim Kurti e Blerim Tominaj, gjatë leximit të konkluzioneve të tyre përfundimtare.
Të dy ata i kërkuan treshes gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë, të kryesuar nga gjyqtarja Fatmir Hajdari, deklarimin fajtor të të pandehurit Lamaj për akuzat e vrasjes së pesëfishtë, një plagosje, falsifikim të dokumenteve dhe armëmbajtjes pa leje. Por, nëse togat e zeza pranojnë kërkesën e prokurorisë për masën e dënimit, i pandehuri i shpëton burgimit të përjetshëm për shkak të pranimit të kërkesës së mbrojtjes nga gjykata, për shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar.
Sipas procedurës së shqyrtimit të dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pranuar nga togat e zeza, i pandehuri Lamaj nëse deklarohet fajtor dhe dënohet me "burgim të përjetshëm", përfundimisht i ulet një e treta e dënimit dhe i duhet të vuajë vetëm 25 vjet heqje lirie. Prokurorët e çështjes Kurti e Tominaj, për 30 minuta lexuan pretencën e tyre, duke renditur kronologjinë e akuzave të ngritura ndaj Lamajt.
Ata përmendën edhe një sërë dëshmish të dhëna në fazën hetimore nga persona të ndryshëm, si dhe vunë në dispozicion të gjykatës prova të ndryshme materiale. Avokatët Genc Gjokutaj e Fatos Shanaj, në përfundim të leximit të konkluzioneve të organit të akuzës, u shprehën një zëri se nuk ishin dakord me akuzën, pasi klienti i tyre është i pafajshëm. Ndërkohë ata kërkuan kohë për të përgatitur pretendimet përfundimtare të tyre.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Hajdari, vendosi administrim në dosje të konkluzioneve të prokurorisë të përgatitura me shkrim, e po ashtu pranoi edhe kërkesën e avokatëve për shtyrjen e seancës, duke i lënë kohë atyre deri më 6 korrik për përgatitjen e pretendimeve të tyre.
Dosja penale në ngarkim të të pandehurit Lamaj, prej kohësh po sorollatet nëpër dyer të Gjykatave në vend, pasi i pandehuri vetë nuk ka pranuar asnjëherë akuzën e ngritur ndaj tij. Lamaj, ka pretenduar se nuk është ai autori i vrasjeve, për të cilat e akuzon organi i prokurorisë.
Prova e vetme që organi i akuzës përdor për të provuar fajësinë e të pandehurit Lamaj është një gjurmë daktiloskopike gishti e administruar në një autoveturë të braktisur e gjetur me 23 dhjetor të vitit 1999, pas një vrasjeje në afërsi të ish- Ambasadës Kroate. Sipas dosjes penale që mban nr.300, që tashmë po gjykohet në Shkallën e Parë, i pandehuri Altin Lamaj, akuzohet për veprat penale të "vrasjes me paramendim"; "vrasje me dashje"; "vrasje me paramendim të mbetur në tentativë", të gjitha këto në bashkëpunim, si dhe "falsifikim të akteve të gjendjes civile" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake".
Sipas akuzës, i pandehuri Lamaj dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e: Andi Hasanit, Gazmend Zenelit, Sokol Alushit, Alban Çelës e Grigor Stefanit, si dhe plagosjen e Altin Fortuzit.
Një nga ngjarjet për të cilat akuzohet ai, ka ndodhur me 23 dhjetor të vitit 1999, kur rreth orës 14:30 u qëlluan me armë dhe mbetën të vdekur në një lokal përballë ish-ambasadës kroate, Andi Hasani, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi. Po në këtë ngjarje mbeti i plagosur Grigor Stefani. Po kështu prokuroria e akuzon Lamajn edhe për vrasjen e Alban Çelës dhe plagosjen e Altin Fortuzit me 21 qershor të vitit 2000, në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.
Kalvari i proceseve "Lamaj", dënime pafajësi nga drejtësia
Kalvari i proceseve gjyqësore për të pandehurin Lamaj kanë nisur me 6 janar 2006, kur Gjykata e Krimeve të Rënda e deklaroi fajtor për tri vrasje duke e dënuar me "burgim të përjetshëm".
Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të cilët e deklaruan të pafajshëm, duke hedhur poshtë provën e vetme të prokurorisë, atë të gjurmëve të gishtërinjve të administruara në një qese të gjetur në bagazhin e makinës së braktisur në afërsi të shkollës "Vasil Shanto".
Ai u deklarua fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje duke marrë maksimumin e dënimit të parashikuar. Këtë vendim, Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda e ankimoi me rekurs në Gjykatën e Lartë e cila e shfuqizoi vendimin e dhënë dhe e ktheu çështjen për rigjykim pranë Apelit të Krimeve të Rënda për shkelje të mëdha procedurale, duke i lënë detyrë gjykatës të vlerësojë provën e organit të akuzës.
Po kjo Gjykatë vetëm pak muaj pas rikthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, vendosi të deklarojë të pandehurin Lamaj fajtor për këto vrasje, duke e dënuar sërish me "burgim të përjetshëm". Këtë vendim, mbrojtja dhe i pandehuri e kundërshtuan duke dërguar çështjen sërish pranë Gjykatës së Lartë.
Kjo e fundit, vendosi shfuqizimin e këtij vendimi, duke u shprehur në arsyetimin e saj se "nuk është kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda gjykimi i të pandehurit Altin Lamaj", duke rikthyer çështjen për rigjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.