Prefekti i Beratit, Rumniçi: më 10 shkurt nisin aplikimet për letërnjoftimet
>Prefekti i Qarkut të Beratit, Thoma Rumniçi ka deklaruar ditën e djeshme se të gjitha njësitë vendore të këtij qarku janë gati për nisjen e procesit për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime. Këtë deklarim, Rumniçi e ka bërë në një takim që ka zhvilluar me kryetarët e bashkive dhe komunave në ambientet e prefekturës, drejtuesit e të cilëve i ka njohur me ndryshimet dhe disa shtesa në vendimet e Këshillit të Ministrave për pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime dhe për caktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda afateve.
Në takim drejtuesit e njësive vendore kanë deklaruar se tashmë kanë gati ambientet ku do të punohet për pajisjen e shtetasve me letërnjoftime dhe nuk ka asnjë pengesë. Problematike është paraqitur vetëm komuna Cukalat në rrethin e Beratit, për faktin se objekti është në gjendje jo të mirë, por dhe ky rast është zgjidhur, pasi procesi do të zhvillohet në komunën pranë. Prefekti ka udhëzuar kryetarët e njësive vendore që pasi të marrin nga drejtoria e përgjithshme e gjendjeve civile, listën emërore të shtetasve që nuk disponojnë pasaportë dhe më pas ti dërgojnë menjëherë zyrës së gjendjeve civile për ti plotësuar njoftimet për çdo shtetas dhe për të ndarë listën në përputhje me këtë udhëzim. Po kështu, drejtuesve të njësive vendore u është lënë detyre që jo më vonë se data 3 shkurt 2009 të bëjnë ndarjen e njësive në zona, lagje, bllok, fshat dhe caktimin e personave përgjegjës që do të njoftojnë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë. Kështu, në datën 5 shkurt të gjithë njësitë vendore duhet të kenë listat emërore të shtetasve që do të aplikojnë të parët për letër njoftimet e reja. Në 10 shkurt me marrjen e dosjes me njoftimet përkatëse, administratori i lagjes, kryetari i fshatit, nisin njoftimet e qytetarëve për nisjen e procesit. Tashmë pritet që firma SAGEM" që ka marrë përsipër prodhimin e letërnjoftimeve të reja të pajisë qendrat ku do të zhvillohet procesi me bazën materiale, pasi të gjitha godinat janë gati. Po kështu janë përcaktuar dhe kualifikuar të gjithë punonjësit që do të punojnë pranë këtyre qendrave, që procesi të zhvillohet pa asnjë problem.