Kuvendi: Bllokimi i dekretit të z.Topi për Admir Thanzën, i pavërtetë
>Dje në media është bërë publike se kuvendi ka bllokuar dekretin e presidentit Topi për emërimin e Admir Thanzes si anëtar i gjykatës kushtetuese, pas përfundimit të mandatit të kryetarit të kësaj gjykate, Gjergj Sauli. Por, nga ana tjetër zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë e ka cilësuar të pavërtetë lajmin e dhënë dje në një media se, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka bllokuar dekretin e presidentit për emërimin e z. Admir Thanza në Gjykatën Kushtetuese.
Ky lajm është krejtësisht dezinformues, i qëllimtë dhe abuziv, thuhet në një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë.Zyra e shtypit sqaron se dekreti në fjalë me të ardhur, ka hyrë në procedurë parlamentare, dhe është në kalendarin e punës së Komisionit të Çështjeve Ligjore. Siç shihet edhe në faqen zyrtare të presidencës, dekretimi i Admir Thanzës si anëtar i gjykatës kushtetuese është bërë nga presidenti Topi që prej datës shtatë janar dhe ka mbërritur në kuvend një ditë më pas. Sipas anëtarëve të majtë të komisionit të ligjeve, në bazë të rregullores komisioni ligjeve duhet të ishte mbledhur dhe të kishte dhënë vendimin e tij për dekretin deri më 29 janar. Burimet zyrtare pranë kabinetit të kryeparlamentares si dhe anëtare të djathtë të komisionit të ligjeve duke cituar nenin 111 të ndryshuar të kuvendit shprehën se dekreti është brenda afateve pasi është depozituar në kuvend ditën e parë të punës së kuvendit. Bëhet e ditur se komisioni i ligjeve do të mblidhet ditën e hënë, kur skadon afati sipas nenit që mbështet mazhoranca, por në komision nuk është njoftuar të marrë pjesë kandidati për në gjykatën e lartë, Admir Thanza.