E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prefekti i Durrësit për ATSH-në: 440 banesa të përmbytura nga reshjet e shiut, 10 grupe pune në terren

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Reshjet e shiut në 29 janar shkaktuan dëme në disa banesa në Durrës, ndërsa zonat më të prekura janë Sukthi, Katundi i Ri, zona e Kënetës dhe ajo e Plazhit.

Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i qytetit të Durrësit, Emiljan Jani thotë se deri tani janë evidentuar 440 banesa, ndërkohë që verifikimi i grupeve të punës në terren vijon ende.

“Gjatë këtyre ditëve janë evakuar 34 qytetarë, banesat e të cilëve pësuan më shumë dëme. Ata, tashmë janë sistemuar në ambientet e Shtëpisë së Pushimit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Aktualisht janë 31 qytetarë që po qëndrojnë në këto ambiente,” thotë ai.

Sipas Janit, në këtë situatë nuk patën ndikim vetëm reshjet me intensitet të lartë, por edhe prania e mbetjeve urbane në sistemin e kanalizimeve, sidomos ato në kanalin e ujërave të larta, i pozicionuar në zonën e unazës së Durrësit.

“Sa i përket menaxhimit të situatës, u angazhuan të gjitha strukturat vendore të bashkisë Durrës, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, OSSHEE, Policia e Shtetit, stacioni zjarrfikës i Autoritetit Portual Durrës si dhe një mbështetje e konsiderueshme erdhi nga Ministria e Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavator, pompa thithëse, efektivë të Forcave të Armatosura. Ne si institucion koordinuam punën e strukturave në terren në tri zonat që u ndeshën me shumë problematika: Këneta, Shkozeti dhe zona e Plazhit. Për evidentimin e dëmeve në terren janë ngritur 10 grupe pune,” pohon ai.

Sipas prefektit të qytetit të Durrësit, gjatë katër ditëve u ndërhy me mjete ekskavatorë dhe kamionë në kanalin e ujërave të larta falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, Ndërmarrjes Rruga nga bashkia Durrës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

“Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka vijuar me ndërhyrjen në sistemin e kanalizimeve, ndërkohë që jemi në ditët e fundit të evidentimit të dëmeve,” thotë Jani.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›