E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Durrësit urdhëron vendorët për rishikimin e familjeve në nevojë

Varfëria e shtuar dhe e tejskajshme që e rendit qarkun e Durrësit në qarqet me varfëri më të madhe në vend, por edhe udhëzimi për publikimin e listave zgjedhore deri në 28 shkurt kanë bërë që Prefekti i Qarkut të Durrësit, Klodjan Pajuni të mbledhë në një takim kryetarët e njësive vendore për të diskutuar rreth këtyre dy problemeve aktuale. Në takim kanë marrë pjesë kryetarët e komunave dhe bashkive të qarkut Durrës si dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha. Ndër të tjera, tema ku u përqendrua Pajuni ishte kujdesi që përfaqësues të pushtetit lokal, duhet të tregonin për shtresat në nevojë. Në fjalën e tij përpara krerëve të bashkisë dhe komunave, Pajuni e vuri theksin te fakti se mjaft familje që janë vendosur pas vitit 1993 nuk përfitojnë ndihmë ekonomike, duke u lënë në varfëri. Siç dihet këto të fundit përjashtoheshin deri më sot nga skema e ndihmës ekonomike që jepet nga komunat dhe bashkitë. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është shprehur se bashkia nuk ka kërkesa në rastet kur familjet e përfundojnë marrjen e ndihmës ekonomike, pasi janë të ndërgjegjshme se nuk u takon në bazë të ligjit dhe është e vështirë që të bëhet një evidentim i tillë. Pas viteve 1991, Qarku i Durrësit u mbipopullua për shkak të migrimit të familjeve të ardhura nga zonat rurale, ku pjesa më e madhe e tyre jetojnë në varfëri. Qarku i Durrësit ka mbi 401 mijë banorë, ndërsa vetëm 10 për qind e tyre përfitojnë ndihmë ekonomike. Në rrethin e Durrësit, në zyrën rajonale të punësimit janë të regjistruar 5 630 punëkërkues të papunë. Nga këta punëkërkues, për t' ju ardhur në ndihmë, 520 trajtohen me pagesë papunësie, 2547 me ndihmë ekonomike, 62 trajtohen me skema të tjera dhe 2502 janë përfshirë në një plan projekt për një trajtim të veçantë ndihmese.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›