E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurohet qendra ditore, Basha: Do ndërtojmë edhe 5 të tjera

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha shfrytëzoi Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve për t'i premtuar brezit të tretë, se deri në qershorin e ardhshëm do të çelen të paktën pesë qendra ditore për ta në të gjithë kryeqytetin, ndërsa do të ketë transport falas për ata mbi 65-vjeç. Këto premtime, kryebashkiaku Basha i bëri gjatë takimit me të moshuarit e qendrës ditore në njësinë bashkiake nr. 9, e rihapur me investimet e Bashkisë, ku kalojnë kohën e lirë dhe u ofrohen çdo ditë shërbime dhe argëtim afro 80 të moshuarve. Basha tha se brezi i tretë është në vëmendjen e Bashkisë së Tiranës. "Krijimi i qendrave të tilla në të gjithë territorin e Tiranës mbetet një objektiv i rëndësishëm i Bashkisë në drejtimin tim dhe unë sot dua t'u them të moshuarve, në të gjithë minibashkitë e tjera të kryeqytetit, se brenda qershorit të vitit të ardhshëm, ne do të hapim të paktën pesë qendra të tilla anembanë qytetit të Tiranës", - tha kryebashkiaku. Një i moshuar i pranishëm në ceremoni falenderoi kryetarin e Bashkisë: "Ju falenderoj që na krijuat këtë mundësi për t'u takuar me ju. Ju e merrni Tiranën në një gjendje të vajtueshme, megjithatë, populli i Tiranës e ka të qartë këtë dhe nuk mjafton një mandat, por duhen disa mandate, prandaj urojmë që bashkë me këtë, të jenë edhe disa mandate të tjera, që ju ta bëni Tiranën ashtu siç keni premtuar". Duke iu përgjigjur pensionistëve, kryebashkiaku i Tiranës u bëri me dije se nuk e ka harruar premtimin për të vendosur transport publik falas për ta, duke pohuar se mbetet prioriteti numër 1. "Unë nuk e kam harruar premtimin tim tjetër, së shpejti do të mbledh të gjitha organizatat e transportit publik në Tiranë dhe do të dekretoj transport publik falas për të gjithë pensionistët mbi 65 vjeç. Këto lehtësi sociale janë një detyrim i yni dhe po kështu, ne do të mbetemi të përkushtuar për të punuar për qëllimin tonë kryesor, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë punësim për bijtë e bijat tuaja, në mënyrë që kujdesi për ju të jetë i natyrshëm, të jetë i përditshëm dhe të jetë i mbështetur fort tek punësimi, tek gjenerimi i të ardhurave ekonomike. Ky mbetet prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës dhe i imi si kryebashkiak. Ju garantoj se unë do të punoj natë e ditë, së bashku me administratën time, që çdo premtim që ju kam dhënë, ta bëj realitet brenda kohës sa më të shkurtër të mundshme", - u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›