E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poloni, Oketa në takimin e ministrave të NATO-s



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, u nis dje për në Krakov të Polonisë për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet në prill të këtij viti në Strasburg, bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes. Pjesë e diskutimeve nga të 28-të ministrat e Mbrojtjes gjatë këtij takimi do të jetë gjithashtu edhe transformimi i mëtejshëm i Aleancës, pas hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë si anëtare me të drejta të plota në të. Ministri Oketa do të marrë pjesë në të gjitha formatet e këtij takimi, që kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap De Hup Shefer.

Ishujt Maldive njohin Kosovën shtet

Ishujt Maldive njohin zyrtarisht shtetin e Kosovës. Konfirmimi erdhi dje nga ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shahed, përmes një letre që i ka dërguar homologut kosovar, Skënder Hyseni. Ministri Hyseni deklaroi se meritat për njohjet që i bëhen Kosovës i kanë qytetarët dhe institucionet e vendit. Ishujt Maldive bëhen shteti i 55-të që njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Përmes letrës, shefi i diplomacisë së shtetit Maldive njofton homologun kosovar Skënder Hyseni se vendimi u mor pas shqyrtimit të rrethanave që i përkasin Kosovës dhe faktit se një numër i madh i vendeve e kanë njohur atë. Ministri Hyseni komentoi edhe vizitën e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Xanier, në Beograd. Sipas tij, qëndrimi i Prishtinës tashmë është i njohur se nuk e pranon planin gjashtëpikësh të Kombeve të Bashkuara dhe me Serbinë bisedon vetëm si dy shtete të barabarta. Shefi i diplomacisë kosovare tha se Serbia nuk do të ketë sukses me fushatën e saj për të penguar Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Së shpejti, sipas Hysenit, Kosova do të pranohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›