Prefiksi, proteston Serbia: Shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare

Shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kështu e sheh Serbia miratimin e Rezolutës nga Parlamenti i Kosovës për unifikim të prefiksit me Shqipërinë. Ministri për Tregti të Jashtme dhe të Brendshme dhe Telekomunikacion, Rasim Lajiç, ka thënë se zëvendësimi i kodit telefonik nga ana e Kosovës, paraqet shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sipas tij gjatë ditës së sotme ka dërguar një notë proteste në Unionin Ndërkombëtar për Telekomunikacion.
Lajiç më tej sqaroi, se në letër ka kërkuar nga Unioni që të pengojë zbatimin e rezolutës, sepse sipas tij, nëse ajo zbatohet, në praktikë do të nënkuptojë që të gjitha telekomunikimet ndërkombëtare me Kosovën do të kalonin nëpërmjet Shqipërisë, me të cilën do të shkelej parimi i ekstrateritorialitetit në përdorimin e numrave ndërkombëtarë.
Edhe zëvendëshefja e Qeverisë së Serbisë për integrimet evropiane, Suzana Grubeshiç, ka reaguar ndaj rezolutës së hartuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila kërkon që në vend të tre kodeve të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos e Sllovenisë, të përdoret kodi telefonik i Shqipërisë.
Sipas saj duke marrë parsysh këtë fakt, bisedimet për telekomunikacion mes Prishtinës e Beogradit nuk do të jenë të lehta, por sipas saj, nuk i duhet dhënë rëndësi e madhe, “aktit të njëanshëm” të Kuvendit të Kosovës.
Rezoluta parasheh që Kosovës në rast të mosmarrjes së kodit të vet telefonik, atëherë t`i lejohet të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe heqjen e kodeve telefonike të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386.