Prehistoria dhe historia e Holandës në Shqipëri

Prelud…
Personalisht nuk më gëzon fort fitorja e NEN 21-vjecarëve të Shqipërisë e së shtunës që shkoi, ajo 1-0 ndaj Kroacisë për Kampionatin Evropian. Ndonëse u arrit ndaj përfaqësueses të një shteti futbollistik të shquar. Nuk më gëzon me gjithë aksionin e bukur të Canit në rastin e shënimit të golit fitimtar, dhe as me gjithë përmirësimin e dukshëm të lojës së 21-vjecarëve tone në epilog të ndeshjes. Kështu ngaqë gjatë gjithë lojës pashë një nivel teknik dukshëm më të lartë të miqve, një shpejtësi loje më ritmike të tyre, një taktikë më të pjekur. Pratikisht mendoj se Shqipëria qe me fat kësaj here. Dhe mori një fitore të cmueshme që papritmas e vë në kushte të barabarta me Italinë, Greqinë dhe Kroacinë, të katra nga 6 pikë secila. Një befasi e tanë, kur kujton se c'paraqitje të dobët bëri Shqipëria në 4-0 të Italisë, që i vë 21-vjecarët tonë në kushte të barabarta me tre mëtuesit, ndonëse prap ata mbetën në vendin "e tyre" të katërt. Nga ana e të dhënës "sociale" mosinteresimi i publikut të Elbasanit për ndeshjen, me praninë e vetëm nja 100 spektatorëve, tregon se kriza e pranisë në futbollin shqiptar përfaqësues, përjashto Kombëtaren, është më e rëndë se kurr. I gëzohem megjithate edhe unë fitores së cmueshme me Kroacinë, sepse më pëlqen ta pranoj si një prelud i asaj që mund të ngjasë nesër mbrëma në ndeshjen me Holandën. I hidhërohem sidomos mungesës së publikut shqiptar…
Prehistori…
Duke iu afruar ndeshjes së nesërme me Holandën, prap cuditërisht, si gazetar, historian dhe tifoz i vjetër i Kombëtares, nuk kam asnjë lloj euforie shpirtërore, asnjë lloj ankthi apo pasioni të papërmbajtur futbollistik me gjithë rolin interesant që mund të luajë rezultati i saj në të mirë të Shqipërisë dhe në dëm të Holandës. Ndonëse vërej një pasion të madh për këte ndeshje, sidomos te rinia sportive shqiptare. Për habi, nga ai pak sondazh që kam mundur të bëj, ky pasion apo ankth e padurim së bashku, për një cast nuk më del se ka të bëjë dhe aq fort me Shqipërinë. Më tepër më duket se ka të bëjë me pasionin e rinisë sonë "futbollistike" për emrat e mëdhenj të lojtarëve holandezë që vijnë në Shqipëri si pjesëtar të klubeve më në zë të Evropës. Këtu ka koleksionistë të Van Nistelroy-t me shokë dhe shumë prej tyre mu për këte shkojnë edhe në stadium. Bëjnë përjashtim vetëm tifozët "kuq e zi", besimtarët e rrallë atdhetarë të vërtetë të Kombëtares. Ka dit që thonë se stadiumi mund të mbushet, se biletat janë shitur të gjitha, se ka filluar tregu i zi, se po rriten cmimet, e tjerë e tjerë. Besoj pak prej të gjitha këtyre. Shqipëria vazhdon kësisoj idolatrinë sportive ksenomane, përvec atyre të tjerave. Eshtë ajo qe kemi thenë gjithmonë: cështje televizive dhe loteriste.
Të gjitha këto hamendje do t'i marr mbrapsht nëse mbas pak ditëve nuk mi provon e vërteta.
Ajo që ëshë e sigurtë nga ana statistikore, është "ngjarja" e së shtunës që na thotë se mbas rezultateteve të arritura në turin e 8 shtatorit për EURO 2008, me një fjalë, mbas fitores 3-1 të Rumanisë në Biellorusinë dhe të Holandës 2-0 me Bullgarinë, Shqipëria është eliminuar prej cdo ândrrimi të një mundësie garuese për të shkuar në fundoret e AustriZvicrës 2008. Eshtë 11 pikë larg Rumanisë dhe 8 pikë larg Holandës, kur duke filluar nga mesnata e nesërme, ka për të zhvilluar vetëm edhe katër ndeshje. E kam bërë llogarinë, që edhe sikur t'i fitojë të katërta këto ndeshje, cka më duket e pamundur (kujto vetëm Ljubjanën e Bukureshtin), Shqipëria nuk mund të jetë e kualifikuara e dytë e Grupit G të EURO 2008. Dhe kur marr me mend se është fjala për skuadrën e 66-të në Renditjen botërore të FIFA-s, që është Shqipëria jonë, eliminimi më duket krejt nomal, teksa shoh se në këte Renditje, Hollanda është është e 7-ta dhe Rumania e 10-ta në botë. Kjo sa për aktualitetin e situatës. Pa shkuar mandej te ana sociale apo jetësore në tanësi, gjthnjë tërheqëse edhe në përfundimet sportive: përshembull, Holanda ka 90 përqind të poullsisë qytetare, kurse ne… ka 29.000 dollarë për frymë, kurse ne… dhe është pra një prej shtatë superfuqive të futbollit botëror, kurse ne … .
Holanda nuk ka qenë kështu kur ka ardhur në Shqipëri për të luajtur 43 vjet më parë, më 25 tetor 1964 për Kupën e Botës 1966. Asokohe ne në Shqipëri i njihnim asaj vetëm një emër: qendërmbrojtësin Marinus Israel, moshatari im. Shqipëria megjithate vendosi rekordin. Guxoi dhe i kundërvuri asaj Holande një lojtar 17-vjecar me emrin Iljaz Ceco. Ndërkaq, për cudi na e merrte paksa mendja se do t'iu rrëmbenim një barazim holandezve "të panjohur". Mirëpo ishte 2-0 për ta me dy gola në miutave të skajshëm 2' dhe 88'. Si spektatorë të indoktrinuar me nacionalkomunizëm, e kemi lënë stadiumin jo fort të bindur për humbjen. Qoftë edh për faktin se ajo Holandë e asaj fitoreje të Tiranës, vinte në Shqipëri në një periudhë krize të rrallë të historisë së saj. Në atë tetor të largët të Shqipërisë së Regjimit, Holanda kishte humbur jo vetëm 0-1 me Belgjikën e me Suedinë, po deri edhe me Luksemburgun 1-2! Dhe për bukur 17 muaj rresht, qysh nga maji 1963 e deri te ky tetor shqiptar 1964, Holanda kishte regjistruar vetëm një fitore, 2-0 me Shqipërinë në Amsterdam më 24 maj 1964!
Dhe ne që mëtonim. Na i merrte mendtë disi fitorja e para një viti, me Danimarkën në premierën tonë të Tiranës për Evropianin. Por ky ishte Kampionati Botëror…
Prehistoria e dy ndeshjeve të vetme me Holandën na tregon se Shqipëria e kërkonte me ngulm fitoren. Ishte 20-vjetori i Clirimit. Kërkohej një fitore Perëndimore në sport, por 2-0 për Holandën. E cila nuk ishte ende Holanda e famshme Rinus Michelsit, por ishte Holanda e cila mbrenda më shumë se një viti vec kishte humbur. Ose kishte vetëm një fitore, po 2-0 me Shqipërinë! Ndërsa ne që i njihnim vetëm një lojtar: Marinus Israel, qendërmbrojtës ndër më të mirët e Evropës. Asgjë më tepër. Kësisoji nuk merrej vesh përse Shqipëria kërkonte në formë urdhërore fitoren. (Gati si dhe sot!).
Ajo ishte një Shqipëri disi e re, madje deri aty sa që debutonte një 17-vjecar me emrin Iljaz Ceco. Kam shkruar më 2001 në Libri i Kombëtares:
"…Nuk do të kjetë një hap përpara. Përsëri humbje 2-0 kur epërsia tokësore është e shqiptarëve. Holandezët ruajnë të njëjtin ritëm në 90 minuta dhe golat e tyre në skajet e ndeshjes (2' dhe 88') nuk janë rastësi. Zyber Konci heq dorë nga Haxhiu, por Cecon 17-vjecar, e ka plot 90 minuta duke u vendosur mbase me këte moshë të lushnjarit të talentuar, një rekord në gjithë historinë e eliminatoreve të Kupës së Botës. Kjo humbje vjen kur Partizani i Loro Boricit bash në këto dit ka dy ndeshje të mëdha në Kupën e Kampioneve me Köln të Gjermanisë 0-0 e 0-2, dhe në Kombëtare trajneri Konci ka jo pak, por plot 5 partizanas. E kritikat janë të rënda. Kush nuk shkruan e nuk thërret për këte humbje duke ngushtuar gjithë problemin te dyshja Pano – Bushati, e cila do ta mbyllte historinë e saj të përbashkët pa u unifikuar".
Titujt e shtypit dhe shkrimet janë të pamëshirshme: "Deri kur me këte lojë". "Futbollistët tanë luajtën pa sedër". "Të nxiren mësimet e duhura". Dhe: "Ndeshja i dëshpëroi përsëri më se 28.000 spektatorët, që e panë ate dhe diziluzionoi dhjetra e mijëra të tjerë që e ndoqën zhvillimin e ndeshjes nëpërmjet radios…"
Diku aty lart spikaste titulli i madh: "20 vjet suksese". Ishte fjala për sukseset e sportit në rrethin e Korcës! Mirëpo, ngjitur me te: Shqipëria– Holanda 0-2!
Mandej, roli i fundit sensacional i Shqipërisë: 1-1 me Irlandën e Veriut të George Best dhe në fundoret e Londrës shkon Zvicra e Dr. Fonit të Italisë, trajnerit të zviceranëve i cili kishte luajtur në një skuadër, me Juventusin, së bashku me Riza Lushtën e në një ndeshje edhe kundër Loro Boricit të Lazio-s…
Shqipëria gjithë jetën ka luajtur role për historinë e të tjerëve.
Histori…
11 muaj më parë është shkruar kapitulli i parë i kësaj historie: 11 tetor 2006. Në stadiumin "Amsterdam Arena" të Amsterdamit: Holanda – Shqipëria 2-1. Një ndeshje e rrallë. Të shtunën shkroi një fragment kapitulli Shpresa e Shqipërisë: 1-0 me Kroacinë. Nesër shkruhet kapitulli i dytë i Holandë – Shqipëri në "Qemal Stafa" të Tiranës. Nuk e dijmë se i cilit kah do të jetë.
E kam pa në TV Bulgaria ndeshjen e së shtunës. Një Holandë e cuditshme vërtet. Jo e futbollit total, por e një futbolli të matun, tejet i fortë në mbrojtje, madje i mbyllur, i një sulmi të studjuar që nuk t'i merr mendtë, por që të godet në castin e duhur me të gjitha mënyrat. Kështu, më duket një Holandë tejet e vështirë për Shqipërinë, e cila mbylljet nuk di t'i hapë kurr. Di vetëm të përfitojë në kundërsulmet që vijnë menjëherë në castin e sulmit kulmor të kundërshtarit, pra në vethapje të tij. Nuk di se sa mund të jem i saktë, por ky futboll holandez i së shtunës, thuajse i një stili italian (!), po u shfaq i tillë, do të jetë tepër problematik për Shqipërinë.
Qofsha i gabuar, por ndërkaq, më duket se në Shqipëri ka nisur euforia e së mërkurës. Një eufori kur Kombëtarja sapo është eliminuar. Cka nuk shkon, natyrisht.
Për cka lufton pra, Shqipëria nesër mbasdite në ndeshjen e Tiranës?
Lufton për "mesin e artë", që nuk mund të thuhet se është i artë. Mbas ndeshjeve të së shtunës, simbas mesatares së pikëve të fituara për ndeshje, Shqipëria me 1.28 pikë për ndeshje, renditet e 27-ta në Evropë:
1.Gjermania 2.75
2.Greqia 2.57
3.Kroacia 2.50
4.Rumania 2.50
5.Holanda 2.42
6.Suedia 2.37
7.Franca 2.37
8.Rusia 2.25
9.Skocia 2.25
10.Italia 2.21
11.Rep. Ceke 2.12
12.Anglia 2.12
13.Norvegjia 2.00
14.Turqia 2.00
15.Polonia 2.00
16.Spanja 2.00
17.I.Veriut 2.00
18.Izraeli 1.88
19.Bullgaria 1.87
20.Ukraina 1.85
21.Finlanda 1.80
22.Portugalia 1.77
23.Irlanda 1.75
24.Serbia 1.66
25.Bosnja-H. 1.62
26.Danimarka 1.57
27.SHQIPERIA 1.28
28.Sllovakia 1.25
29.Hungartia 1.12
30.Belgjika 1.11
31.Uellsi 1.00
32.Armenia 1.00
33.Qipro 1.00
34.Sllovenia 0.87
35.Maqedonia 0.87
36.Lituania 0.87
37.Biellorusia0.87
39.Gjeorgjia 0.77
40.Kazakistan 0.66
41.Azerbaixhan0.62
42.Malta 0.62
43.Islanda 0.62
44.Liehtestejn0.50
45.Estonia 0.33
46.Moldavia 0.25
47.Luksemburg 0.00
48.Faroe 0.00
49.Andora 0.00
50.San Marino 0.00
Kjo nuk është një renditje zyrtare. Eshtë një renditje teknike e përkohshme. Duket që Shqipëria është në "mesin e artë": e 27-ta ndër 50. Mbrapa saj janë 23 shtete midis të cilëve, në tanësi, ka edhe prej atyre që e kanë futbollin mbi te: Sllovakia, Hungaria, Belgjika, Uellsi, Sllovenia… Kështu që e 27-ta tash për tash ta do mendja se është vërtet "mesi i artë". Mirëpo kjo ngjet ngaqë sot Evropa nuk ka më 32 shtete, por 50 a 52. Shqipëria këtu ka qenë edhe asokohe, e 27-ta ose e 28-ta. Nesër mbrëmba ajo lufton mu për këte "mes të artë" që prap se prap nuk të duket se është "i artë". Shqipëria lufton për dinjitet, shton dikush. E konsumuar deri në skaj kjo thënie. Më drejtë është të thuash se Shqipëria lufton për rritjen e mëtejshme të Kombëtares së saj. Dhe kaq mjafton. Ose, duke qenë se jemi në një kapitull historie, mund të pranonim se nesër Shqipëria guxon e kërkon një fitore ndaj një të madhi.
Historia e tashme na tregon se në gjithë këto shtatë vjet të Shekullit XXI, Shqipëria ka në fushën e vet vetëm dy fitore të mëdhenjsh për kualifikime evropianobotërore: Shqipëria - Greqia 2-1 më 4 shtator 2004 dhe Shqipëria – Rusia 3-1 më 29 mars 2003. Asgjë më tepër. Mbas tyre, po në fushën e vet, ajo ka edhe disa fitore të tjera të markës "sovjetike", 3-1 dhe 3-2 Gjeorgjisë, 2-1 Kazakistanit dhe një "perëndimore", 2-0 Luksemburgut. Një varfëri e tanë: vetëm dy fitore në tokën shqiptare ndaj të mëdhenjve në shtatë vjet të shekullit! Otto Baric ende nuk duket "askund" në drejtim fitoresh ndaj të mëdhenjve. Dy të përmendunat i përkasin drejtimit të Hans Peter Briegeli-t. Cka duket paradoksale kur sheh shifrat e Baricit në ndeshjet për një Evropian: 2 fitore, 3 barazime, 2 humbje, golat 8-6. Absolutisht asnjëherë në gjysmë të rrugës së një turneu kualifikues, Shqipëria nuk ka patur këte baraspeshë jo humbëse. Asnjëherë nuk ka patur në gjysmë të rrugës këte golaverazh pozitiv, me dy gola mbi. Dhe… Janë dy fitoret me Luksemburgun, të 146-tin e botës, ato që kanë peshë në këte baraspeshë.
Mund të jetë nesër ora e Otto Baricit.
Dy të mëdhatë e Shekullit XXI për Shqipërinë janë dy Kampione të Evropës, Greqia dhe Rusia. Nesër është po një Kampione e Evropës, Holanda, por dhe Nënkampione e Botës dy here dhe rrëmbyese e gjashtë Kupave të Kampioneve me klubet e saj. Ndrkohë që ajo është "nëna" e Ajaxit legjendar të Johan Cryujff-it, klub i cili një ditë shtatori të vitit 1970 ka barazuar 2-2 në këte stadium të Tranës me ate që asokohe quhej 17 Nëntori i Tiranës. Nuk përsëritet përherë kësisoji historia …
Mendja ta do se nesër mbrëma Shqipëria do të jetë me këmbë në tokë. Unë për vete jam skeptik. Nuk ma ka ânda të kalaméndem në fluturime futbolli. Kam një kërshëri të madhe me pa se si do të sillet në Tiranë Shqipëria ndaj Holandës 2007. Rezultati? Enigëm.
Një gjë dihet megjithate: se nesër Shqipëria nuk luan as për "mesin e artë", as për kualifikim, as për "dinjitet" të konsumuar, por për një futboll të së vërtetës përballë një të madhi. Ndoshta nuk luan as për histori, pra as për t'i ngritur në tri fitoret e saja me të mëdhenjtë për Shekullin XXI.
Atëherë le të luajë pra. Dhe kaq. Le të luajë futboll të nivelit evropian. Dhe kaq. Le të tregojë rritjen e saj. Dhe përsëri vetëm kaq. Pa ndjenja si në nacionalkomunizëm, por me ndjenja të vërteta të futbollit të sotëm modern, në rrugën e të cilit ka shkelë tashmâ dhe Shqipëria. Jo Shqipëria e Kampionatit Kombëtar të saj, por Kombëtarja mbarëshqiptare e Shqipërisë. Edhe sepse nesër mbrëma mund të jetë lamtumira e shqiptarit të madh të futbollit të Kosovës në Kombëtaren e Shqipërisë, Besnik Hasit nga Gjakova. Sepse ai lë mbrapa një grup të pashtershëm shqiptarësh të tjerë të Kosovës për Kombëtaren mbarëshqiptare.
E prap unë skeptiku i pandreqshëm i këtij shkrimi të sotëm, të vetes së parë (për cka i kërkoj të faluna lexuesit) që e parashoh ndeshjen pa euforina të dikurshme. U dashka marrë Shqipëria ashtu sic është. Madje në të gjitha fushat. Në futboll e ekonomi. Në politikë e nivel jetese. Me kryelë e logjikë, me ambicje të mirë dhe guxim në masën e asaj se cfarë peshe mund të mbajnë shpatullat tona ende të brishta.
Otto Baric e ka nesër premierën e tij të madhe në tokën shqiptare. Ai flet për një të ardhme. Ka përdorë 25 lojtarë në 7 ndeshjet e tij për EURO 2008. Prej tyre "të tijtë" janë vetëm katër: Berisha, E.Bulku, Vangjeli dhe D.Xhafa, të cilët të gjithë së bashku kanë luajtur vetëm 203 minuta lojë, ose 50 minuta mesatarisht secili. Shumë pak. Otto Baric luan ende me lojtarët e Hans Peter Briegelit. Normale. Kjo punë është ecuri. Mirëpo, ai ka mënjanuar Hasin, Aliajn, Taren, Muratin! Një katërshe e madhe për historinë tonë modeste, cka vërteton se Baric po përtërin. Nesër ka një provë të vështirë të forcës së kësaj përtëritjeje. Ai ka një bilanc të jashtëzakonshëm për një turne: 7 ndeshje, 2 fitore, 3 barazime, 2 humbje dhe 8-6 golat! Si asnjë tjetër. Por.. Pesha e dy fitoreve të Luksemburgut, i 146-ti në botë.
Dhe unë që mbetem ende skeptik kryefortë, ndoshta deri nesër në mbrëmbje…
"Contrappunto"…
Në muzikë me "contrappunto" nënkuptohet arti i shumë linjave melodike simultane, alternimi i temave, situatave e motiveve të ndryshme në një të vetëm kompozim artistik. Nga ana figurative kjo fjalë latine ka marrë kuptimin e kontrastit. Mundet që nesër përkundër spekticizmit tim të shpërthejë një"contrappunto". Ndoshta deri në "crescendo maestoso" nëse nuk gaboj në termin muzikor.
Shqipëria, gjithkund e vogël, në fund të fundit, ndoshta ka një nga Kombëtaret më të bukura të historisë së saj modeste në gjithë këto vite 2000, ndonëse rezultatet nuk përkojnë plotësisht me këte.
Otto Baric në tanësinë e të gjitha llojeve të ndeshjeve, midis trajnerëve që e kanë drejtuar Kombëtaren në 10 ndeshje e lart, është i vetmi që ka një tjetër bilanc pozitiv prej të 19-tëve të deritahsëm në këto 60 vjet: ai ka 10 ndeshje, 4 fitore, 3 barazime, 3 humbje, 14-7 golat. Thonë se këto dit ka folë shumë për gjyqtarin e ndeshjes me Holandën. Edhe këte e kam të vështirë ta besoj. Më ka kapë skepticizmi për të gjitha.
Por ndoshta nesër është vërtet mbrëmbja e një "contrappunto"…
Besnik Dizdari