E Diel, 1 Nëntor 2026

Prej 4 muajsh pa rrogë, punëtorët denoncojnë firmën e ndërtimit Levan-Fier

Një përfaqësi shoferësh të firmës sllovene Protans Albania, firmë e cila merret me punimet në autostradën Levan-Vlorë, kanë denoncuar në polici drejtuesit e firmës, pasi nuk kanë marrë rrogat për 4 muaj rresht. Që në orët e para të mëngjesit, shoferët e firmës i janë drejtuar drejtorisë së krimit ekonomik në komisariatin e Fierit, për të denoncuar mashtrimin që po u bëhet nga drejtuesit e firmës në fjalë. Shoferët janë shprehur se shumë herë kanë kërkuar takim me drejtuesit e firmës dhe sipërmarrësit, e nuk kanë arritur të gjejnë një rrugë të mesme për marrjen e pagave të prapambetura. Janë më shumë se 114 shoferë që punojnë për këtë firmë në aksin rrugor Levan- Vlorë, të cilët nuk janë paguar prej 4 muajsh, e që një fakt të tillë e kanë quajtur shkelje të të drejtave të tyre. Punëtorët janë shprehur se nëse nuk merren masa sa më parë për likuidimin e parave të prapambetura, do të bllokojnë automjetet që kanë në përdorim. Ka më shumë se katër muaj që nuk kemi marrë pagat nga firma sllovene. Kemi ardhur për të denoncuar shkeljet që po na bëhen në drejtorinë e krimit ekonomik, pasi nuk kemi arritur të gjejmë dot një rrugë të mesme me drejtuesit e firmës. Disa herë kemi kontaktuar me një përfaqësues slloven, i cili është edhe personi që merret me ecurinë e punimeve këtu dhe na ka premtuar shpesh herë që problemi do të marrë zgjidhje. Por, edhe pse na thanë që problemi i pagave do të marrë zgjidhje, asgjë nuk është bërë. Disa herë na kanë dhënë një pjesë të pagës për të mbyllur gojën, por këtë nuk e kanë bërë me të gjithë. Na kanë dhënë nga 100 a 200 mijë lekë, e më pas kanë rënë në heshtje, janë shprehur shoferët, sipas të cilëve situatën e rëndon më shumë fakti se sipërmarrësit kanë shkelur edhe të gjitha pikat e nënshkruara në kontratë. Të gjithë ne si punonjës kemi kontrata të rregullta me firmën sllovene, por kjo e fundit nuk na ka shlyer lekët që na detyrohet. E para ka tejkaluar afatet e përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar mes palëve, e ndërsa më e rënda është se nuk ka bërë asnjë pagesë, edhe për punëtorët më të vjetër. Mendojmë se kjo vjedhje nuk po na bëhet vetëm ne, por edhe shtetit, ndaj dhe ky i fundit duhet të marrë masa, kanë shtuar shoferët, të indinjuar për mosrespektimin e të drejtave të tyre nga firma e huaj. Përfaqësuesit e shoferëve janë takuar me drejtuesit e Komisariatit të Fiert ku kanë marrë premtimin se tashme do të jetë zyra e krimit ekonomik ajo që do të merret me këtë çështje, duke ekzaminuar të gjitha lëvizjet e bëra nga firma sllovene.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›