Gallatat e Edvinit në Lla(katund), shpall kinezërinë e “aleancës strategjike mes bujkut, fermerit dhe shtetit”

Nuk kanë të ndalur deklaratat irreale të Edvinit, të cilat gjejnë strehë e burim vetëm në fjalimet kineze për bujqësinë apo në broshurat e Mao Ce Dunit. Pasi foli për “sovranitetin ushqimor”, një rimarrje e terminologjisë së të jetuarit si në rrethim apo thjesht me forcat tona, sot në Llakatund të Vlorës, Edvini ia futi katundit, siç thotë populli, duke deklaruar se kishte ardhur koha për t’u dhënë fshatarëve titujt e pronësisë (i shkreti, harron se kjo reformë është realizuar para më shumë se 10 vjetësh), por për më tepër se plani i tij i zhvillimit për bujqësinë ishte shumë i thjeshtë e bazohej tek “aleanca strategjike mes bujkut, fermerit dhe shtetit”. Nuk është e qartë nëse fshatarët e kanë kuptuar se me kë ishin në luftë civile apo armiq e se cilët duhet të trajtonin si miq, por ia vlen që frazat edviniste “duhet të krijojmë një aleancë strategjike mes bujkut dhe fermerit nga njëra anë dhe shtetit nga ana tjetër e përmes kësaj aleance ne mund të krijojmë mirëqenie” të analizohen e të vendosen në analet elektorale si shprehjet më irreale në një fushatë të rëndësishme zgjedhore. Sigurisht, banorët e Llakatundit e kanë kuptuar të
parët e në vetë të parë, por afërmendsh, me kasetat që shpërndan nëpër media selia censuruese e PS-së, lajmi do të merret vesh në tërë Shqipërinë e sigurisht korrja elektorale e Edvinit në fshat, do të jetë edhe më katastrofale sesa ato të zgjedhjeve vendore të 2007-s.