Italianët, 30 milionë euro për bizneset shqiptare
Vetëm tre muaj nga dita e lançimit të Programit të Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri, janë nënshkruar katër kontratat e para për kreditimin e butë me një shumë totale 1 milion euro. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, morën pjesë zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Enno Bozdo si dhe Z. Saba DElia, ambasador i Italisë në Shqipëri.
Zv/ministri Bozdo tha ndër të tjera se si rezultat i frymës mjaft të mirë të bashkëpunimit dhe koordinimit, që mundësoi realizimin e objektivave të Programit në një kohë kaq të shkurtër, janë realizuar 12 fushata promovuese dhe sensibilizuese, që përfshinë pothuajse gjithë rajonet e Shqipërisë, në koordinim me Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në Qarqe, agjentët e sistemit bankar, biznesin e vogël e të mesëm, Agjencitë Rajonale për Zhvillim, si dhe kompanitë e konsulencës. Projektet, janë të konsultuara ligjërisht dhe financiarisht nga kompanitë shqiptare të konsulencave dhe të analizuara me profesionalizëm dhe të miratuara nga Bankat Partnere të Programit, duke krijuar kështu një cikël me standarde profesionale dhe bashkëkohore. Të katërta kompanitë, të cilat përfitojnë kreditimin e butë, do të investojnë në linja industriale prodhimi e dy prej këtyre kompanive janë eksportuese. Vendimi i tyre për të investuar në teknologji prodhuese, për të rritur cilësinë dhe eficencën e prodhimit, është sinteza më e mirë e besimit të investitorëve në ekonominë dinamike shqiptare, e besimit se ekonomia shqiptare, ashtu siç edhe përmendet në të gjitha raportet e njohura ndërkombëtare, do të vazhdojë të ketë rritje dhe përparim, ka vijuar Bozdo. Programi për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri menaxhon një linjë kredie të qeverisë shqiptare, të ofruar nga qeveria italiane për 38 vjet dhe me një vlerë prej 30 milion euro, prej të cilave 25 milion euro do të shkojnë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. 2,5 milion euro janë destinuar për ndërtimin e Fondit Shqiptar të Garancisë dhe pritet që Skema Pilot e funksionimit të tij ti paraqitet Komitetit Drejtues të këtij Programi brenda muajit Maj 2009. Ky fond do ti vijë në ndihmë sektorit privat shqiptar për të pasur një akses më të lehte në Linjën e Kredisë specifikisht, por edhe në sistemin e kreditimit në përgjithësi. Pjesë e rëndësishme e këtij Programi të ideuar nga të dy qeveritë është asistenca teknike, seminaret dhe trajnimet e të gjithë grupeve të interesit si, sektorit të SME-ve, sektorit bankar, Albinvestit, Agjencive Rajonale të Zhvillimit, shoqatave të biznesit etj. Ky proces ka përfunduar fazën parë të tij pothuajse në të gjithë rajonet e vendit me objektiv promovimin, trainimin dhe evidentimin e nevojave të këtyre grupeve. Zv/ministri Bozdo tha se ky program shpreh faktin se biznesi i vogël dhe i mesëm është veçanërisht në vëmendje të qeverisë shqiptare dhe krahas reformave të mëdha rregullatore dhe fiskale, të cilat kanë gjallëruar ndjeshëm klimën e biznesit në Shqipëri, programi përfaqëson një instrument tipik te financimit të SME-ve, të mbështetjes për zhvillim te tyre. Ne tashmë kemi gati dy projekte të tjera, të cilat do të lancohen në fillimin e mandatit të dytë qeverisës, atë për ngritjen e inkubatorëve të biznesit si dhe një fond të veçantë financiar në mbështetje të aplikimit te teknologjive të reja dhe novatore.