E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prekazi në vend të Kollarit

Llamkos Kosova të mërkurën e ka gjetur pasardhësin e Besnik Kollarit, i cili dha dorëheqje nga posti i trajnerit. Këtë pozitë bardhekaltrit ia kanë besuar strategut Luan Prekazi. Vushtrriasit thonë se Prekazi e njeh mirë mentalitetin e tyre, andaj besojnë se ai do t’i nxjerrë nga kriza e rezultateve.

Pasi dha dorëheqje Besnik Kollari, Llamkos Kosova shumë shpejt e ka gjetur trajnerin e ri. Këtë detyrë vushtrriasit ia kanë besuar trajnerit të njohur kosovar Luan Prekazit.

Ky i fundit deri të mërkurën ishte punonjës në Federatën e Futbollit të Kosovës, prej së cilës ka dhënë dorëheqje për t’u rikthyer në skuadrën e Vushtrrisë, të cilën me sukses e pati udhëhequr edhe para disa viteve.

“Luan Prekazi do ta udhëheqë Llamkos Kosovën të paktën deri në fund të edicionit 2012/13. Ai e njeh mirë klubin tonë dhe mentalitetin e futbollit dhe tifozëve vushtrrias, pasi edhe më herët ka qenë trajner i skuadrës. Tifozeria dhe njerëzit përreth klubit dëshironin që ai ta merrte drejtimin e ekipit, gjë që Prekazi pranoi ta bëjë dhe kjo na ka gëzuar”, tha kryetari i Llamkos Kosovës, Labinot Demi.

I pari i vushtrriasve është i bindur se skuadra e tij nën udhëheqjen e Prekazit do ta tejkalojë krizën e rezultateve, shkaku i të cilave Besnik Kollari u detyrua të jep dorëheqje.

“Prekazi është një trajner me përvojë, shumë i respektuar e mbi të gjitha që e njeh klubin tonë. Ne jemi të bindur se ai shpejt do ta nxjerrë Llamkos Kosovën nga kriza e rezultateve, e po ashtu do ta shtojë atmosferën në ekip. Ne besojmë se Prekazi në këtë edicion do t’ia del ta komponojë ekipin në mënyrë që prej edicionit të ardhshëm, do të thotë prej edicionit 2013/14, ekipi jonë të ketë mundësi për të luftuar për trofe”, theksoi Demi.

Ai paralajmëroi se në afatin kalimtar të janarit Prekazit do t’i sillen disa përforcime të reja në skuadër. Demi potencoi se Llamkos Kosova prej ditës në ditë do të shkojë duke përparuar.

Prekazi ndeshjen e parë me Llamkos Kosovën do ta zhvillojë në Merdarë kundër ish ekipit Hysit, të cilin e udhëhiqte me sukses, madje duke e fituar edhe Kupën e Kosovës. Llamkos Kosova aktualisht e zë vendin e tetë në tabelë me vetëm 6 pikë të tubuara prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›