E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prekja, shpesh më e rëndësishme se fjalët

Ne fillojmë të marrim sinjale të prekjes edhe para lindjes, siç janë të rrahurat e zemrës së nënës sonë të përforcuara nga lëngu amniotik. Ndaj dhe nuk është çudi që prekja luan një rol kritik në marrëdhënien prind-fëmijë që nga fillimi: “Ky është një kanal thelbësor komunikimi i një fëmije me ata që kujdesen për të”, thotë Profesor Peter Andersen. Një prekje e nënës ndihmon atashimin (lidhjen) ndërmjet asaj dhe fëmijës, ajo mund të jetë një burim sigurie për të. (“Rri i qetë, unë jam këtu”) dhe, në varësi të llojit të prekjes, ajo mund të gjenerojë emocione pozitive apo negative. (Loja e foshnjave me nënën i bën të lumtur, ndërsa një “gjuajtje” e papritur nga mami shpesh sinjalizon një paralajmërim për të mos bashkëvepruar me një objekt të ri). Madje mendohet se prekja e nënës zbut dhimbjen kur foshnjat janë duke bërë një test të gjakut. Drejtori i Institutit të Kërkimeve në një universitet amerikan e ka parë prekjen si një formë masazhimi, si një burim përfitimesh, duke përfshirë një gjumë të qetë, nervozizëm të reduktuar dhe ndikues në bërjen e foshnjave më të shoqërueshme. Lëkura është një burim i pasur informacioni në lidhje me mendimet dhe ndjenjat. Periudha kur prekemi më shumë është kur kemi qenë fëmijë, që është dhe koha kur formohet rehatia përmes kontaktit fizik dhe raporti i afërt me dikë në përgjithësi. Andersen thotë se në fakt në disa kultura dominon afërsia e fituar gjatë përvojës jetësore. Klimat e ngrohta kanë tendencën për të prodhuar kultura që janë më liberale në lidhje me prekjen sesa rajonet e ftohta (psh. ndryshimi ndërmjet grekëve e gjermanëve). Ka një numër hipotezash se pse ndodh kështu, duke përfshirë faktin se një temperaturë e lartë e ambientit rrit disponueshmërinë e lëkurës, efekti që luan dielli në humor dhe modelet migruese, “Etërit tanë kanë qenë të prirur për të migruar në të njëjtën zonë klimatike nga kanë ardhur”. Kjo ka ndikuar në marrëdhënien e tyre me prekjen, rëndësinë që i japin dhe si e konsiderojnë. Studimet më të fundit kanë gjetur se prekjet në dukje të parëndësishme japin efekte të rëndësishme. Njerëzit që shkojnë të blejnë në dyqane ka më shumë gjasa të blejnë, nëse një prekje nga ana e shitëses e shoqëron kërkesën e tyre. Guerrero thotë: “Quajeni kontaktin njerëzor, një kujtesë të shkurtër që ne në thelbin tonë jemi kafshë sociale. Shumë herë njerëz që kanë qenë pjesë të këtyre studimeve as nuk e mbanin mend që ishin prekur. Ata vetëm ndjenin se kishte një lidhje, ata mendonin se atë person e pëlqenin më shumë”.
Prekja forcon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe është një shënues i afërsisë mes tyre. Një prekje e ngrohtë stimulon çlirimin e hormonit të “përqafimit”, oksitocinës, e cila rrit një ndjenjë besimi dhe lidhje shpirtërore. Kjo gjithashtu ndihmon për të shpjeguar tendencën tonë për tu vetëpërkëdhelur, të cilën ne e bëjmë me qindra herë çdo ditë si një mekanizëm qetësues. “Ne bëjmë shumë sjellje vetëprekëse: Luajmë me flokët tona, përqafojmë veten, fërkojmë ballin, duart ose luajmë me qafën. Të gjitha këto shërbejnë si dëshmi që mbështesin idenë se kjo është efektive. Studimet kanë treguar gjithashtu se vetëmasazhi sjell normalizim të ritmit të zemrës dhe ulje të nivelit të kortizolit (hormonit të stresit). Ndaj duhet ta vlerësojmë këtë lloj komunikimi joverbale, i cili është jo vetëm shumë i rëndësishëm, por shpesh herë mund të na thotë shumë më shumë atëherë kur fjalët mungojnë apo përpiqen të na gënjejnë.

(er.nu/summerpages/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›