E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjosa del nga shtrati, përmbyten 23 shtëpi

Autori i Lajmit: RedaksiaNiveli i Vjosës u rrit ndjeshëm në qytetin e Përmetit, duke lajmëruar përmbytje në zonën fushore të Fierit dhe Vlorës.
12 ore pas përmbytjeve në Përmet, niveli i lumit Vjosa u rrit ndjeshëm edhe në Fier dhe në zonën e Urës së Mifolit mbi 23 banesa u zhytën nën ujë. Niveli mbërriti deri në bazamentin e urës së vjetër. Ndërsa banorët e shtëpive pranë urës kanë nxituar që të ngjiten gjatë natës në çatitë e shtëpive apo të largohen në mënyrë që të mos rrëmbehen nga ujërat e lumit. Gjatë natës kanë ndërhyrë edhe specialistët e Emergjencave dhe sipas prefektit të Fierit, është bërë evakuimi i të gjithë banorëve.
Të mësuar me përmbytjet e vazhdueshme disa herë në vit, banorët e kësaj zone tashme kanë mësuar të parashikojnë dhe të minimizojnë dëmet nga ujërat. Megjithatë, banesat e tyre janë ende nën ujë. Sipërfaqja e tokës bujqësore që është vendosur nën ujë është e konsiderueshme. Shtabi i Emergjencës është mbledhur për të diskutuar masat për përballimin e përmbytjeve. Ministria e Brendshme bëri të ditur se 200 hektarë tokë janë nën ujë.
Përmbytja
Uji ka bllokuar dhe aksin rrugor Vlorë-Selenicë. "Niveli i ujit arriti në 7.5 m, nga 5.5 m që është pika kritike duke shënuar nivelin më të lartë në 3-4 dekadat e fundit",- pohoi prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Dhjetëra shtëpi ndodhen të izoluara në fshatrat e Fierit nga uji. Bëhet fjalë për banesa në fshatrat Ferras, Pishporo e Cerven. Sipas Hasajt, mbrëmjen e djeshme është mbledhur shtabi i emergjencës pranë Prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës.
"Dje, efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”,- u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës, në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm, për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve.
Banorët në tarraca
Por, pavarësisht mbledhjeve, banorët e banesave të përmbytura sot qëndrojnë sipër tarracave të shtëpive duke pritur për ndihmë. Mesohet se pleq, burra, gra e fëmijë po presin në kushte të vështira për rënien e nivelit të ujit për tu rikthyer sërish në banesa. Emergjente paraqitet gjendja për një vajzë të sëmurë mes banorëve të banesave të përmbytura. Me ethe dhe temperaturë, simptoma të gripit, vajza mbahet në tarracën e shtëpisë së saj në pritje të një ndihme. Mësohet se familjarët e saj kanë kërkuar një gomone për të dërguar vajzën në spital, por asgjë nuk ishte realizuar deri pranë mesditës. Reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por pritet që të rinisin sërish me të njëjtin intensitet.
Qarkullimi në Vlorë-Selenicë
Dalja nga shtrati e ujërave të lumit Vjosë, ka shkaktuar gjithashtu bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor Vlorë-Selenicë. Në vendin e emërtuar “Bishti i Malit”, 25 km në lindje të Vlorës, ujërat kanë mbuluar plotësisht një segment prej rreth 1 km, duke e bërë atë të pakalueshëm nga mjetet e vogla. Krahas kësaj, ujërat kanë përmbytur edhe rreth 200 hektarë tokë në këtë zonë deri në afërsi të Selenicës, e cila është e mbjellë më kultura të ndryshme bujqësore, kryesisht grurë. Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi, bëri të ditur se “gjendja është e rëndë, qarkullimi është bllokuar, ndërkohë që është dëmtuar edhe një pjesë e trasesë së rrugës”. Në vend kanë mbërritur mjete të Ndërmarrjes së Ujërave, që po bëjnë përpjekje për të normalizuar situatën. Gjithashtu, ujërat e lumit Vjosë kanë mbuluar edhe stacionin e pompave të ujit të pijshëm, duke e nxjerrë atë jashtë funksioni. Për të furnizuar popullsinë me ujë të pijshëm po shfrytëzohen autobotët.

Pushon dëbora, rrugët mbeten të bllokuara

Mungesa e reshjeve të dëborës në 24 orët e fundit ka ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të situatës në akset kryesore rrugore të qarkut të Kukësit në verilindje të vendit. Ndërkohë që situata paraqitet më e rënduar në akset rrugore rurale të kësaj zone.
Komunat Arren dhe Zapod janë të bllokuara si shkak i trashësisë së borës mbi 50 cm. Rrugët janë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë në akset Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë. E njëjta situate edhe në Fierzë-B.Curri-Morinë, Krumë-Qafë Prush dhe Krumë-Kukës, të cilat janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në rrethin e Tropojës, i cili përfshihet në qarkun e Kukësit, janë të bllokuara komuna Lekbibaj dhe pjesërisht rruga B. Curri-Valbonë, ndërsa ka probleme me ndërprerjet e energjisë në Has dhe Shishtavec, si shkak i rëndimit të telave nga dëbora.

Ky lajm është publikuar: 22/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›