E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i fabrikës Dëshmitari: ”Ika për të shpëtuar, gruan e gjeta pas 2 ditësh”

Autori i Lajmit: Ornela ManjaniIsh-punonjësi i fabrikës së armëve në Gërdec, Lufti Gërdeci, dëshmoi dje në gjykatë në procesin që po zhvillohet kundër 29 të pandehurve. Para togave të zeza dëshmitari i akuzës pohoi se në momentin kur ndodhi shpërthimi mesditën e 15 marsit 2008, është larguar nga vendi i ngjarjes për të shpëtuar, ndërsa kishte gruan në fabrikë. “E gjeta bashkëshorten të nesërmen në spital, ishte djegur në 30 për qind të trupit”,- tha dëshmitari. Ish-punonjësi i fabrikës së demontimit të armëve pohoi se gruaja e tij pësoi probleme shëndetësore nga të cilat vuan edhe sot. Lutfi Gërdeci tha se u punësua në fabrikë për bukën e gojës, pasi kontaktoi me drejtorin Dritan Minxolli. Dëshmitari pohoi se ishte punësuar bashkë me gruan, vëllanë, nënën dhe kunatin.
Dëshmia
Vazhdojnë dëshmitë rrëqethëse në seancën gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Ish-punonjës të fabrikës së demontimit të municioneve, Alba Demil, ata që kanë parë vdekjen me sy tregojnë momentet e tmerrit që përjetuan mesditën e 15 marsit 2008. “Në momentin kur shpërtheu zjarri u mundova të largohesha”,- tregon Lufti Gërdeci, i cili atë ditë punonte në fabrikë së bashku me bashkëshorten e tij. “Gruan e gjeta një ditë më pas në spital. Ajo kishte djegie në 30 % të trupit, ndërsa pasojat e asaj tragjedia vazhdon ti vuajë dhe sot”, - rrëfen dëshmitari. Sipas tij, Dritan Minxolli, ish- drejtori i fabrikës, kishte punësuar atë së bashku me bashkëshorten e tij, të vëllanë, të ëmën dhe kunatin. “Nuk ka pasur asnjë moment trajnimi lidhur me punën që bënim”,- tregon në rrëfimin e tij dëshmitari, i cili ka punuar në të dy fazat e demontimit, si në atë të demontimit të fishekëve, ashtu dhe në demontimin e predhave, ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik. Dëshmitari rikonfirmon thëniet e disa dëshmitarëve të mëparshëm në këtë seancë, se në fabrikë nuk kishte asnjë element sigurie, apo dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit. “Në një rast kur ra zjarri në fabrikë e fikëm me kova uji”,- kujton Lutfi Gërdeci.
Seanca
Seanca në Gjykatën e Tiranës filloi 40 minuta me vonesë, në pritje të disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Prej disa ditësh, procesi për çështjen "Gërdeci", më i madhi në historinë e gjyqeve shqiptare, ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen nga Gjykata. Gjyqi për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone. Mes të pandehurve që gjykohen në gjendje të lirë, kryesisht janë ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Akuzat

Të arrestuarit akuzohen për “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e më shumë se një personi” si dhe shpërdorim detyre”. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të thotë se të pandehurit kanë pranuar akuzat në bazë të akteve që ndodhen në dosjen për gjykim në ngarkim të tyre. Do të jetë trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado, i cili do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e të pandehurve apo jo. Në fashikullin për gjykim të grupit hetimor ku janë dhënë provat me të cilat prokuroria do të paraqitet në këtë gjykim për të pretenduar fajësinë e 29 të pandehurve, mes të cilëve ushtarakët më të lartë shqiptarë të periudhës 2005–2009. Pjesa më madhe e provave të sjella nga prokuroria që pothuajse janë bërë publike deri më tani, i përkasin mënyrës së paracaktuar të zhvillimit të tenderit për dhënien me koncesion firmës “Albademil” për demontimin e fishekëve në Gërdec.

Ky lajm është publikuar: 22/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›