E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimet e Messit

Lionel Messi ka premtuar se do ta përsërisë paraqitjen që e shfaqi gjatë sezonit që shkoi me Barcelonën, për ta udhëhequr Kombëtaren e tij, Argjentinën, drejt triumfit në Kampionatin botëror.

Ylli argjentinas konsiderohet si futbollisti më i mirë në botë, pas një sezoni të shkëlqyeshëm me klubin katalunas, ku realizoi 47 gola në të gjitha kompeticionet, por fatkeqësisht asnjëherë nuk bindi me paraqitjet e tij me argjentinasit.

“Kam besim dhe jam i bindur se do t’i përsëris paraqitjet e mia me Barcelonën për vendin tim në Kupën e botës. Ëndërr imja është që ta udhëheq Argjentinën drejt triumfit në Afrikën e Jugut. Shpresoj që të kemi sukses, dhe në aspektin individual, të jem në gjendje të luaj ashtu siç bëj me Barcelonën, për t’u bërë kampion”, tha 22-vjeçari në një intervistë për tabloidin britanik, The Sun.

Edhe pse e siguroi kualifikimin në Botëror me vështirësi, Messi e pranon se zona e Amerikës Jugore nuk është dhe aq e lehtë edhe për një ekip siç ka selektori Diego Armando Maradona.

“Neve na u nevojit që t’i luanim disa lojë jashtë Argjentinës në fillim kur ishte mjaft e vështirë, pasi në atë kohë ekipin e kishte marrë në dorë trajneri Maradona. Por, kualifikimi na bëri neve të fortë dhe të vendosur që ta shfaqim atë se në Botëror nuk do të jemi të njëjtë si në kualifikime”, vazhdoi Messi.

Argjentina bën pjesë në Grupin B të Botërorit 2010 së bashku me Nigerinë, Greqinë dhe Republikën e Koresë. Ndeshjen e parë, bardhekaltrit do ta zhvillojnë më 12 qershor në Johannesburg kundër Nigerisë, në ora 16.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›