Berisha: Më shumë se te çdo gjë besoj te Zoti dhe vota e lirë
Gazeta “TemA” boton sot pjesën e fundit të intervistës së kryeministrit, Sali Berisha, dhënë për gazetarin e “Zërit të Amerikës”, A. Fetahu, në dhjetor të vitit 1998. Intervista do të përdorej nga gazetari për të shkruar një libër mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1996-1997
Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede, akuzoi në një seancë parlamentare disa shërbime të huaja, përfshi dhe atë amerikan, për trazirat në Shqipëri. A është në të njëjtin mendim dhe ish-presidenti shqiptar?
Unë e kuptoj dhe kam respekt për interesat e veçanta dhe pasionet e gazetarëve, për inteligjenciet. Lidhur me pyetjen që më drejtoni, të vërtetën e saktë do mund ta mësoni në rast, nëse ju i drejtoni këtë pyetje homologëve të Gazidedes dhe vetë këtij të fundit ose arrini të njiheni me arkivat e shërbimeve përkatëse, të cilat ju e dini se janë gjithnjë labirintike.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Pentagonin në kohën që ju ishit president kanë qenë shumë të mira. A ishte real reformimi i ushtrisë shqiptare dhe ku i shikoni ju defektet e mosfunksionimit të saj si një ushtri e përgatitur në rastin e krizës?
Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA për një periudhë të gjatë kanë qenë shumë të mira. Në këtë kuadër edhe marrëdhëniet me Pentagonin kanë qenë shumë të mira. Personalisht i kam vlerësuar dhe e vlerësoj me mirënjohje të thellë ndihmën e çmuar dhe bujare që qeveria amerikane, taksapaguesit dhe institucionet amerikane, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA i ka dhënë Shqipërisë, si dhe mendoj se bashkëpunimi i gjerë ushtarak bilateral ka qenë i frytshëm. Do të ishte e gabuar të ngatërroje bashkëpunimin luajal të gjerë dhe të frytshëm të dy ushtrive dhe dy vendeve tona në fushën ushtarake me atë që pësoi ushtria shqiptare gjatë rebelimit. Unë jam i bindur se, Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur tek Sekretari Perri, një mik të madh dhe të sinqertë. Kam bindjen se bashkëpunimi i ngushtë, ndihma teknike dhe materiale e konsiderueshme e Pentagonit për Shqipërinë, ka qenë një ndihmë shumë e dobishme ushtria shqiptare nuk u shkatërrua në vitin 1996. Shqiptarët nga natyra janë më shumë luftëtarë se sa ushtarë. Shqipëria në vitet '90 erdhi si një vend i bunkerizuar, shoqëri e militarizuar, por që në fakt ushtri nuk kishte. Ushtria realisht ishte një institucion i shkatërruar, i shpërndarë si bunkerët në 2400 pika hapjeje në të katër anët e vendit. Ushtria shqiptare kishte 29 divizione, por në çdo divizion kishte më shumë oficerë ose numër afërsisht të njëjtë oficerë me ushtarë. Ajo ishte një ushtri që nga viti 1976 nuk kishte bërë asnjë ndryshim teknologjie. Mbi bazën e pikave të hapjes ajo kishte edhe shpërndarjen e armatimit. Ushtria shqiptare ishte një institucion i kalbur. Ajo nuk u shkatërrua se hyri në rrugën e reformave dhe se u depolitizua. Të gjitha këto janë të pavërteta. Ajo ishte në ndërtim e sipër, por dua t'ju rikujtoj këtu se rindërtimi vetëm i një divizioni dhe vetëm i logjistikës së tij (Shqipëria ishte vendi pothuaj pa kazerma), kërkonte një shpenzim minimal 30-40 milionë dollarë, shumë kjo jo e vogël për Shqipërinë.
Përveç bashkëpunimit të disa grupeve të oficerëve me bindje ekstremiste të majta me bandat dhe komitetet, sulmi nga banditët dhe mercenarët, duke vendosur gra dhe fëmija përpara, kundër depove ushtarake sipas parimit “armët merrja armikut” ishte një faktor që bëri të mundur që ish-komunistët dhe të tjerët që i mbështesnin ata me qëllime të shumëfishta të realizonin skenarin e tyre. Shpërndarja gjeografike e depove, përqendrimi i tyre i lartë në zonat e rebelimit, bashkëpunimi i grupeve të caktuara të oficerëve me shtabet dhe komitetet, pasiguria e qytetarëve e krijuar nga kaosi dhe rebelimi bënin shumë të lartë me jetë njerëzish çmimin e mbrojtjes së depove dhe në disa raste të pamundur për shkak të kombinacioneve të krijuara për grabitjen e tyre.
Për shumë vetë Sali Berisha shikohet si njeriu me më shumë përgjegjësi për krizën e vitit 1997. Çfarë mendon ai vetë?
Edhe njëherë dëshiroj të theksoj se në Shqipëri ka pasur krizë financiare dhe padyshim për këtë krizë, unë kam pasur përgjegjësinë time të pamohueshme, sikundër mbaj përgjegjësi që nuk kam parashikuar organizimin e rebelimit nga komunistët shqiptare. Por, sërish mendoj se nuk duhet ngatërruar, qoftë edhe për arsye semantike, krizën financiare me rebelimin, i cili pati si terren krizën, ndërsa shkaqet e tij ishin... .
Për ish-komunistët shqiptarë që organizuan rebelimin dhe grushtin e shtetit, për ata që organizuan një seri atentatesh dhe aktesh terroriste, që dogjën institucionet publike, që thyen bankat dhe depot ushtarake, që dogjën njerëz të gjallë gjatë rebelimit, që manipuluan zemërimin e ligjshëm të njerëzve që humbën paratë në skemat piramidë, për ata që liruan vrasësit nga burgjet e tyre dhe i sollën ata së bashku me mercenarë të tjerë në qytetet e jugut për t'i djegur ato, për ata të cilët sollën tre-simbolin serb në sheshin e Flamurit dhe paguanin çdo natë shpërblimin e caktuar atyre që ngrinin tre gishtat lart, për komitetet dhe ata që me datë 20 mars u mblodhën në Tepelenë për të shpallur “Federatën e Jugut” dhe për ata që, për qëllime politike, ndërtuan skemat piramidë apo që drejtuan rritjen e interesave në skemat piramidë, unë kam qenë dhe jam njeriu me më përgjegjësi. Dje dhe sot, të gjithë këtyre u duhet të kenë dhe të gjejnë një përgjegjës, pra të cilit të mund t'i fshehin veprën e tyre makabër.
Por sot, në Shqipëri, po bëhet gjithnjë e më i vogël numri i atyre që ju besuan këtyre “shumë vetëve” që ju referoheni ju në pyetjen tuaj. Në Shqipëri, çdo ditë e më shumë, njerëzit po çlirohen nga makthet dhe tmerret që i detyruan ata të besonin të pabesuarën. Përveç këtyre, dëshiroj të theksoj se Sali Berisha ka përgjegjësi të padiskutueshme në krizën financiare të vitit 1997 dhe jo vetëm për atë, por në Shqipëri gjer sot, mjerisht ai është i vetmi person që ka njohur përgjegjësinë për këtë krizë dhe kjo vetmi e përgjegjësisë për krizën, nuk më gëzon aspak. Përgjegjësitë e mia i kam njohur në një seri analizash që janë bërë publike. Por sot, ato kanë mundësi t'i provojnë dhe faktojnë edhe kundërshtarët e mi.
Një republikë parlamentare është republikë parlamentare. ka një ndarje të tillë pushtetesh, në të cilën presidenti nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese “ekonomike”. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka mundësi të angazhohet për probleme të veçanta, por mundësi vendimi të shpejtë, ai nuk ka. Me gjithë këtë, dëshiroj të ripërsëris këtu faktin se gjer në vitin 1996 asnjë forcë politike në Shqipëri e qendrës së djathtë apo e qendrës së majtë, e ekstremit të djathtë apo e ekstremit të majtë, asnjë institucion i varur apo i pavarur, shqiptar apo ndërkombëtar, asnjë NGO, gazetar shqiptar apo i huaj, nuk ka shkruar, nuk ka shprehur asnjë mendim negativ, asnjë paralajmërim për rrezikun apo ekzistencën e skemave piramidë. Unë mendoj se kjo në Shqipëri ka ardhur nga mosnjohja e këtyre skemave dhe jo nga qëllimi për të dëmtuar qytetarët shqiptarë, ndërsa heshtja e institucioneve ndërkombëtare ndofta mund të shpjegohet nga një mosnjohje e realitetit shqiptar.
Ish-komunistët më 9 mars kanë paraqitur si kërkesë të tyre kategorike shpalljen e amnistisë për ushtarakë dhe civilë të implikuar në rebelim. Kjo kërkesë u pranua nga të gjitha forcat politike. Me datë 13 mars, parlamenti miratoi ligjin për amnistinë. Por, pas zgjedhjeve të 29 qershorit, ata krijuan një komision parlamentar për hetimin e ngjarjeve. Ne nuk e kemi njohur këtë komision për një seri arsyesh. Në komision, nga pala socialiste, marrin pjesë parlamentarë që kanë paguar para për akte të rënda terroriste, kanë drejtuar komitete e banda, të tjerë që kanë drejtuar në nivel lokal skemat piramidë dhe që u kanë grabitur dhjetëra milionë bashkëqytetarëve të tyre. Të tillë janë Spartak Braho, i cili përveç se i implikuar direkt me akte terroriste, ka grabitur nga kompanitë rentiere me dhjetëra milionë dhe ka ngritur me këto para një afarizëm të “suksesshëm”. A. Qilimi, ish-menaxher i kompanive rentiere në Delvinë dhe kryetar i komiteteve rebele të rrethit që ka torturuar në mënyrë çnjerëzore qytetarë shqiptarë, etj. Ligji i posaçëm i këtij komisioni i njeh komisionit fuqi gjyqësori. Ne vërtet nuk e kemi njohur komisionin, por kemi sugjeruar si alternativë të tij anulimin e ligjit të amnistisë me qëllim që t'i hapet rruga drejtësisë për hetime të plota. Ky variant është kundërshtuar sepse qindra-mijëra, dëshmi, fakte, prova, dëshmojnë e provojnë vrasjet, djegiet, shkatërrimet e organizuara nga komitetet drejtuese të PS, bandat dhe mercenarët e tyre. Komisioni parlamentar u ngrit se shumë nga banditët, vrasësit, duke filluar nga M. Çaushi (Zani) i Vlorës, që në hetimet e para akuzuan direkt pushtetarët e sotëm si urdhërdhënës dhe organizatorë të akteve terroriste që ata kanë kryer. Me këtë komision, koalicioni qeveritar bllokoi drejtësinë, ndërmori “gjuetinë e shtrigave” me akuzat politike ndaj kundërshtarëve.
Por, meqë jemi te përgjegjësitë, ishte ky komision që në raportin e tij në parlament, pohon se nuk ka fakte që të provojnë lidhjen e qeverisë së Partisë Demokratike me skemat piramidë. Mirëpo, kjo deklaratë vjen pasi ato mashtruan huadhënësit se qeveria e Partisë Demokratike ndërtoi skemat piramidë dhe grabiti paratë e tyre. Përveç kësaj, në raport anashkalohet fakti, i pranuar tani unanimisht, se 97% e drejtuesve, menaxherëve, punonjësve të skemave piramidë ishin nomenklaturë e PS dhe ish-oficerë të Policisë Sekrete të Hoxhës apo oficerë enveristë të ushtrisë. Në raport injorohet fakti, sipas dokumenteve të pakontestueshme, se vetëm “nomenklatura” e skemave piramidë grabiti me dhjetëra në mos më shumë milionë dollarë nga kursimet e shqiptarëve dhe ndërtoi me to qindra dhe qindra vila, motele, hotele, sipërmarrje private. Sot, kjo nomenklaturë, jo vetëm që nuk po penalizohet, por ajo është shndërruar në nomenklaturë drejtuese ndër më kryesoret të qeverisë së financave, ushtrisë, zbulimit të Shqipërisë. Këta mafiozë të “pastruar” nga rebelimi, tani janë bërë ministra, zëvendësministra, gjeneralë, ambasadorë, etj., etj.
Shumë analistë mendojnë se, nëse ju do të kishit reaguar në kohë për ndryshime në qeveri dhe konkretisht për heqjen e kryeministrit, Aleksandër Meksi, kriza mund të zbutej. Cili është mendimi juaj?
“Shumë”, jo gjithnjë do të thotë “shumë”, por është e vërtetë se edhe brenda Partisë Demokratike ka pasur deputetë që kanë kërkuar zëvendësimin e qeverisë dhe unë nuk përjashtoj mundësinë e reagimit me vonesë, si dhe theksoj se çështja e kohës është gjithnjë çështje shumë e rëndësishme. Por, sërish më duhet të insistoj se nuk duhet të ngatërrohet roli i Presidentit në një republikë presidenciale me rolin e tij në një republikë parlamentare. Unë personalisht, nuk mendoj se ky i dyti mund të jetë i shpejtë e aq më pak, i menjëhershëm në ndikimin e tij në qeveri apo administratë, dhe kjo veçanërisht, kur është fjala për probleme ekonomike. Tjetër është ndarja e pushteteve në një republikë presidenciale dhe tjetër është ajo në një republikë parlamentare. Në një republikë presidenciale, presidenti e emëron dhe e shkarkon Kryeministrin, dhe sipas vendeve, siç është rasti në SHBA, ai kryen vetë direkt funksionet e kryeministrit. Ndërsa Dispozitat Kushtetuese të Shqipërisë, nuk i lejojnë presidentit që ai të veprojë apo të reagojë gjithnjë me shpejtësi. Sipas Nenit 28 të këtyre dispozitave, presidenti emëron kryeministrin dhe pranon dorëheqjen e tij, pra ai nuk e shkarkon atë. Çdo ndërhyrje jo kushtetuese nga ana e presidentit ndaj kryeministrit do të ishte një precedent i rrezikshëm për të ardhmen.
Pikërisht, për këto arsye unë nuk kam ndërmarrë ndonjëherë dhe nuk do të ndërmerrja vendime jo kushtetuese për të shkarkuar kryeministrin as dhe për t'i kërkuar atij publikisht dorëheqjen. Unë kam pranuar dorëheqjen e qeverisë kur ajo vendosi për këtë, sikundër në janar kisha kërkuar, në një takim pune, nga kryeministri dhe disa ministra se, në rast se qeveria nuk do të menaxhonte krizën, do të duhej të largohej për t'i dhënë vendit një qeveri që do ta qeveriste atë.
Por përsëri, edhe njëherë po t'i rikthehemi asaj periudhe kur unë kisha deklaruar zgjidhjen e krizës me mjete politike, të jem i sinqertë, kisha menduar zgjedhjet e shpejta dhe vetëm ato si rrugën më të mirë për të zgjidhur me mjete politike krizën.
Cila ka qenë për ju pika më kulminante e krizës, kur ju menduat se nuk e përballuat dot?
Në këtë pyetje ju keni menduar të pamendueshmen për mua. Nuk kam menduar për asnjë moment se nuk e përballoj krizën as dhe rebelimin e ish-komunistëve. Preokupimi im më madhor ka qenë të shmangia konfliktin civil dhe kjo është shmangur. Nuk e di se si ju mund të imagjinoni se unë kam menduar se nuk e përballoja atë.
Gjatë ditëve të kulmit të rebelimit, me të vetmen gjë që unë kam qeshur me vete, është kur lexoja fantazitë e gazetarëve se Berisha do të largohet nga Shqipëria se ai do të largohej nga Tirana, etj. etj. Unë personalisht nuk e kam menduar në asnjë çast se nuk e përballoj dot gjendjen, as në momentin kur terroristët qëlluan kundër rezidencës presidenciale. Kam qëndruar gjithnjë i vendosur dhe në detyra, me bindjen më të thellë se do të përballoja plotësisht çdo situatë.
Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend, për asnjë çast, të largohem nga Shqipëria. Pas sulmit të dështuar dhe të parëndësishëm kundër pallatit presidencial, kam qëndruar në zyrën time 48 orë vetëm e vetëm që të mos ndodhesha për asnjë çast jashtë saj në periudhën më kritike të vendit, të mbroja dinjitetin e institucionit, të përmbushja siç duhet detyrimet e mia ndaj tij.
Politika nuk është vetëm art i fitores, sepse fitore dhe humbje të përjetshme nuk ka, por për politikanin rëndësi vendimtare ka mbrojtja gjer në minutën e fundit të jetës së tij, të parimeve dhe ideve që ai mbron.
Si kulmor, unë konsideroj datën 9 mars, kur duke analizuar gjendjen, vendosa të jepja dorëheqjen si President për të vazhduar politikën dhe rolin tim aktiv jo si President. Por, pasi mora këtë vendim dhe kam përgatitur një mesazh të shkurtër për të shpjeguar arsyet se përse do të largohesha si President, çfarë do të bëja pas kësaj, e anulova këtë të fundit duke e konsideruar si një opsion jo të vështirë dhe deri diku personal dhe partiak, dhe me njëherë nisa të përpunoja idenë e Pajtimit Kombëtar, platformën e pajtimit si rruga më e mirë për të dominuar krizën. Një orë më vonë ua paraqita këtë platformë përfaqësuesve të forcave politike me të cilat kisha fiksuar një takim në orën 14.00. Ata, në këtë takim që transmetohej direkt nga TV, e pritën me elozhe të shumta dhe kënaqësi të madhe platformën e Pajtimit Kombëtar dhe e firmosën atë. Historia do ta gjykojë platformën që paraqita me datë 9 mars, por unë kam pasur si qëllim madhor dhe të vetëm të shmangia një konfrontim, në të cilin fitorja, sipas meje, do të ishte e pavlerë.
Përse vendosët të rizgjidheshit president, kur vendi kishte hyrë në një krizë, e cila lidhej gjithsesi edhe me emrin tuaj?
Periudha në të cilën u rizgjodha president ishte ndër më të vështirat. Asnjë forcë politike në Shqipëri, e opozitës apo koalicionit qeveritar, përveç Aleancës Demokratike, nuk ka kërkuar në atë periudhë që unë të mos rizgjidhem. Unë personalisht, në takimet e mia me drejtuesit socialistë në tryezën e partive ofrova më se dy herë si alternativë mos-rizgjedhjen time, por ishin ata të gjithë, përveç PAD, që refuzuan preras ofertën time. Madje edhe pas formimit të qeverisë së pajtimit Kombëtar, vet Fatos Nano, pasi dekretova faljen e dënimit të tij të nesërmen e daljes nga burgu, kërkoi dorëheqjen time, mirëpo në mënyrë të pashpjegueshme, brenda dy ditëve ndryshoi edhe ai mendim.
Drejtuesit socialistë (ish-komunistë) në fillim kërkuan zgjatje mandati. Për të njëjtën gjë ishte shprehur edhe zonja Lino, ambasadore e SHBA, të paktën sipas burimeve opozitare. Unë e kam kundërshtuar këtë. Në një republikë parlamentare, kjo nuk mund të ndodhë. Ligjet Kushtetuese të Shqipërisë, neni ..., parashikojnë zgjatje mandati vetëm për parlamentin dhe jo për presidentin.
Në një kohë të vështirë dihet se në përgjithësi tërheqja është më e lehta, por jo më e mira. Tërheqja, nën presionin e rebelimit të ish-komunistëve shqiptarë dhe grushtit të dështuar të shtetit, ishte kapitullim. Atyre dhe të tjerëve që i mbështesin ata, nuk mund t'u jepja ndonjëherë atë kënaqësi. Edhe me datë 9 mars, kur unë vendosa të jap dorëheqjen si President, vendimi nuk kishte të bënte aspak me largimin tim nga politika.
Por, unë kisha deklaruar gjithnjë se në rast se Partia Demokratike humbet zgjedhjet, nuk do të qëndroj President, dhe siç dihet, mbajta premtimin tim. Me dorëheqjen time pas zgjedhjeve, ndonëse isha zgjedhur nga një parlament i dalë nga zgjedhje shumë më të pranueshme dhe të rregullta se sa zgjedhjet e dhunshme të 29 qershorit, në të cilat në 30 zona Partia Demokratike dhe koalicioni i saj nuk numëruan dot votat, dëshmova se nuk e kam pasur të vështirë vendimin personal të dorëheqjes.
Si vendosët t'i jepni një zgjidhej politike brenda një jave krizës, duke shkuar te formula e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?
Nuk kam vendosur për zgjidhje politike brenda një jave. Në janar të vitit 1997 jam deklaruar për zgjidhje politike, jam shprehur se “do të bëja të jashtëzakonshmen për zgjidhje politike”. Kam menduar dhe mendoj gjithnjë se në kriza, detyra e parë e çdo politikani është gjetja e mjeteve, rrugëve politike për zgjidhjen e saj. Unë i jam përmbajtur tërësisht këtij principi. Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit të tij, u kisha bërë të qartë se do të isha kundër opsionit ushtarak. Nuk kam pasur ndonjëherë ndërmend zgjidhje tjetër, përveçse zgjidhjes politike. Në rast se u përdor ushtria, ajo u bë vetëm për të bllokuar sulmin e bandave dhe grupeve mercenare të një qyteti apo të një krahine kundër një qyteti apo një krahine tjetër, çka mund të sillte luftën civile. Ushtria nuk ka vrarë apo plagosur asnjë qytetar në rrugët e qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë. Me datë 1 mars, unë thirra në zyrën time, me kërkesën e tyre, Sekretarin e Përgjithshëm të PS, R. Meidani si dhe P. Majko, A. Dade dhe N. Dokle, ju kërkova të shkojmë brenda 45 ditë drejt zgjedhjeve të reja, me kusht që ata të binin dakord të dënonin dhunën dhe të deklaronim së bashku se asnjë qeveri shqiptare nuk do mund të rikthente paratë e humbura në skemat piramidë.
Ata refuzuan të denonconin dhunën sepse ata ishin organizatorë të rebelimit dhe donin ta quanin atë të ligjshëm. Nuk pranuan të deklaronin se asnjë qeveri nuk mund t'i kthejë paratë, sepse në çdo tubim në Vlorë dhe gjetkë, firmosnin peticionet për kthimin e plotë të parave nga qeveria dhe po këtë premtoi Fatos Nano më 9 qershor në Vlorë. Pra, kam qenë i vendosur për zgjidhje politike.
Pse unë pranova një qeveri të të gjitha partive politike parlamentare? Dy kanë qenë arsyet madhore:
Së pari, kam dashur të shmang me mjete politike konfrontimin e hapur të shqiptarëve me bindje politike të ndryshme, të shmang luftën civile për të cilën ish-komunistët siç kanë qenë të gatshëm në vende të tjera, ishin të gatshëm edhe në Shqipëri.
Së dyti, pasi komitetet dhe bandat e tyre shkatërruan Beratin, Skraparin, Gramshin, kishte mendime të bllokonim këto veprime në Urën e Shkumbinit. Unë isha kundër kësaj ideje dhe e kam kundërshtuar atë kategorikisht. Kjo, sepse bllokimi i urës së Shkumbinit do të thotë të realizoje skenarin e bandave, mercenarëve dhe komiteteve duke simuluar ndarjen e Shqipërisë, ndër dhe mbi Shkumbin. Duke futur të gjitha partitë në një qeveri, hija e ndarjes së Shqipërisë “digjej” përfundimisht dhe së bashku me të edhe skenari politik që po ripërsëriste vitin 1913 në Shqipëri. Përveç kësaj, platforma e Pajtimit Kombëtar që u shndërrua në marrëveshjen për qeverinë e Pajtimit Kombëtar dhe amnistinë, mendoj se ishte dominimi i rebelimit komunist me mjete politike. Natyrisht, edhe njëherë theksoj se koha do ta gjykojë këtë akt.
Marrëveshja e 9 marsit, jo kudo dhe jo nga të gjithë është pritur mirë. Të parët që u penduan, ishin disa nga krerët socialistë dhe aleatë të tyre, të cilët qenë tejet entuziastë në nënshkrimin e marrëveshjes dhe që para nënshkrimit kishin bërë së bashku gati valixhet për t'u larguar nga Shqipëria. Këta zotërinj, dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të pendoheshin thellë dhe publikisht. Ata mendonin se Berisha ua kishte “hedhur” dhe se rruga më e mirë do të kishte qenë kompletimi i grushtit të shtetit, likuidimi i tij. Por, unë shpresoj se tani, në pushtet, ndofta mund ta kenë kuptuar se në tentativa të tilla do të ishin ata dhe jo unë, që do të mund të kishin pasur shpërblimin e merituar të aventurës së tyre groteske. Por, marrëveshja e 9 marsit i trishtoi edhe komitetet, bandat që drejtoheshin nga politikanët e lartpërmendur dhe të tjerët që, në Shqipëri apo jashtë saj, qëndronin mbrapa tyre. Kjo marrëveshje indinjoi shumë ata që, nën drejtimin e P. Barkas, me datë 20 mars u mblodhën në Tepelenë, nga disa rrethet e jugut për të shpallur “Federatën e Jugut”.
Marrëveshja e 9 Marsit duket se prishi të gjitha planet dhe projektet e klaneve të ndryshme të politikanëve, komiteteve dhe grupeve të mercenarëve, që firmosën më 28 mars marrëveshjen tjetër me komitetet në Vlorë.
Marrëveshja e 28 marsit ishte tërheqja de jure, por edhe de facto, e ish-komunistëve dhe aleatëve të tyre nga platforma e Pajtimit Kombëtar.
Së treti, në hartimin e platformës së Pajtimit apo të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, jam ndikuar edhe nga një faktor tjetër. Qeveritarët e sotëm dërguan me datë 3 mars, në zyrën time, dy mesazherë, të cilët më njoftuan se drejtues të PS dhe PAD kërkonin takim urgjent me mua dhe në rast se nuk do t'i prisja, ata kishin bërë gati valixhet dhe do të largoheshin nga Shqipëria. Unë prita në darkë vonë Meidanin, Doklen, Cekën dhe Zogajn. Ata ishin tejet të depresionuar. M’u lutën të gjeja një zgjidhje. Unë nuk mund të pranoja që ata të linin Shqipërinë. Vendimi për t'u larguar nga Shqipëria i krerëve të ish-opozitës ka qenë një faktor tjetër madhor i papranueshëm për mua që më shtyu për krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar.
A funksionoi si duhet formula politike e bashkëqeverisjes?
Formula politike nuk funksionoi si duhet, së pari, sepse ajo u përcaktua si një formulë me të cilën pushteti në vend që të ndahej dhe të ushtrohej, ndahej që të bllokohej. Me kërkesën e socialistëve u vendos që në të gjitha vendimet, urdhrat, rregulloret e qeverisë, duhet patjetër të firmosnin si të barabartë, ministri dhe dublanti, Sekretari i Shtetit nga pala kundërshtare, të cilët në shumicën e rasteve nuk binin dakord njëri me tjetrin. Së dyti, të emëruarit në tërësi nuk kishin eksperiencë qeverisjeje dhe situata ishte tejet e vështirë, dhe së fundi, zyrtarët e ardhur nga ish-opozita, përfshirë këtu ish-kryeministrin Fino, nuk njihnin dhe nuk zbatonin ligjet. Që nga 9 marsi e gjer sot ndërmjet partive politike janë nënshkruar 7 marrëveshje të tjera. Por, asnjë prej tyre nuk është respektuar nga ish-komunistët. Mosrespektimi i ligjeve dhe marrëveshjeve është tipari më thelbësor i nomenklaturave komuniste dhe neo-komuniste. Ky tipar, mund t'ju them se në vitin 1997-1998 tek ish-komunistët shqiptarë, është shumë më i spikatur se sa në vitin 1991. Ata, njëlloj siç dogjën institucionet publike, dhunuan rendin dhe ligjet kushtetuese gjatë rebelimit, thyejnë dhe djegin çdo ditë këto ligje dhe institucione, por tani jo më me banda dhe komitete, por nëpërmjet qeverisë, parlamentit, policisë së tyre.
Por, siç jam shprehur më sipër, unë e krijova qeverinë e Pajtimit Kombëtar, sepse isha i vendosur të mos lejoja që rebelimi komunist të shndërrohej në një konflikt të gjerë dhe fiksova zgjedhjet politike si zgjidhje politike të konfliktit, në vend të një lufte civile dhe këto qëllime u përmbushën. Në këto drejtime nuk e konsideroj dështim krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar.
Në jug të vendit, gjatë muajve të trazirës, ju ishit një person i padëshirueshëm. A e përjetonit këtë si një vetëdije politike kundër mënyrës se si kishit drejtuar shtetin apo efekt i rënies së shtetit?
Mënyra se si kisha drejtuar shtetin ishte vlerësuar nga zgjedhësit shqiptarë dy herë gjatë vitit 1996 dhe në një hark kohor prej 8 muajve, së paku katër herë në anketa dhe studime të opinionit të institucioneve të pavarura amerikane dhe evropiane. Në të gjitha pyetjet e këtyre anketave, shqiptarët në asgjë tjetër nuk ishin më shumë dakord njëri me tjetrin, se sa në vlerësimin e tyre pozitiv për kreun e shtetit shqiptar.
Gjatë rebelimit komunist unë isha një person i padëshirueshëm për bandat, komitetet, grupet terroriste dhe mercenare, por jo për shumicën e heshtur të popullsisë, e cila edhe në rast se e terrorizuar nuk votoi dot për atë që donte, tani është tërësisht e çliruar nga terrori. Nuk duhet harruar se shqiptarët sapo kanë dalë nga mbretëria më e egër e frikës në Evropën e pasluftës dhe sipas Fromit, por e konfirmuar kjo edhe nga eksperimente të pakontestueshme të fiziologëve të mëdhenj të këtij shekulli si Laboritte, frika është esenca që mund të shndërrohet në të gjitha ndjenjat e tjera. Këtë fenomen, popujt dhe individët që kanë përjetuar eksperimente tragjike, siç ishte komunizmi shqiptar, e njohin më mirë se kushdo tjetër. Jugu dominohej nga komitetet, terroristë, mercenarë, banditë ordinerë që drejtoheshin nga PS, nga ata të cilët dogjën të gjallë oficerë të policisë, masakruan kufoma të qytetarëve të pafajshëm, vranë, dogjën dhe shkatërruan. Në fundin e shkurtit të vitit 1997, kam pasur në Gjirokastër një ndër takimet më të mira. Në rast se do të ishte ndryshe, si mund të shpjegohet që vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të 29 qershorit, Partia Demokratike që unë drejtoj, është forca politike kryesore dhe më aktive, si në veriun ashtu edhe në jugun e Shqipërisë.
Nuk mund të mohohet se komitetet, bandat, grupet e mercenarëve gjetën njëfarë mbështetje të pjesshme dhe të përkohshme nga njerëzit e zemëruar me të drejtë për humbjen e parave në skemat piramidale, të cilët u manipuluan në jo pak raste. Por, kam qenë gjithnjë i bindur se stuhia do të kalonte. U desh të vijë nata, siç thotë një filozof grek, që njerëzit të vlerësonin shkëlqimin e ditës. Jugu sot përjeton dhimbje të madhe të krizës, por ai është më i qartë se kushdo tjetër për autorët e dramës. Në asnjë udhëtim, në asnjë vizitë nuk jam pritur me entuziazmin që jam pritur më 18 Prill të vitit 1998 në Gjirokastër dhe kjo, vetëm nëntë muaj pasi kishim humbur zgjedhjet.
Shumë nga bashkëpunëtorët e tu më të ngushtë tashmë janë larguar dhe ju po pranoni se kanë qenë të përzier në korrupsion. A nuk keni pasur dijeni në kohë që ishit në krye të shtetit për këtë?
Kurrë ndonjëherë nuk jam pajtuar dhe nuk do të pajtohem me korrupsionin e asnjë zyrtari, i cilitdo niveli qoftë ai. Është e vërtetë se jo pak bashkëpunëtorë të mi janë larguar nga Partia Demokratike, por unë nuk mund të pranoj dhe nuk kam pohuar se ata që janë larguar nga Partia Demokratike kanë qenë të korruptuar. Kjo mund të jetë vetëm pjesërisht e vërtetë. Nga ata që janë larguar nga Partia Demokratike, në tërësi, janë politikanë që kanë menduar ndryshe nga unë dhe programi i partisë dhe kanë krijuar partitë e tyre. Kjo, më duket normale në një shoqëri demokratike. Disa prej tyre janë sot në aleancë të plotë me ish-komunistët, këshilltarë apo ministra të tyre, kurse të tjerë, marsin e kaluar, paraqitën një promemorie me disa çështje, njëra prej të cilave theksonte se nuk mund të duronin diktatin tim dhe se unë, sipas tyre, qenkam antiamerikan. Të trembëdhjetë këta ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, përveç njërit, në një hark kohor 15 ditor, kishin votuar fshehtas për kandidaturën time për President (kishin votuar në Këshillin Kombëtar dhe më pas në Parlament). Këta nuk më kanë impresionuar.
Por, mund të merret me mend lehtë se çfarë pro-amerikanësh, apo se sa proamerikan ishin ata që vetëm 15 ditë më parë kishin votuar fshehtas dy herë me radhë pro një Presidenti që, sipas promemories së tyre, ishte antiamerikan. Një fjalë e urtë e jona thotë se: “njerëz si këta, me i pas miq të prishin punë”. Po kështu, këtyre zotërinjve dhe zonjave, çuditërisht, nuk u kishte mjaftuar “diktati” im 5-6 vjeçar për t'i bindur që ata të mos votonin pro meje 15 ditë para promemories, por që pas një shpëlarje të shpejtë të trurit brenda dy javëve, vendosën divorcin me Partinë Demokratike për shkak të diktatit disa vjeçar. Këta ish-bashkëpunëtor të mi, me këtë qëndrim dëshmuan se, ose kanë qëndruar rreth meje si njerëz karrieristë pa ideale, ose në variantin më të mirë, ata edhe pas disa vite të votës së lirë në Shqipëri mbeten të paçliruar nga mekanizmi i automatit 50-vjeçar të votës pro, nga i cili dëshmuan se ishin çliruar rreth 75% e shqiptarëve më 22 mars të vitit 1992, dhe në këtë rast, do t'i lutesha Zotit të çliroheshin sa më shpejt prej tij. Sidoqoftë, dëshiroj t'i rikthehem edhe njëherë asaj shprehjes sonë të urtë që thotë se “njerëz si këta, t'i kesh miq, të prishin punë”. Mirëpo, unë ata i pata miq jo për 5-6 javë, por për 5-6 vjet.
Por është e vërtetë se ka edhe nga ata që janë larguar nga Partia Demokratike dhe përfliten për korrupsion.
Unë kam pohuar një të vërtetë, se korrupsion ka pasur. Shqipëria u hap ndaj tregut dhe botës, në kushtet e mjerimit thuajse ekstrem, ku rroga mesatare ishte 4-5 dollarë në muaj dhe ajo e ministrit rreth dymbëdhjetë dollarë. Përveç këtyre faktorëve dëshiroj të theksoj se mekanizmat, ligjet dhe institucionet e vendit më të izoluar të botës për ta luftuar korrupsionin, kanë qenë padyshim deficitare, kurse, vullneti im politik për ta luftuar korrupsionin, ka qenë i palëkundur.
Është absurde të mendohet se unë do të toleroja korrupsionin e ndonjë zyrtari, në rast se do të kisha dijeni për korrupsionin e tij. Në një republikë parlamentare mundësitë e një presidenti janë të kufizuara. Kam luftuar korrupsionin pa asnjë kompromis kur kam pasur fakte. Në asnjë rast nuk jam pajtuar me shfaqje të tij konkrete. Në të gjitha rastet që unë kam dyshuar ose që kam pasur sinjale, zyrtare ose jozyrtare, nga institucione shqiptare apo jo shqiptare, kam kërkuar menjëherë angazhimin e institucioneve të Kontrollit. Mbi bazën e akteve të kontrollit, në Shqipëri, gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, janë shkarkuar nga detyra apo janë dhënë për ndjekje penale me qindra zyrtarë të të gjitha rangjeve, nga punonjës të thjeshtë gjer tek zyrtarë të të gjitha niveleve, drejtorë të Përgjithshëm të Doganave, ministra, guvernatorë, etj.
Ndërsa sot, gjatë rreth një viti të qeverisjes së atyre që për pesë vjet harxhuan tonelata letër dhe bojë me akuza kundër korrupsionit qeveritar të Partisë Demokratike, nuk është shkarkuar, transferuar apo penalizuar asnjë zyrtar, asnjë nëpunës për korrupsionin galopant që po gllabëron vendin, se në shtypin e majtë janë me qindra denoncime për kontrabandë masive qeveritare, për angazhimin direkt të policisë në shoqërimin e kamionëve të kontrabandës, për shkarkimin e anijeve të kontrabandës (si në Divjakë). Divizioni i luftës kundër kontrabandës ka dorëzuar, sipas njoftimit publik, rreth 70 dosje kontrabande, por nuk ekziston asnjë ndëshkim, sepse të gjitha këto klane bashkëpunojnë ngushtë me klanet qeveritare.
Burime të Ministrisë së Brendshme shqiptare, të botuara në gazeta pro-qeveritare, njoftojnë për një faturë rreth 300 milionë dollarë kontrabandë dhe trafiqesh nga deti, toka dhe ajri, në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, por unë dëshiroj t'u referohem fakteve. Gjatë nëntë muajve janë zhdoganuar gjithsej vetëm 15 ton cigare, 9 ton kafe, 10 herë më pak benzol se në të kaluarën dhe asnjë litër pije alkoolike. Sot, qytetarët shqiptarë për një pasaportë, sipas deklarimit të drejtuesve socialistë, paguajnë 10 herë më shumë se çmimi i saj.
Ndërsa, cilat kanë qenë shifrat e zhdoganimit të mallrave të “forta” gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, ato të gjitha i ka Thesari Amerikan, me të cilin kemi bashkëpunuar haptas. Kohë më parë divizioni i 22 i luftës kundër kontrabandës i Komisionit Evropian i ka dorëzuar qeverisë shqiptare 70 dosje të kontrabandës, ndër të cilat edhe me shuma dyshifrore në milionë dollarë grabitje. Ndonëse ky divizion ka bërë publike dorëzimin e këtyre dosjeve, gjer sot, nga Prokuroria shqiptare nuk është ndjekur dhe nuk është penalizuar asnjë nëpunës apo kontrabandist i implikuar në këtë veprimtari. E kundërta ka ndodhur. Dosjet janë shfrytëzuar nga qeveritarët më kryesorë të Shqipërisë për të mbrojtur kapot e klaneve të kontrabandës dhe për të “legjitimuar” kalimin e të gjitha ngarkesave nga pikat kufitare, mbi linjën e një marrëveshjeje që përcakton ndarjen e fitimit me zyrtarët qeveritarë. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike nuk mohoj se ka pasur kontrabandë, por krahas saj edhe vullnet të palëkundur dhe luftë të suksesshme kundër saj. Pushtetarët e sotëm jo vetëm janë në garë pasurimi të paligjshëm njëri me tjetrin, por fatkeqësisht, gjer sot nuk kanë denoncuar asnjë akt korrupsioni të zyrtarëve dhe qeveritarëve demokratë që qeverisën pesë vjet vendin. Ata, në vend të denoncimit publik të tyre, kanë zgjedhur angazhimin e tyre në luftë kundër meje. Mirëpo, armiq si këta nuk të prishin punë.
Për të përfunduar ritheksoj se, në rast se unë kam pohuar se ka pasur korrupsion, mua nuk më lejohet të paragjykoj njeri. Kundërshtarëve të mi në pushtet u kam kërkuar dhe u kërkoj të paraqesin fakte për çdo zyrtarë të Partisë Demokratike që mund të jetë i përfshirë në korrupsion dhe të mos i përdorin ata për të luftuar Berishën, sepse në këtë mënyrë vetëm e ndihmojnë atë.
Figura juaj është vizatuar në mënyra shumë kontradiktore, herë si demokrat i parë dhe herë si diktator i fundit. Tashmë ju jeni sërish në politikë. Si e parashikoni të ardhmen tuaj?
Po, është e vërtetë. Ata, të cilët në Shqipëri dhe gjetkë e konsideronin komunizmin diktaturë, më kanë vlerësuar demokrat. Unë, gjatë gjithë periudhës që kam drejtuar shtetin shqiptar, kam respektuar ligjet, normat dhe rregullat e shtetit dhe vendit tim. Do të doja të më provonin kundërshtarët e mi, qoftë edhe një rast, të mos respektimit të ligjeve, të cilat u hartuan sipas standardeve evropiane. Kurse ata, që sapo ri-erdhën në pushtet, shpallën të pafajshëm 38 ish-anëtarë të Byrosë Politike, ish-presidentin e fundit komunist dhe drejtues kryesorë të Sigurimit të Shtetit, që në kundërshtim me ligjet e diktaturës komuniste kishin pushkatuar, internuar, torturuar, persekutuar dhjetëra mijëra shqiptarë dhe që e konsideronin komunizmin si formën më të pastër të demokracisë më kanë konsideruar diktator. Por, do të ishte e gabuar që të mos pohoja se së bashku me ta, të tillë më kanë konsideruar edhe disa komunistë grekë që në vjeshtën e vitit 1994 iniciuan me procedurë urgjente një rezolutë të PE në Bruksel, për vrasjen gjoja nga policë të “diktaturës” së Berishës, të një plake minoritare. Mirëpo, të bijtë e saj, të ofenduar nga një mashtrim i tillë, iu drejtuan me një letër PE, ku i kërkonin të mos përflisnin nënën e tyre të nderuar, e cila sipas raportit mjekësor që ata botuan, kishte vdekur nga infarkti akut i miokardit. Ata që në Shqipëri kishin konsideruar komunizmin, diktaturën komuniste si fenomen më të lartë të demokracisë dhe Berishën si diktator, gjetën edhe disa miq në SHBA, por që kësaj here nuk quheshin Shulman (ky i fundit M-L, qe nga SHBA që deklaronte në mitingjet e Hoxhës se SHBA duhet të marrë shembullin e Shqipërisë), pas kushërinjve të tij që tani drejtojnë komitete për mbrojtjen e gazetarëve apo të tjerë që i instruktuan ish-komunistët në selinë e tyre, të çirren “Berisha - Pinoçet”, siç bëri Bianka Xhenger apo ndonjë tjetër si ajo. Ndërsa unë kam bindjen se sërish demokracia do të triumfojë në Shqipëri. Ajo ndofta paraqitet më e vështira në kushtet aktuale, por, besoj se shqiptarët janë të bindur se ajo është më e mira.
Më duhet të saktësoj pakëz pyetjen tuaj. Unë nuk jam sërish në politikë, sepse unë nuk kam ndërprerë asnjë ditë veprimtarinë politike. “Ata, që munden duke luftuar, ngrihen përsëri” thotë Churchill. Kam dhënë dorëheqjen si President, sepse kam qenë i vendosur gjithnjë të mos pranoj koabitacionin, jo se ai nuk duhet pranuar, por sepse në kushtet e Shqipërisë, stadin e demokracisë shqiptare, nuk e kam gjykuar të dobishëm për vendin tim. Pas dorëheqjes si President, jam ngarkuar nga Këshilli Kombëtar e më pas jam zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar të drejtoj Partinë Demokratike.
Të jesh në pushtet vërtet është një privilegj, të jesh në opozitë është nder, ndërsa të qëndrosh si opozitar në kushtet e një terrori të vërtetë që ish-komunistët ushtrojnë sot, është një nder i veçantë.
Unë, më shumë se çdo gjë, besoj Zotin dhe votën e lirë. Të ardhmen time politike do ta përcaktojë Zoti dhe vota e lirë e shqiptarëve.
Fund