Gallata/Nis rishfaqja e binomit Ramiz Alia-Namik Dokle, formularët socialistë i kërkojnë Shkëlqim Meta e Nikollë Hoti

TIRANE – Kandidatura e kandidatit të përjetshëm për kryetar të PS-së, Shkëlqim Meta, si dhe kandidatura e anëtarit më të ri të kësaj partie, Nikoll Hoti, janë emrat që i shtohen listës së fletës së votimit për kryetar të PS-ës, sipas parimit “një anëtar një votë”. Më tepër se thjesht dy emra në fletën e votimit, kandidaturat më të fundit, janë tregues i degjenerimit të këtij procesi, me shënimin e emrit nga persona anonimë, që këtë proces zgjedhje e kanë marrë me tallje, për aq kohë sa edhe kryetari në ikje Edi Rama, shpërfill dhe injoron statutin e partisë, i cili me gjithë se nuk ia lejon rikandidimin, kokëfortësish shënohet edhe ai në listën për garën e kryetarit të PS-së. Është i njëjti mekanizëm i shpikur që nga Ramiz Alia në 1991, të cilit në domosdoshmërinë për të shpikur kandidaturën-kukull, caktoi Namik Doklen të plotësonte boshllëkun ligjor, paçka se ai vetë, në fjalimin para votimit, bëri thirrje për të votuar diktatorin e fundit komunist.
Sot rolet janë të njëllojta, veçse Edvini ka caktuar Namikun të përmbushë libretin e lojës së buratinëve, dhe ky i fundit – si një njeri që i di mirë këto punë – deri më tani ka zbuluar Nikollë Hotin dhe ka rikonfirmuar Shkëlqim Metën (i gjithmonëgatshmi), si namikdoklet e “politikës së re”.
Shkëlqim Meta është kandidati më i ri për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Pasi ka humbur në vitin 1999 përballe Fatos Nanos dhe në vitin 2007 përballë Edi Ramës, Shkëlqim Meta deklaron se në Kongresin e 29 gushtit do të depozitojë edhe kandidaturën për kreun e partisë më të madhe të opozitës. Duke e cilësuar procesin zgjedhor të vitit 2007 si një proces të manipuluar, Shkëlqim Meta deklaron se ka dyshime se edhe ky proces do të manipulohet, por megjithatë ka besim në suksesin e tij.
Pushteti i kryetarit të PS ka ngjallur edhe ambicien e socialistëve të thjeshte. Nikoll Hoti i cili është bërë anëtar i PS në 18 janar të këtij viti kërkon gjithashtu të kandidojë për postin e kryetarit të partisë.
Deri më tani në gare për postin e kreut të PS janë shpallur Edi Rama, Arben Malaj, si dhe dy kandidatet e tjerë Shkëlqim Meta dhe Nikoll Hoti.