E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimi i mbrojtjes raketore euroatlantike

Autori i Lajmit: Nga Anders Fogh Rasmussen

Bruksel –Këtë javë në Pragë presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe homologu i tij amerikan, Barack Obama, do të nënshkruajnë traktatin e ri për reduktimin e armëve bërthamore (START). Kjo marrëveshje është një arritje historike, dhe një inspirim për progres të mëtejshëm në kontrollin botëror të armëve. Por në të njëjtën kohë, këtu e tutje, po ashtu duhet të përgatitemi të mbrohemi kundër një trendi tjetër, më pak inkurajues.
Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe qëllimet e dërgimit të tyre janë kërcënime edhe për aleatët e NATO-s, edhe për Rusinë. Nëse bëhet një shikim i shpejtë, shihni se më shumë se tridhjetë vende kanë ose po zhvillojnë kapacitete të raketave bërthamore. Në shumë raste këto raketa do të mund ta rrezikojnë popullsinë dhe territorin e Evropës.
Në këtë rast bëhet fjalë për Iranin. Ka nënshkruar Traktatin kundër përhapjes së armëve bërthamore, dhe po zhvillon një program bërthamor që pretendon se ka vetëm qëllime paqësore. Por Irani shkoi larg asaj që i duhet një programi të pastër civil. Ka ndaluar kontrollet në impiante bërthamore që bën Agjencia Botërore e Energjisë Bërthamore (IAEA) dhe është munduar të maskojë shumë të dhëna që ka ofruar SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. Madje, kohëve të fundit Irani ka filluar pasurimi e uraniumit në shkallë më të madhe sesa i duhet një programi bërthamor civil dhe ka sfiduar shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Irani po ashtu ka një program të zgjeruar të zhvillimit të raketave. Zyrtarë iranianë deklarojnë se rrezet e raketave të tyre të modifikuara “Shabab-3” arrijnë caqe deri në dy mijë kilometra, duke vënë në rrezik shtete aleate, si Turqinë, Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, që janë brenda kësaj rreze veprimi.
Në shkurt të vitit kaluar Irani prezantoi lansuesin hapësinor “SAFIR-2”. Kjo është një fazë themelore në zhvillimin e raketave të mesme dhe ndërkontinentale. Nëse Irani e çon edhe më përpara këtë program, atëherë brenda rrezes së veprimit të raketave iraniane do të jetë mbarë Evropa, sikur se edhe Rusia.
Shkelësit e marrëveshjeve kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë duhet ta dinë se aleatët e NATO-s janë të palëkundshëm në përkushtimin e tyre të mbrojtjes kolektive, përfshirë përmbajtjen bërthamore. Të përballur me përhapjen e teknologjisë së raketave dhe me regjime e liderë të paparashikueshëm, ne duhet të sigurojmë popullsitë tona se do ti mbrojnë nga shkelësit e marrëveshjeve të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Ne nuk po fillojmë nga çarja. Aleatët e NATO-s kanë shikuar variacione të ndryshme të mbrojtjes raketore për një kohë të gjatë. Vetë NATO-ja është duke zhvilluar programe mbrojtëse të trupave tona. Por me qasjen e re amerikane për mbrojtjen raketore, ka shumë më shumë opsione të mira për një sistem efektiv të zgjeruar të NATO-s që do të çonte përpara forcimin e mbrojtjes territoriale të popullsive dhe kombeve tona.
Një mbrojtje e vërtetë e përbashkët euroatlantike do të demonstronte vullnetin e përbashkët të NATO-s, jo vetëm si mbrojtje kundër kërcënimeve të së sotmes dhe të nesërmes, por po ashtu do të dërgohej një sinjal i qartë se askush nuk mund ta shkelë marrëveshjen e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore. Po ashtu do të ishte një demonstrim i evropianëve para amerikanëve se janë të gatshëm të investojnë në vetëmbrojtjen e tyre, dhe që të luajmë një rol aktiv në një proces që, deri tani, është zhvilluar në pjesën më të madhe të kohës mbi kokat tona, vetëm nga Rusia dhe SHBA-ja.
Por ka edhe një tjetër arsye për zhvillimin e mbrojtjes raketore: për krijim të një dinamike të re në sigurinë evropiane dhe euroatlantike. Shumë është folur për arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Rusia në veçanti është fokusuar në traktate, konferenca dhe aranzhime politike.
Qartësisht, këto gjëra mund të jenë të dobishme dhe të rëndësishme. Duhet të flasim. Duhet të shikojmë për qasje të përbashkëta politike, për shumë prej të cilave deri tani jemi pajtuar, dhe të cilat mund të forcohen edhe më tej. Por për mendimin tim, një arkitekturë e përbashkët sigurie duhet të shkojë përtej projekteve. Duhet të ndërtohet. Dhe mbrojtja raketore është një rrugë konkrete e ndërtimit.
Në këtë aspekt lajmi se Rusia dhe SHBA-ja janë pajtuar për një marrëveshje që do ta çojë përpara START-in, me siguri se do ti bëjë të dyja vendet të reduktojnë arsenalin bërthamor. Kjo marrëveshje e bën më të sigurt botën, dhe do ti japë një shtytje bashkëpunimit me Rusinë në fusha të tjera, veçanërisht në marrëdhëniet NATO-Rusi.
Qëkur kam marrë drejtimin e zyrës verën e kaluar, kam investuar kohë dhe përpjekje në rivitalizimin e marrëdhënieve Rusi-NATO, me një progres të arritur në shumë fusha, përfshirë një rivlerësim të përbashkët të kërcënimeve dhe sfidave tona. Por është mbrojtja raketore një tjerr mundësi për të na bashkuar.
Na duhet një sistem i mbrojtjes raketore jo vetëm që përfshin shtetet anëtare të NATO-s, por edhe Rusinë. Kjo formë e mbrojtjes do të ishte një kulm i përbashkët më i sigurt – i ndërtuar, përkrahur dhe që operon bashkërisht – që do të na mbronte neve nga Vancouveri deri në Vladivstok – njerëzit prej të gjithë kësaj vije ajrore do ta dinin se janë pjesë e një bashkësie. Një lëvizje e tillë do të tregonte një simbol të fuqishëm politik se Rusia vërtet është pjesë e familjes euroatlantike, duke pasur hise në çmime dhe përfitimet e saj.
Natyrisht se ka sfida politike. Duhet ta bëjmë sistemin tonë të ndëroperueshëm, të ndanim vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës dhe të ndërlidhnim teknologjitë tona të ndjeshme. Por një lëvizje e tillë është hap konkret për ndërtimin e besimit dhe konfidiencës së përbashkët.
Për këto arsye ka ardhur koha që të shkojmë përpara me mbrojtjen raketore. Na duhet një vendim nga samiti i ardhshëm i NATO-s në muajin nëntor, sepse mbrojtje raketore është mision i Aleancës, dhe se do të shfrytëzojmë çdo mundësi për bashkëpunim me Rusinë.
Por Rusia po ashtu duhet të vendosë të shikojë mbrojtjen raketore si një mundësi, sesa si kërcënim. Nëse kjo ndodh, mund të shkojmë përpara me krijimin e një sistemi mbrojtës raketor që jo vetëm mbron bashkërinë euroatlantike, por po ashtu na bashkon.
Fundi i luftës së ftohtë na ka dhënë neve një mundësi të jashtëzakonshme të arrijmë qëllimin tonë për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe paqësore. Nuk kemi arritur ende atje, por shkojmë drejt saj. Mbrojtja raketore mund të jetë pjesë e këtij trendi pozitiv. (Autori është sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”).
Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›