E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë shkroi Kadare për librin e Schmitt

Autori i Lajmit: Redaksia

Teza kryesore e z. Schmitt që shkaktoi acarim, ishte motivi i kryengritjes 25-vjeçare të liderit shqiptar. Sipas mendimit të historianit zviceran, motivi i aksionit nuk ishte ideja e lirisë, por thjesht një gjakmarrje vetjake e Skënderbeut.
Në një nga ndërhyrjet e rralla të mia, e kam cilësuar këtë si fyerje jo vetëm për personazhin, por edhe për popullin shqiptar, si popull për të cilin ide të tilla të larta si liria, sipas Schmitt-it, janë të panjohura.
I përmbahem këtij mendimi, madje dua të shtoj se në këtë këmbëngulje të historianit gjej një fije të tërthortë racizmi. Sa për mohimin e karakterit europian të aksionit të Skënderbeut, jo vetëm është një trillim i pastër, por desha të shtoj se jam kritikuar shpesh për të kundërtën, për theksim të përmasës europiane të heroit.
Teza e Schmittit dhe e ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja Shqiptare - pjellë e Iluminizmit europian - nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin.
Sa për tezën e përkatësisë etnike të Skënderbeut, me atë është abuzuar vërtet, por kanë qenë pikërisht rrethet nacionaliste joshqiptare që e kanë bërë një gjë të tillë, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës. Ajo përdoret ende sot, siç e tregon deklarimi i Heinz-Christian Strache, kryetar i FPÖ (Freiheiliche Partei Osterreischs), më 23 shkurt 2008: “Kosova është një rajon i stërlashtë serb. Veç kësaj, kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është në të vërtetë një serb, me nënë serbe dhe baba serb". ( ... ein Serbe mit einer serbischen Mutter und einem serbischem Vater). Një përdorim i pastër politik, veç jo në favor të shqiptarëve, por kundër tyre.

Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›