E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet kopertina e revistës "Match" për dasmën e mbretit Zog

Autori i Lajmit: Revista “Match”

Uaaaa!!! – ia bënë kolegët e mi kur u tregova kopertinën e revistës “Match” me fotografinë e Mbretëreshës Geraldinë. Ajo aty është me të vërtetë e bukur. Reagimi i tyre nuk ishte shkaktuar vetëm nga bukuria e Mbretëreshës, por dhe nga befasia që në imazhin e saj nuk kishte asgjë prej provinciale, siç ndodh rëndom me personazhe të tilla që vijnë nga vende të vogla e të prapambetura si Shqipëria, apo diçka orientale, siç mund të jetë përfytyrimi i shumicës së atyre që nuk e njohin mirë vendin e Shqipeve. Pas një reportazhi prej dy faqesh të titulluar “Shqipëria nën çizmen italiane”, revista vazhdon me një album special prej nëntë faqesh kushtuar pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste: “Shqipëria. Ky vend mysliman e i krishterë sulmohet një të premte të shenjtë nga ai që pretendon se mban shpatën e Islamit” (Musolini, një vit më parë, më 1938, kishte vënë në mënyrë solemne në flamur “shpatën e Islamit”).

Shqipëria nën çizmen italiane
Duçja nuk qetësohet gjatë gjithë udhëtimit për në Kalabri. Asgjë nuk shkon mbarë. Altoparlantët janë rregulluar keq, manifestuesit jo dhe aq spontanë sa duhet, dhe jo aq të ngrohtë sa duhet. Është i nevrikosur dhe shtyn njerëzit që e rrethojnë.- Kush është ai idiot që ka bërë këtë llaç, - bërtet në momentin që vendos gurin e parë, është tmerrësisht i hollë dhe derdh një lumë të sharash mbi Alfierin të zbehur e të bërë dyllë…Dhe kjo gjendje vazhdon që kur Geringu mëshon me të gjithë peshën e Gross Deutschland-it mbi skeletin e gadishullit. Ai është me të vërtetë i mërzitshëm. Gjermanët i konsiderojnë urdhrat e tyre gjermanë si një të mirë për popujt që pranojnë të përfitojnë nga drejtimi shkencor dhe i harmonishëm berlinas. Kjo mirësi po fillon që ti ngjajë si shumë kalimit nën çizmen prusiane. Po Italia, a nuk do të kthehet dhe ajo më vonë pjesë e hapësirës vitale gjermane? Duçes i prishet humori dhe më keq. I duhet me çdo kusht një shpërblim spektakolar. I telefonon Çianos.

“Dhëndri” është i kënaqur nga vetja
- Shqipëria është një gjah që nuk do tu shpëtojë shqiponjave romake. Hija e tyre sillet prej vitesh mbi atë vend, - shprehet me zë të lartë Çiano duke parakaluar përpara portreteve të tij të panumërta dhe besnikut të tij Starace, me monoklin e vendosur me kujdes në syrin e djathtë. Ska shumë që anglezët janë njohur me traktatin tim sekret me Stojadinoviçin. Me ta përfunduar atë do të përmbush kështu një vepër që do të shënohet në historinë e Italisë fashiste. Duçja është gati të pranojë argumentet e mia. Dhe Geringu më në fund, po fillon që të më marri në konsideratë, - shton ai i shpenguar.

Berlini e ka të qartë se çfarë përfaqësoj
Larg nga Duçja dhe Geringu, ai fillon që të gjejë sigurinë në vetvete përpara dështimeve të tij berlineze dhe polake. Pastaj ndalon papritur dhe të dy bashkëpunëtorët e tij ngrihen menjëherë për të përshëndetur mbërritjen e Edda Çiano-Mussolinit, që dridhet akoma nga emocionet. - Ka një gjysmë ore që takova atasheun ushtarak gjerman…
Starace rregullon monoklin e tij. - Ai më njoftoi se me 12 mars në orën 9, Zogu kishte pritur në Tiranë një delegacion të formuar nga njëmbëdhjetë bajraktarë. Ata i kërkonin burrit të Geraldinës që të prishte traktatin me ne dhe të bëheshin “të pavarur”. Çiano i dashur, po afrohet momenti që të marrësh fluturimin…
- Shumë mirë, - thotë Starace. - Vetëm kujdes. Ju e njihni Duçen më mirë se unë. Pa akordin e prerë të Geringut ai sdo të bëjë asnjë veprim. Dhe unë po ashtu kam besim: është punë ditësh. Që kur Geringu shikon përpara dritares së tij në San Remo Warspte-nin, ai nuk qetësohet. Tani ai e di se i duhet mbyllur Adriatiku anglezëve për sa kohë që nuk kënaqen së parakaluari. - Po jugosllavët ? - pyet Edda menjëherë e shqetësuar.
- I kam parashikuar të gjitha, - i përgjigjet Çiano, me mburrje. - Sipas marrëveshjes me Stojadinoviçin, do tu jap atyre Shkodrën dhe fshatrat përreth, sigurisht duke ruajtur për ne të gjithë bregun dhe dy të tretat e vendit. I mbetet që të përmbajnë veten se ndryshe…

Tirana
Në vilën e vogël, të rrethuar me kopshte dhe që e quajnë në mënyrë pompoze “Pallati Mbretëror”, presin me shqetësim dhe shpresë një ngjarje të lumtur: lindjen e një trashëgimtari apo të një trashëgimtareje të dinastisë më të re të botës. Por Mbreti Zog është dyfish i shqetësuar. Edhe për familjen e tij, edhe për fronin e tij. Punët me Italinë shkojnë keq. Ai i njeh tashmë planet e ndarjes së mbretërisë së tij, vendit të lashtë të bijve të shqipes që askush deri tani nuk ka mundur ti nënshtrojë.
Vendi ka rënë në një lloj përgjumjeje. Mirditorët, malësorë të vrenjtur dhe krenarë, kelmendasit, ezmerë e të dhjamosur, dukagjinasit, të thatë e asketikë me sy blu si të skandinavëve poshtë çallmave shumëngjyrëshe, bisedojnë me qetësi në pazar. Dy arteret kryesore, bulevardi “Zogu I” dhe bulevardi “Musolini” që të çojnë drejt stacionit të radios dhe drejt aerodromit, janë pothuajse të zbrazur. Papritur, zhurma e një avioni e bën Zogun që të lëvizë. Mbreti shkon menjëherë drejt dritares. Një Caproni i Ala Littoria-s, kompanisë italiane që zotëron për tridhjetë e pesë vjet monopolin e komunikacionit ajror të vendit të Shqipes, bëhet gati të ulet. Në aerodrom, mekanikë nga Torinoja shpejtojnë përreth avionit, nën vështrimin admirativ dhe vëzhgues të dy xhandarëve shqiptarë. Një burrë i gjatë me tipare energjike, por me një vështrim të pakapshëm, po zbret. Eshtë Sereqi, ish-ndihmësi i Mbretit, i cili, që prej 24 marsit, bën lidhjen mes Mbretit Zog dhe burrit të Edda-s. Duke kaluar me shpejtësi në një Fiat të hapur, lajmëtari përshkon qytetin e qetë. Ai pritet në prag nga Mbreti që duke i parë shprehjen e fytyrës, i ikën gjaku. Ja pra, domethënia e pranisë së anijes të dytë luftarake që ka ndaluar dje pranë shkëmbit të Sazanit, që ndodhet përballë Vlorës, nga ku topat italianë mbajnë nën zjarr jo vetëm bregun shqiptar, por gjithashtu hyrjen në Adriatik. Gjatë kohës që retë shpërndahen në anën tjetër të Adriatikut, qetësia mbretëron në ndërtesën e lartë me dritare të mbuluara me kangjella ku nën tabelën e legatës italiane, strehohen gjithashtu Fashio, shkollat italiane dhe… Banka e Shqipërisë.

Ar, naftë apo strategji?
Nëse Italia ka vënë në dorë Bankën Kombëtare Shqiptare, kjo për arsyen se ajo është e vetmja që mbush arkën. Vendi i trazuar dhe i prapambetur kishte nevojë për mbështetje dhe kredi. Duke marrë pushtetin me një dorë të hekurt në vitin 1924, Zogu (kërkonte ndihmë gjithkund. Kapitale për Shqipërinë? Musolini e priste këtë moment. Prej shumë kohësh Shqipëria ishte strumbullari i shtrirjes italiane drejt Adriatikut. Duçja, duke qenë vetë i varfër, vuri në veprim të gjithë arin italian. Në fillim ajo qe një derdhje vjetore prej 10 milionë lirash. Pastaj borxhe për organizimin e monopolit të duhanit. Në total, më shumë se dy miliardë franga. Si këmbim, Italia kontrollon doganat, portet, aviacionin dhe tregtinë, deri në atë pikë, sa dhe në qoshet më të egra të maleve, qypat e vjetër dhe calikët e lashtë janë zëvendësuar nga bidonë prej llamarine që mbajnë markën C.I.D.P. Shtresat misterioze të naftës në rrethin e Kuçovës, zona e Vlorës janë tërësisht në duart e italianëve. Askush nuk e njeh me saktësi shifrën e prodhimeve, por rafineritë e Livornos dhe të Barit janë rregulluar për të rafinuar çdo vit 2 400 000 tonë naftë bruto. Një bllof për tiu kundërvënë sanksioneve të naftës apo një prodhim në shërbim të luftës? Atë vetëm Duçja e di.
Ekziston gjithashtu kontrolli i plotë ushtarak dhe strategjik i vendit. Nga shkëmbi i Sazanit, Italia kontrollon Vlorën dhe detin Adriatik. Aviacioni është krejtësisht italian.
Tashmë, që në vitin 1903, Mbreti Viktor Emanueli i kishte deklaruar princit Bulow:
- Epërsia italiane në Shqipëri është një çështje për jetë a vdekje për Romën. Ajo kurrë nuk do të tolerojë vendosjen e një fuqie tjetër. Çështje për jetë a vdekje. Por mbi të gjitha mizanskenë për të okupuar skenën dhe shmangur vëmendjen.

Fillimi i ekzekutimit
- Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu, - deklaron Çiano, gjithnjë e më shumë olimpik që kur ka filluar një aksion të vërtetë dhe vështrimi i tij djeg si rrufe një “kundërshtar të rëndësishëm”: përfaqësuesin e Mbretërisë Shqiptare, gjysmë e sajuar e gjysmë-vasale e italianëve. “Motrat e Mbretit tuaj kanë shpenzuar këta muajit e fundit më shumë se dhjetë milionë; ministri i Tregtisë, Gera, e ka të mbushur portofolin e tij plot me tufa faturash të këtij lloji. Miliardat e investuara nga ne në vendin tuaj bëhen tym. Ahmet Zogu duket se e ka harruar që na ka borxh gjithçka… Tani është mbushur kupa dhe ai i rrudh vetullat si vjehrri i tij kur është i nxehur.
“Më duhet një përgjigje e menjëhershme për kërkesat tona; po jua kujtoj: “Të drejtën për të zbarkuar trupat në çdo moment, kontroll të ndërtesave ushtarake, të drejta civile për të gjithë italianët që banojnë në Shqipëri, duke kuptuar dhe atë të zgjedhjes deputet e ministër; shkrirjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme; sekretarë të përgjithshëm italianë në të gjitha ministritë. O merreni, o lëreni. Avioni po ju pret…”
Me datat 3 dhe 4 prill, emisarët italianë përshkojnë të gjithë Evropën duke kërkuar ortakë mes emigrantëve shqiptarë që të mund të shkaktojnë një lëvizje kundër Zogut. Por nuk gjejnë asnjë bashkëpunëtor, për të përsëritur goditjet si në Moravi e Bohemi.

(Nga korrespondenti i revistës “Match”, 13 prill 1939)
Përgatiti YD, marrë nga bllokshenimesh.unblog.fr
Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›