“Qeveria dhe mazhoranca vjen në 8 maj me arritje historike”

Jozefina Topalli në Tropojë, në mbështetje të kandidatit të Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” K
ryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli ishte dje në Tropojë, ku shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie të Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Agron Demushi. Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “zgjedhjet e 8 Majit kanë një rëndësi jetike për qytetarin dhe banorin e çdo komune dhe se, këto votime nuk janë aspak politike, sikurse kërkon t’i manipulojë kryetari i opozitës për interesat e tij”. Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja e PD-së, Topalli tha se qeveria dhe mazhoranca vjen në 8 Maj me arritje historike: Shqipëria në NATO, heqja e vizave dhe rritje e qëndrueshme ekonomike. “Ne kemi futur Shqipërinë në NATO, kemi shndërruar Shqipërinë në vendin me rritje ekonomike më të madhe në Europë, kemi bërë të mundur që shqiptarët të lëvizin pa viza. Ne kemi vendosur një target, një objektiv të vështirë, por të rëndësishëm. Shqipëria në 2017, një vend i zhvilluar”, u shpreh kryetarja e kuvendit Topalli. Në këtë takim elektoral në qytetin e Tropojës, kryeparlamentarja Topalli iu referua rezultateve të punës së kryebashkiakut Edi Rama në Tiranë për të cilën u shpreh se edhe pse në tri mandate, Rama vjen në këtë me bilancin më të papranueshëm që çdo kryetar bashkie në Shqipëri mund të ketë pasur gjatë 20 viteve të fundit. Duke shtuar gjithashtu se në fakt Rama është një kryetar bashkie me zero bilanc pune por edhe me zero alternativë. “Nuk ka një kryetar tjetër bashkie që në 4 vite, të thotë se, nuk kam asgjë për të treguar. Nga ana tjetër, sa herë që kishim një reformë të madhe, një ligj të rëndësishëm, me urdhër të Edi Ramës kishte vetëm sharje, vetëm shpifje, vetëm kërcënime, vetëm zhurmë dhe bilbila. Ata shpreheshin kundër rritjes së rrogave, ata ishin kundër rritjes së pensioneve, ata ishin kundër futjes së Shqipërisë në NATO, ata ishin kundër Rrugës së kombit. Ata ishin kundër buxhetit që parashikonte investime të mëdha në bujqësi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë”, theksoi më tej kryeparlamentarja Topalli. Nënkryetarja e partisë Demokratike, Topalli bëri thirrje qytetarëve të Tropojës të votojnë kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” Agron Dermushin, duke theksuar se Demushi, është një qytetar i përkushtuar dhe i respektuar i Bajram Currit ka vënë prioritet parësor ta shndërrojë Tropojën në destinacionin më të rëndësishëm të turizmit malor në Shqipëri, e në rajon. Në këtë takim elektoral me qytetarët e Bajram Curit Kryetarja e Kuvendit, Topalli prezantoi gjithashtu kandidatët e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Bujar Hasanpapën në komunën Bujan, Ramë Kortoçin, në komunën Tropojë Fshat, Qamil Hoxhaj në komunën Vugaj, Rexhë Biberin në komunën Margegaj, Feriz Hoxha komuna Bytyç, Gjelosh Bepkolaj, komuna Fierzë, dhe Gjovalin Gjeloshi, komuna Lekbibaj.
...