Premtimin që u bëra prindërve nuk e mbajta dot

Liam Mandiaro, banor i BB5
Entela Resuli
Deri në momentet e fundit të përfundimit të edicioni të pestë të Big Brother ai mendohej se do të ishte fitues. Por nuk doli kështu. Fitues u shpall Arbëri nga Kosova dhe Liami i dha një përqafim me një buzëqeshje të ngrirë në buzë. Ai ishte përgatitur që të çonte 100 milion lekë në shtëpi. Sot, tre javë pasi ky spektakël ka përfunduar dhe Liami është çliruar nga kjo aventurë, ai i është rikthyer punës si dixhej. Për momentin mendon të qëndrojë në Shqipëri gjatë verës, e më pas do ta rishikojë idenë për tu rikthyer në Gjermani ku e pret Evelina, e dashura e tij, të cilës i propozoi për martesë live në Big Brother.
Liam, kishe një qëllim të caktuar kur hyre në Big Brother?
Normal që kisha një qëllim të caktuar dhe qëllimi kryesor ishin lekët. Unë doja ti fitoja ato para dhe ndaj aplikova në atë realiti shou. Nuk e dija realitetin shqiptar dhe kam shkuar jashtë shtetit që 18 vjeç e sot jam 33. E mendoja gjithmonë, do të futem në Big Brother, por mendoja edhe a do të ma kuptojë ky popull mua këtë sjellje që kam? Dhe doni të dini si kam aplikuar për në BB!? Kam qenë tapë fare, isha me shoqëri gjermane dhe duke parë në internet Big Brother Albania, pyeta ata, a ta provoj? Më thanë po… dhe kështu aplikova dhe më pranuan.
Në Gjermani për sa kohë ke jetuar?
Janë shtatë vjet që jam në Gjermani dhe gjatë këtyre shtatë vjetëve kam ardhur vetëm një herë në Shqipëri, kjo e Big Brother-it ishte hera e dytë. Këto muajt e verës besoj se do të qëndroj këtu.
Të kanë konsideruar si dinak dhe ngatërrestar, si je ti në jetën e përditshme?
Unë kam qenë real, ashtu siç jam dhe tani. Në shqiptarët i kemi qejf thashethemet, ndërsa unë nuk merrem me to. Në raste të tilla unë kam reaguar si një perëndimor. I kam drejtuar tek personi që përgojojnë. Këto nuk janë dinakërira.
Pse doje ta fitoje ti Big Brother-in?
Për të ndihmuar familjen. I kisha dhënë fjalën nënës dhe babait që do ti ndihmoja me lekë dhe nuk ja dola dot. Jo se e kisha lënë te Big Brother-i për të ndihmuar familjen, por arsyeja primare ishin lekët.
I kishe shpresat tek Big Brother për lekët?
Po, sidomos dhjetëditëshin e fundit kisha një lloj bindje në fitoren time.
Me Arbrin si i keni marrëdhëniet, u konsideruat vëllezër në atë spektakël, por patët një krisje më pas?
Normale, tani unë nuk do ti shkoj Arbrit nga mbrapa për ta takuar. Ajo vëllezër, nga ana ime ka qenë e hapur. Kur i thuhet një njeriu aty brenda vëlla, kjo do të thotë që nuk e shikon dot si lojtar. Atëherë edhe unë Arbërin nuk e kam parë kurrë si lojtar.
Liami
Mosha: 33 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Këln (Gjermani)
Statusi civil: I divorcuar
Arsimi: I lartë profesional
Profesioni: DJ
Hobi: Futbolli, basketbollin, notin dhe ping-pongun.
Liami është lindur e rritur në Tiranë ku ka jetuar deri në vitin 1998, vit kur u nda për një kohë të gjatë nga Shqipëria. Ka jetuar një vit në Itali, më pas është shpërngulur familjarisht në Turqi për 4 vite, ku ka bërë punë nga më të ndryshmet. Në vitin 2005 Liami vendos të largohet drejt Këlnit. Aty ka kryer një specializim për sterilizimin e instrumentave të operimit, një fushë që nuk lidhet drejtpërdrejt me mjekësinë. Profesioni që ushtron aktualisht nuk ka fare lidhje me formimin e tij. Prej 3 vjetësh punon si DJ në diskotekat e Këlnit. Ka qenë një herë i martuar; është divorcuar me konsensus dhe harmoni me ish-gruan. Aktualisht është në një lidhje serioze me një vajzë gjermane.