Premtohet zbardhja e fatit të 1800 personave të pagjetur
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, me rastin e shënimit të 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Me rastin e shënimit të 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, në përkujdesje të Qeverisë së Kosovës, të mërkurën është mbajtur një akademi përkujtimore.
Hajredin Kuçi, i cili është edhe ministër i Drejtësisë, ka thënë se çështja e të pagjeturve është një nga brengat e shoqërisë, e cila po vazhdon të jetoj me barrën e të pagjeturve. Ai ka thënë se gjatë këtij viti Qeveria do të përqendrojë punët në 20 lokacione të dyshuara si varreza masive.
“Qeveria e tanishme po vazhdon të angazhohet fuqishëm me kapacitete e saj në zbardhjen e fatit të 1800 personave, të cilët akoma konsiderohen si të pagjetur. Gjatë vitit të shkoi Departamenti i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me EULEX-in ka punuar shumë në kthimin e 103 trupave te familjet e tyre. Për këtë vit ky departament do të punojë në 20 lokacione potenciale të dyshuara, duke u fokusuar gjithashtu në gjetjen e informatave të besueshme që shpijnë në zbulimin e varrezave të mundshme”, ka thënë Kuçi.
Më tej, ai ka premtuar përkrahje institucionale për dy kërkesat e familjarëve të të pagjeturve, atë për ngritjen e kompleksit memorial në Meje të Gjakovës dhe përkujdesjen e vazhdueshme për familjet e tyre.
Në emër të Komisionit Parlamentarë për të pagjeturit, të drejtat e njeriut, peticione dhe barazi gjinore, ka folur Rita Hajzeraj, e cila ka thënë se ky komision do të kërkojë nga Qeveria që të punojë në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
“Komisioni është duke bërë përpjekje që Qeveria të angazhohet në këtë çështje, sepse është formuar komision përkatës i qeverisë, i cili merret ekskluzivisht me çështjen e të pagjeturve. Komisioni dhe Kuvendi i Kosovës e kanë mbështetur deklaratën e Konferencës Ndërkombëtare për persona të zhdukur e mbajtur në Gjenevë në vitin 2003 e cila parasheh mundësinë që çdo njeri të ketë të drejtën për të ditur për fatin e personave të zhdukur dhe persona të pagjetur. Ne i përmbahemi kësaj deklarate duke mos na interesuar përkatësia nacionale”, ka theksuar Hajzeraj.
Ndërkaq, Engjëll Berisha nga Shoqata e personave të pagjetur, 27 prillin e ka kujtuar si ditën më të hidhur për banorët e komunës së Gjakovës.
“27 prilli është dita më e hidhur për banorët e Rekës së Keqe, të komunës së Gjakovës dhe vetë Gjakovën sepse ndodhi masakra më e madhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku në Meje e Koronicë u rrëmbyen, u zhdukën dhe u gjetën të masakruar më shumë se 377 shqiptarë të vrarë për pak orë. Kjo masakër u krye nën organizmin e shtetit të Serbisë me të gjithë mekanizmat ushtarak”, është shprehur Berisha.
Nga viti 2002, kur edhe kanë filluar angazhimet më aktive në zbardhjen e mbetjeve mortore të personave të pagjetur, janë identifikuar dhe kthyer trupat e pajetë të 3436 personave në familjet e tyre. /kosovapress/