Prençi: Operacioni nuk u dekonspirua. Vëllai i policit të vrarë: Dyshoj se vrasësi ka pasur sinjal
Fatos Mahmutaj
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur dje hetimin për rrjedhje të informacionit policor gjatë operacionit tragjik të së premtes ku mbetën të vrarë katër efektivë policie. Veprimet e para hetimore të kryera nga SHKB nisur nga ngjarja e rëndë dhe mënyra e reagimit të të shumëkërkuarit Dritan Dajti, ka bërë që të hidhen dyshime se Dajti është njoftuar nga dikush pak sekonda para se të ndërhyhej nga policia. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që të publikohen konkluzionet e para të hetimit institucional, brenda Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë Ahmet Prençi, kreu i policisë shqiptare mbrëmjen e djeshme pohoi në ekranin e televizionit publik se gjatë operacionit të së premtes në Durrës, i parapërgatitur dhe i planëzuar më së miri dhe se sipas tij ky është rasti i vetëm që nuk kishte dekonspirim për kapjen dhe arrestimin Dritan Dajtit. “Është filluar një hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion gjithçka, me të gjitha kapacitetet që kemi, çfarë të kërkohet për hetimin e plotë, të gjithanshëm dhe të shpejtë të kësaj çështjeje”, tha Prençi, i cili më tej pohoi se “Është ngjarja me e rëndë ku kolegët tanë u ndanë nga jeta nga dora kriminale dhe detyrimisht është një dhimbje mjaft e thellë. Unë gjej rastin të ngushëlloj familjet e kolegëve të mi. Njëkohësisht, dora kriminale që vrau punonjësit e policisë në kryerjen të detyrës do të vendoset përpara detyrës, si edhe të gjithë lidhjet e tij, të gjithë grupit kriminal që ai drejton. Pa dyshim që polica e shtetit e ka paguar shtrenjtë me jetët e shume policëve të vrarë në të gjithë këto vite”. Ndërsa duke folur për katër policët e rënë në krye të detyrës, Prençi tha që ishin oficerë policie jashtë zakonisht të devotshëm. “Trupat speciale e operacioneve speciale në Drejtorinë e Përgjithshme është trupa më e specializuar që kemi. Është një trupë e specializuar nga partnerët ndërkombëtarë prej vitesh. Është një trupë që ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit. Ka finalizuar me sukses të plotë me dhjetëra dhe qindra operacione, me dhjetëra qindra arrestime të bujshme. Ka përballuar me sukses operacione me homologet ndërkombëtare në operacione ndërkombëtare. Kështu them që janë krenaria e Policisë së Shtetit pa dyshim”, vijoi Prençi, duke përfunduar se: “Dua të shtojmë se nëse dora kriminale ishte përgatitur për të vrarë, punonjësit e policisë ishin përgatitur për ta arrestuar dhe jo për ta vrarë, si çdo kriminel tjetër. Pasi ne kemi bazë ligjin dhe jo antiligjin. Kështu që çdo pretendim që ngrihet në këtë pistë, absolutisht bie poshtë, pa dyshim”.
Dajti kalon rrezikun për jetën
Dritan Dajti, duket se e ka kaluar rrezikun për jetën. Burime mjekësore nga spitali i burgjeve pohojnë se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm mëngjesin e djeshëm, ndërsa në mbrëmje të njëjtat burime pohuan se Dajti ka dalë nga rreziku për jetën. sipas tyre Dajti ka marrë tre goditje nga plumbat, një në këmbë, një në shpinë dhe një në ije. Sipas tyre Dajti është goditur nga dy plumba gjithsej. Një e ka goditur në këmbë, ndërsa në shpinë edhe ije e ka goditur vetëm një plumb. Plagët kanë qenë tejshpuese dhe nuk i kanë dëmtuar organe jetësore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që t’i jetë shpuar mushkëria. Sipas mjekëve Dajti është mjekuar e nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale të specializuar, pasi nuk rezulton që ai të ketë plumb në trup. Ndërkohë në ditët në vazhdim nëse shëndeti i tij do të ecë në përmirësim të vazhdueshëm pritet që ai t’iu nënshtrohet kontrolleve të tjera mjekësore, pasi momentalisht ka qenë e pamundur që mjekët të ndërhynin në mënyrë të detajuar për shkak të hemorragjisë nga e cila ka humbur një sasi të konsiderueshme gjaku. Aktualisht Dajti po mjekohet nën supermasa sigurie në Spitalin e Burgjeve. f.m
Xhaxhi: Dyshonim se survejoheshim, u kapëm kur po provonim celularët
TIRANE - “Mendonim se po përgjoheshim dhe survejoheshim nga dikush ndaj nisëm të flasim me celular me njëri–tjetrin brenda makinës, ndërsa po niseshim për të blerë një vazo lulesh. Nëse në vendin ku do shkonim do të kishte policë, atëherë kuptohet që ishim përgjuar”. Kështu ka deklaruar, Erges Xhaxhi, shoferi i Dritan Dajtit gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit paraditen e djeshme në qelitë e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Sipas tij, dyshimet për përgjime telefonash dhe survejim në distancë kishin lindur pak kohë më parë, ndërsa kishin vënë re lëvizje njerëzish të dyshimtë nëpër zonat që ata frekuentonin. Madje, edhe pak sekonda para momentit të përplasjes me armë me policinë ata kishin parë persona të dyshimtë, që ishin afruar në rrugicat përballë pallatit ku ishin vendosur prej disa ditësh. Në momentin që këta po përgatiteshin për t’u nisur me makinë ka ndërhyrë policia dhe më pas ndodhi masakra me pesë të vrarë. Aksioni i policisë sipas tij ka nisur pak çaste para se këta të provonin nëse ishte i vërtetë dyshimi për përgjim apo jo. Ndërkohë burime zyrtare të policisë së kryeqytetit pohojnë se, gjatë orëve të vona të së premtes efektivët e Komisariatit numër dy realizuan arrestimin në flagrancë të 21-vjeçarit kryeqytetas Elvis Karoli. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye sepse pas shumë informacioneve të marra në rrugë operative nga agjentët e blu, dyshohet se 22-vjeçari Karoli kishte lidhje shoqërore me të arrestuarin Dritan Dajti. Më pas gjatë kontrollit të zhvilluar nga policia në banesën e tij u gjetën disa materiale luftarake, të cilat u bllokuan prej policisë. Në njoftimin zyrtar Policia e Tiranës pohon se: Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, sekuestruan në banesën e Karolit, në cilësinë e provës materiale: 7 copë fishekë; detonatorë eksplozive luftarak 1 copë; aparatura të cilat dyshohen se shërbejnë për plasjen eksplozivi, si dhe dy dylbi. Në fund të njoftimit zyrtar policia pohon se pas kryerjes së veprimeve procedurale materialet në ngarkim të 22-vjeçarit do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, ndërkohë gjatë ditëve në vazhdim pritet të dërgohet në gjykatë, ku do të zhvillohet seanca paraprake për caktimin dhe vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. fa.ma
Vëllai i policit: Dyshoj se Dajti ka pasur ndonjë sinjal
ETLEVA DELIA
Asnjëri nga pjesëtarët e familjes së Kryeinspektor Saimir Duçkallari, nuk e dinte që njëri nga policët e vrarë në Durrës nga Dritan Dajti, ishte djali i tyre.
Dyshimet për ta kanë filluar vetëm kur telefoni i tij nuk funksiononte më. Duçkallari kishte marrë lejen e zakonshme dhe si rregull nuk duhej të ishte në punë, por rregullat e operacioneve që ai kryente herë pas here, nuk bënin përjashtime. Për Artur Duçkallarin, vëllain e oficerit, që tashmë është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, ajo që ndodhi nuk kthehet më pas, por e rëndësishme është që të mos ndodhin më ngjarje të tilla, pasi Dritan Dajti nuk është i vetmi person i rrezikshëm që ishte në kërkim. “Saimiri nuk na tregonte asnjëherë kur ikte në operacione të tilla, ne e merrnim vesh se ku kishte qenë, vetëm pasi përfundonte operacioni”. Kështu është shprehur Artur Duçkollari, gjatë një bashkëbisedimi në shtëpinë ku priten tashmë ngushëllime. Më pas ai ka treguar se i vëllai kishte marrë lejen e zakonshme dhe kur doli nga shtëpia, nuk doli për punë. “Për ne pavarësisht se nuk na besohej që ai kishte mbetur i vrarë aty, e dinim pak a shumë se si ishte puna e tij. E merrnin në telefon për diçka dhe ai edhe pse mund të ishte pushim, vinte makina e merrte dhe nisej në mision. Kështu do ketë ndodhur edhe dje”, ka vijuar Duçkollari.
A keni kontaktuar me ndonjë titullar të Policisë së Shtetit për ngjarjen e Durrësit?
Deri tani ende s’kemi komunikuar. Por çfarë do na thonë edhe ata? Nderimet u bënë siç duhet, puna është se ai nuk kthehet më. Askush nuk është në gjendje që të na tregojë skemën e vërtetë të ngjarjes, si ka ndodhur dhe si janë vrarë ata policë atje. Më shumë dini ju sesa ne. Edhe ne, vetëm nga media jemi informuar më shumë.
Keni ndonjë ide se si mund të ketë ndodhur ngjarja?
Ju thashë që nuk kam asnjë version të saktë. Mesa kam dëgjuar Saimiri fillimisht është plagosur. Është ngritur në këmbë për të ndjekur që të ndalonte Dritan Dajtin, më pas ka mbetur i vrarë. Shumëkush tani mund të thotë se ishin të papërgatitur, i kapën në befasi, a ku di unë, por qëllimi i atij grupi që ndodhej aty, nuk ishte që ta vrisnin Dritan Dajtin. Prandaj edhe gjërat shkuan kështu siç shkuan. Edhe pse dyshoj që diçka nuk ka shkuar mirë, mbase Dajti ka pasur ndonjë sinjal, edhe pse nuk jam i sigurt. Objektivi i policisë u arrit, personi në kërkim u prangos pavarësisht mënyrës më tragjike të mundshme.
Po me Saimirin kishit komunikuar gjatë ditës para se të ndodhte ngjarja?
Nuk kishim komunikuar me telefon, sepse Saimiri kishte marrë lejen e zakonshme. Deri diku nuk besonim se ai do kishte qenë në atë operacion, edhe pse duke e ditur se si ishte puna e tij edhe dyshonim. Edhe herë të tjera kështu kishte ndodhur. Saimiri mund të ishte pushim dhe dilte me familjen, një telefonatë dhe brenda pak minutash i duhej të nisej bashkë me kolegët. Kjo ishte puna e tij dhe ne ishim mësuar me atë ritëm që kishte Saimiri. Edhe pse vonë e morëm vesh që ai kishte rënë në krye të detyrës në atë operacion.
Si po e përballon familja humbjen e vëllait tuaj?
Nuk diskutohet që dhimbja është e madhe, por edhe forca për ta përballuar këtë dhimbje duhet të jetë po kaq e madhe. Ajo çfarë nuk duhej të ndodhte, ka ndodhur tashmë. Pavarësisht kësaj, pavarësisht se humbëm njeriun tonë, duke u përballur me një njeri si Dritan Dajti, ne duhet t’i japim forcë njëri-tjetrit, duke sjellë në mend forcën dhe pasionin që kishte Saimiri në kryerjen e detyrës së tij. E rëndësishme është që dikujt tjetër të mos i ndodhë kjo që na ndodhi ne, kjo që i ndodhi Saimirit. Dritan Dajti nuk ishte i vetmi person i rrezikshëm që ishte në kërkim nga policia, më pak se ai apo po aq sa ai, ka edhe persona të tjerë që kërkohen nga Policia e Shtetit. Ajo që ndodhi në Durrës, duhet t’iu bëhet mësim kolegëve të vëllait tim që të mos ndodhë më. Sepse familja është ajo që vuan më shumë dhe humbet shumë nga humbja e tyre.
Kastriot Feska
Nuk e patëm të vështirë që të gjenim shtëpinë e Kryeinspektor Kastriot Feskës. Të gjithë e njihnin, duke filluar që nga rruga e Elbasanit, e deri në përfundim të rrugës “Mihal Grameno”, ku ai e kishte shtëpinë. Teksa trokasim në derë për t’i ngushëlluar familjarët e tij, një vajzë e vogël, që thotë se është mbesa e Kastriotit, na drejton për t’u futur brenda dhe na prezanton me familjarët. Sapo hymë, një grua e tëra me të zeza dhe me sytë e skuqur nga lotët, na e tërheq vëmendjen dhe mësojmë që është nëna e tij. Na pret shumë mirë dhe ndan dhimbjen me ne. Por e njëjta gjë nuk ndodh me bashkëshorten. Dhimbja për humbjen e bashkëshortit ka qenë e papërballueshme, aq sa për të kujdesen mjekët.
Altin Dizdari
“Paraqitu shpejt në repart se do të ndërhyjmë diku”. Vetëm kaq kishte mjaftuar të dëgjonte në telefonin e tij 32-vjeçari Altin Dizdari për të dalë nga shtëpia paraditen e së premtes dhe të nisej për tek Drejtoria e Policisë ku më pas do të bashkohej me kolegët e tjerë për të shkuar drejt Durrësit. Të afërm dhe familjarë të tij pohojnë se Dizdari kishte përshëndetur të fundit nënën, ndërsa vajza e vogël që ende nuk i ka bërë tre vitet e kishte porositur duke zbritur nëpër shkallë, të blinte ushqime pasi do hanin bashkë drekën. Pas kësaj ai është larguar, për t’u kthyer në orët e vona të mbrëmjes me arkivol, ku familja zhvilloi ceremoninë mortore duke pritur ngushëllimet.
Homazhet, lot dhe dhimbje për katër policët e vrarë
ETLEVA DELIA
Familjarë, kolegë, përfaqësues të lartë të shtetit, por edhe qytetarë të Tiranës u kanë dhënë dje lamtumirën e fundit katër oficerëve të policisë, që ranë në krye të detyrës. Për rreth 2 orë, arkëmortet e Fatos Xhanit, Saimir Duçkollarit, Altin Dizdarit e Kastriot Feskës, janë nderuar nga të afërm e personalitete të lartë tek Pallati i Kongreseve. Pas ceremonisë, kortezhi me qindra pjesëmarrës, u drejtua për nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, atje ku do të prehen përjetësisht 4 policët që u ekzekutuan në krye të detyrës nga i shumëkërkuari Dritan Dajti. Gjatë lamtumirës së fundit, nuk pamë lot vetëm në sytë e të afërmve të tyre, por edhe politikanëve e qytetarëve të thjeshtë. As ata që tashmë janë dora e fortë e ligjit, kolegët e oficerëve të vrarë, nuk i mbajtën dot lotët teksa ishin përballë fotografive të tyre, që sipër mbanin shiritin e zi. Përqafime, lot, dhimbje për atë që ndodhi dhe forcë për ta përballuar, kjo ishte përmbledhja e homazheve të djeshme në nderim të e Fatos Xhanit, Saimir Duçkollarit, Altin Dizdarit e Kastriot Feskës. Mes lotësh e dhimbjesh janë përcjellë dje për në banesën e fundit trupat e pa jetë të katër oficerëve të policisë që u vranë ditën e premte, gjatë një operacioni për kapjen e Dritan Dajtit në plazhin e Durrësit. Ceremonia mortore për lamtumirën e fundit të katër policëve nisi në orën 14:00 ku morën pjesë oficerë të Policisë së Shtetit, politikanë, presidenti Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe të afërm të viktimave. Fjala e lamtumirës për katër policët e vrarë u mbajt nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani. “Jemi krenarë për ju dhe familjet tuaja që ju edukuan me dinjitet. Sakrifica juaj janë himni i Policisë Shqiptare sot”, tha Nishani. Pas një minutë heshtje trupat e pajetë të katër punonjësve të policisë u mbyllën në banesat e tyre të fundit. Dhimbja e madhe e familjarëve të viktimave ka depërtuar edhe te politikanët e pranishëm, të cilët nuk kanë mbajtur dot lotët. Të parët që janë përlotur teksa takonin familjarët e oficerëve të policisë, kanë qenë Berisha, Topalli dhe Topi.
Nishani: Derdhën gjakun në themelet e Atdheut
Teksa kortezhi i gjatë mortor, ishte mbledhur në varrezat “Dëshmorët e Kombit” për t’iu dhënë lamtumirën e fundit oficerëve të vrarë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastriot Feska, ka qenë ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ai që ka mbajtur fjalën e lamtumirës. Sipas Nishanit këta oficerë policie, që ranë në krye të detyrës, tashmë do ta inkurajojnë më shumë Policinë e Shtetit që të luftojë edhe më shumë kundër krimit. “Drejtues, Fatos Xhani, Kryeinspektor, Saimir Duçkollari, Kryeinspektor, Altin Dizdari e Kryeinspektor, Kastriot Feska, na inkurajojnë që të luftojmë edhe më fort kundër krimit”, është shprehur Nishani. Ndërkohë krye i dikasterit blu është shprehur se e gjithë Policia e Shtetit ndjehet krenar për ta. “Jemi krenarë për ju dhe familjet tuaja që iu edukuan me dinjitete. Sakrifica juaj janë himni i Policisë Shqiptare sot. Ju derdhët gjakun tuaj në themelet e Atdheut”, tha Nishani.
Ndihmë mjekësore për familjarët
Shumë pak ishin ata kolegë dhe familjarë që nuk kanë shkuar dje për të nderuar policët e rënë në krye të detyrës. Të gjithë ishin mbledhur aty dhe nuk u larguan për asnjë moment. Ndonjë person i familjes, për të cilin dhimbja ka qenë mjaft e rëndë, apo edhe ndonjë koleg, që duhej të ishte në detyrë, nuk morën pjesë në homazhet tek Pallati i Kongreseve. Qindra të tjerë ndanë dhimbjen me familjarët, madje nuk munguan as lotët. Bashkëshortet e dy prej të vrarëve nuk kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore, madje edhe për disa prej familjarëve është nevojitur ndihma mjekësore për të përballuar sadopak dhimbjen.
Meta: Mbështetim policinë në luftën kundër kriminelëve
Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Ky është apeli i dhënë dje nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, pas kryerjes së homazheve të kryera për katër policët e rënë në krye të detyrës. “Ne jemi këtu jo vetëm për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarët të katër dëshmorëve të atdheut të rënë në krye të detyrës, por njëkohësisht për të shprehur solidaritetin dhe përkrahjen për Policinë e Shtetit, për të gjithë forcat e sigurisë dhe ligjit në vend, për detyrën jashtëzakonisht të rëndësishme dhe fisnike për të garantuar sigurinë e vendit dhe të qytetarëve tanë në një luftë të pamëshirshme me krimin, sikurse tregoi dhe ngjarja e djeshme, e cila besoj do të shërbejë për të rritur forcën goditëse ndaj krimit”, deklaroi Meta. Ngjarjen e ndodhur LSI e cilësoi si tepër të rëndë dhe tronditëse ku humbën jetën katër pjesëtarë të forcave të Policisë së Shtetit. “LSI duke u solidarizuar me familjarët e viktimave, kolegët e të rënëve, shpreh mbështetjen e saj pa ekuivok për Policinë e Shtetit në përmbushjen e misionit të tyre për të luftuar krimin e organizuar si dhe kërkojmë dënimin maksimal për kriminelët. Duke shprehur dhimbjen tonë të madhe për këtë tragjedi, LSI kërkon hetim të thelluar dhe të shpejtë nga ana e Prokurorisë së kësaj veprimtarie kriminale shumë të rrezikshme”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Leskaj: Të mbrohet policia
Partia Socialiste i bën apel të fortë për mbrojtjen e forcave të rendit që të mos bëhen viktimë e krimit. Kjo ishte deklarata e bërë nga ana e zyrtares së PS-së, Valentina Leskaj, pas kryerjes së homazheve për katër policët e rënë në krye të detyrës. “Dua të shpreh dhimbjen tonë të thellë për këtë humbje të madhe. Një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por besoj dhe një humbje e madhe për Shqipërinë dhe forcat e rendit. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të gjithë PS-së për familjet e të rënëve në krye të detyrës. Dua të them se ky duhet të jetë një apel i fortë për mbrojtjen e forcave të rendit, të cilat kryejnë një detyrë fisnike dhe që bëhen viktimë e krimit”, deklaroi Leskaj. Në këto homazhe Partia Socialiste shoqërohej nga ana e Valentina Leskajt, Arta Dades, Taulant Ballës dhe të Eduart Shalsit. Kreu i PS-së, Edi Rama ndodhet për vizitë në SHBA dhe nuk ishte pranishëm në këtë ceremoni mortore. Kryesocialisti ka reaguar në lidhje me këtë tragjedi. “Ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion të qëllimeve dhe të nevojave të oborrit familjar e klanor, që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar”, deklaroi Rama.
Topi: Të vendoset ligji në çdo strukturë të shtetit
adi shkembi
Krerët e shtetit nderojnë katër drejtuesit e policisë, të rënë dy ditë më parë gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit në qytetin e Durrësit.
Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli morën pjesë dje në ceremoninë e homazheve për uniformat blu, që humbën jetën në krye të detyrës. Kreu i shtetit, pasi u shprehu ngushëllimet familjarëve të katër të rënëve tha, se institucionet shtetërore duhet të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje. “Nga ana tjetër, do të nxisja me shumë forcë të gjithë institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë, që duhet të vijë nga çdo institucion, për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”, u shpreh Topi. Sipas tij vrasja e oficerëve të policisë mesditën e të premtes është ngjarja më tragjike e përjetuar në vitet e fundit. Rreth mesditës së djeshme në Pallatin e Kongreseve vendosi një kurorë me lule edhe Kryeministri Berisha, i cili tha: “Fatosi, Kastrioti, Sajmiri dhe Altini nuk janë më. Ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm të Shqipërisë, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh me rrjetet kriminale, që drejtonte brenda dhe jashtë vendit, përbënte një kërcënim permanent për rendin dhe sigurinë”. Sipas tij: “Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit, për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri më sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe”. Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se: “Shqiptarët sot mbajnë frymën, Shqipëria ka humbur katër djemtë e saj, Policia e Shtetit ka humbur punonjësit e saj që ishin modeli moral. Familjet e tyre, djemtë, babanë, bashkëshortët e tyre të dashur, trima, kurajozë. Në këto momente të vështira, ne të gjithë shprehim ngushëllimet për familjet e tyre, mbështetjen, solidaritetin me Policinë e Shtetit, që tregoi edhe një herë vullnetin, por dhe dëshmoi sakrificën në luftën kundër krimit”.
Zbulimi, Dajti lëvizte me dokumente identifikimi policie
Nga Durrësi, Ferdinand Dervishi
Ajo ishte një çantë e vogël, nga ato që zakonisht lidhen në brez dhe që përdoren për të mbajtur më shumë sende personale se sa mund të nxërë, për shembull, një portofol.
Ditën që vrau katër policët me gjakftohtësinë e një profesionisti, Dritan Dajti, armiku numër një i uniformave blu të policisë shqiptare, i pjesës së papërlyer, kuptohet, e kishte vënë këtë çantë të vogël poshtë kokës, në rolin e një jastëku, teksa i prangosur i kullonte gjak nga plaga e plumbit të marrë në gjoks, që i kishte shpuar mushkërinë dhe nga tjetra në këmbë. Policët e parë që i ishin afruar për t’i parë fytyrën vrasësit të kolegëve, ia kishin vëzhguar të fikur, edhe pse pak çaste më parë ai kishte sharë sa mundej në adresë të tyre, ndërsa diçkaja tjetër, e dyta në radhë që u kishte bërë përshtypje, kishte qenë çanta e vogël nën kokë. Pikërisht përmbajtja e kësaj çante kishte shokuar shumëkënd në momentin e mbajtjes së një procesverbali hetimor. Njëra pas tjetrës, duke i nxjerrë me duar të veshura me dorashka, për të mos prishur gjurmët, një nga hetuesit, kishte vënë në tavolinë tri dokumente identifikimi policie, që të tria me fotografinë e Dritan Dajtit, pozuar paksa në profil.
Nënkomisari i policisë
Që Dritan Dajti nuk ishte një polic këtë e dinin që të gjithë. Madje edhe ngjarja e fundit, ajo e vrasjes me gjakftohtësi e katër oficerëve, e përjashton kategorikisht këtë mundësi. Por provat në këtë rast janë kokëforta. Dritan Dajti mbante me vete dhe eventualisht përdorte për identifikim të njëjtët lloj dokumentesh që përdorin efektivët e policisë. Madje në to shënohej se ai ishte me gradën “nënkomisar”, që nuk e mbajnë policët e rëndomtë. Kuptohet që dokumentet nuk ishin në emrin e tij, por gjenealitetet në të tria, poshtë fotografisë së Dajtit, ishin të njëjta.
Dokumentet ishin të njëjta me ato që ka përdorur policia shqiptare për identifikim përgjatë 18-19 viteve postdiktaturë. Pra, nëse Dritan Dajti do të ndalohej nga policia duke ecur, për shembull, me shpejtësi të madhe në rrugë, ai fillimisht do u thoshte “kolegëve” të vet se ishte një prej tyre. Por nëse ata do të këmbëngulnin për të treguar një dokument identifikimi, ai, Dritan Dajti, do të nxirrte një të tillë fringo të ri, nga ata që policia ka shpërndarë në të gjithë vendin këto dy muaj të fundit, që është plastik dhe i ngjashëm me kartat e identitetit. Por edhe nëse “kolegët” në rrugë sërish nuk do të bindeshin, Dajti, pa shkuar ende te pistoleta, duke buzëqeshur do u rrëfente edhe dokumentin e vjetër, atë të plastifikuarin, që policia shqiptare ka përdorur deri dy muaj më parë. Do ua rrëfente duke u thënë: “Kam ruajtur edhe të vjetrin, ja ku e kam”. Në fund fare, varësisht nga shprehja e fytyrës së “kolegëve”, ai ka të ngjarë të shtonte: “E kam me vete edhe atë të kohës së Bashkim Koplikut”.
Inventari
i Dajtit
Gjithsesi, hetimi ende nuk ka përcaktuar autenticitetin e këtyre dokumenteve të identifikimit që Dritan Dajti kishte me vete. Ato shkruajnë se janë lëshuar një komisariati i policisë së një qyteti të Shqipërisë së Mesme - jo nga Durrësi - por është ende herët të përcaktohet nëse janë kopje të falsifikuara me një precizion të lartë, apo origjinale. Në rast se janë origjinale, nuk është çudi që vetëm ky detaj të bëjë të kërcasin prangat për njerëzit që kanë mundësuar pajisjen e të shumëkërkuarit me këto dokumente. Pasi kanë këmbyer opinionet e rastit me njëri-tjetrin, hetuesit kanë vazhduar me procesverbalin e sendeve të tjera që Dajti kishte në të njëjtën çantë. Habia ka vazhduar edhe kur prej saj janë nxjerrë, sërish njëri pas tjetrit, nëntë aparate celulare relativisht të shtrenjta si dhe një numër disafish më i lartë kartash telefonike. Shumica e tyre ishin përdorur, por kishte edhe të papërdorura dhe në këtë shumës hetuesit kishin renditur në procesverbal edhe karta të telefonive celulare të shteteve fqinje, ku më shumë binin në sy ato greke. Në fund fare, nga një xhep të çantës, hetuesit kishin nxjerrë edhe 6,500 euro, që duket Dajti i mbante me vete, si lekë xhepi.
Pronarët e hoteleve ankohen se pas ngjarjes po u ikën klientela
Banorët: Makina “Tuareg” kishte një javë që parkohej këtu
“Makinën e tipit “Volkswagen Tuareg”, e kishin parë disa herë përgjatë javës së fundit të parkohej këtu, madje disa herë fare pranë hotelit”. Pronarët dhe banorët e zonës së pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, ku dy ditë më parë u regjistrua një nga masakrat më të dhimbshme ndaj punonjësve të policisë, pohojnë se makinën që përdorte Dritan Dajti e kishin parë edhe herë të tjera. Sipas tyre, ai e parkonte atë më pranë hotelit që frekuentonte, rreth 10-15 metra larg hyrjes, por gjithsesi nuk konfirmojnë ta kenë fiksuar të zotin e saj. Nga ana tjetër, ngjarja duket i ka vënë në vështirësi sidomos pronarët e objekteve që lëshohen me qira për pushime. Sipas dëshmive të tyre, me të parë ngjarjen dhe pamjet në televizione, disa pushues që më parë kishin rënë dakord të merrnin dhoma me qira në këtë zonë, për pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të gushtit, ishin tërhequr. “Na kanë marrë në telefon duke na thënë se do e diskutojnë edhe njëherë”, pohon pronari i një hoteli katërkatësh pranë vendngjarjes. I njëjti shton se edhe njerëzit që lëvizin në atë zonë janë pakësuar duke shtuar se i duket sikur të jetë shtator dhe jo mes gushti. Por ngjarja që ende ka si dëshmi pellgjet e gjakut të policëve në rrugë, që nuk janë larë plotësisht, ka shkaktuar edhe më shumë pasoja se kaq. Sipas dëshmive të mbledhura, thuhet se dy ditë më parë aty janë plagosur lehtë nga plumbat dy fëmijë, ndërkohë që një i tretë, që ka parë gjithë ngjarjen, gjendet nën shok psikologjik.
Masakra në Durrës, oficerit iu bllokua arma
“Nëse një oficeri, atij të fundit që gjeti vdekjen, nuk do i ishte bllokuar automatiku, pasojat e masakrës do të kishin qenë më të vogla”. Në këtë përfundim ka arritur hetimi i ngjarjes së dy ditëve më parë pasi ka administruar të gjitha dëshmitë për ngjarjen ku humbën jetën katër oficerë të policisë të masakruar nga një vrasës i vetëm i quajtur Dritan Dajti. Sipas hetimit, në kohën që kishte nisur këmbimi i zjarrit, një prej oficerëve, i vetmi që ka pasur një “Kallashnikov” në duar, kishte vënë thep-shqekëz Dritan Dajtin që vazhdonte t’i masakronte kolegët, por në momentin final këmbëza e tërhequr prej tij nuk kishte realizuar shkrepjen. Këtë fat të ardhur nga qielli Dajti e ka shfrytëzuar, duke e qëlluar gjithë mllef në drejtim të oficerit të lënë në baltë nga arma e vet.
Rindërtimi i ngjarjes
Duke bërë bashkë të gjitha dëshmitë e kolegëve të policëve të vrarë, si dhe duke vëzhguar vendngjarjen e administruar provat, grupi i hetimit të ngjarjes e ka tashmë pothuaj gati një skemë shumë afër të vërtetës. Dinamika e ngjarjes nis me shfaqjen e makinës ku gjendej Dritan Dajti në afërsi të hotelit ku ai qëndronte. Pohohet se makina ecte me shpejtësi pak më të madhe se sa mundësojnë rrugicat e ngushta të kësaj zone të populluar edhe me pushues të shumtë. Ajo është parkuar në vendin ku nisi masakra, ndërkohë që nga pas i është avitur një makinë “Ford”, pa targa, e Skuadrës Operacionale. Kanë qenë gjithsej tri makina të kësaj skuadre që kanë marrë pjesë në këtë operacion, në një kohë që oficerët kanë qenë 13. Në makinën Volkswagen “Tuareg” me targa italiane ishin Dritan Dajti në sedijen e pasme, kunati i tij, Erges Xhaxhi, në vendin e parë dhe Ledion Mara nga Lushnja në timon. Në momentin që makina e policisë ka ndaluar dhe prej saj ka dalë polici i parë me kokore të zezë, Dritan Dajti ka qëlluar pa e ulur xhamin e zi të makinës duke arritur ta vrasë. Në të njëjtin moment Dajti dhe dy të tjerët kanë dalë nga makina “Tuareg”, duke ikur në panik në drejtim të hotelit ku banonin. I dyti në radhë që është rrëzuar i vrarë pas policit, pikërisht në kulmin e kryqëzimit të rrugës, jo shumë larg makinës “Tuareg”, ka qenë Ledion Mara. Ndërkohë Dritan Dajti, duke qëlluar pa pasur shumë shans, ishte shkëputur nga ndjekësit e po i afrohej hotelit së bashku me kunatin që kishte mbetur më pas. Një sekondar më pas, para lokalit veror në krah të hotelit, dy nga policët arrijnë Erges Xhaxhin dhe e vënë përtokë duke e prangosur. Duket në këtë kohë Dajti kthen kokën pas dhe sheh se skenën e prangosjes së kunatit. Menjëherë ai kthehet mbrapsht duke qëlluar mbi policët që i kap në kundërkohë, duke u marrë me bllokimin e tjetrit. Dhe i vret që të dy. Pikërisht në këtë kohë polici i katërt, që ishte paksa më pas, e kishte vënë në shënjestër Dajtin me një “Kallashnikov”. Një armë potente që e lë në baltë në momentin final. Polici menjëherë pas shkrepjes boshe e hedh armën dhe kthen kurrizin të largohet, por në këtë kohë plumbat e Dajtit e arrijnë dhe e përshkojnë pas shpine. Më tej, ngjarja është më e thjeshtë. Dajti duke ecur mbrapsht e duke qëlluar në drejtim të policëve përplaset me një adoleshent, të cilin e kalon për një moment para vetes dhe më pas e lëshon, duke u rrëzuar i plagosur në gjoks dhe në këmbë. Armën ia heq nga duart polici që i vë prangat, duke ia shkelmuar e dërguar pranë portës metalike të një shtëpie, rreth 3 metër më tej. fe.de
Dajti, muajt e fundit RENEA dështoi dy herë ta arrestonte
Muajt e fundit forcat elitë të policisë shqiptare, RENEA, kanë dështuar në dy raste për të arrestuar të superkërkuarin Dritan Dajti.
Saktësisht operacionet e tyre janë hedhur në erë në kohën e finalizimit, pasi i superkërkuari ishte larguar nga vendi ku mbahej në vëzhgim me shumë gjasa i lajmëruar nga njerëz në brendësi të radhëve të policisë. Që Dritan Dajti fshihej në Durrësin informal, kjo nuk ishte më një përrallë. Policia e Durrësit, por edhe oficerë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ishin në dijeni të lëvizjeve të shumë-kërkuarit në këtë zonë. Lëvizje që të paktën në një rast ishin raportuar me vlerën e konfliktit të tij me një personazh të njohur publik në një ambient gjithashtu shumë publik.
Duke gjykuar në të gjitha rastet se Dajti ishte një figurë kriminale me rrezikshmëri të lartë, policia lokale, të paktën dy herë që ka pasur informata të sakta, ka lajmëruar të vinin për ndërhyrje forcat e RENEA-s nga Tirana. Por, pasi ato kanë ardhur dhe kanë rrethuar vendin për ndërhyrje, objektivi, Dritan Dajti, nuk është gjetur.
Dyshimet për këto dështime kanë përfshirë një numër të gjerë oficerësh të policisë qoftë lokale, qoftë të Drejtorisë së Përgjithshme, pa lënë mënjanë edhe forcat e RENEA-s. Por në asnjë rast pas të tilla dështimeve nuk u është bërë analizë.
Kërcënimi
i Dajtit
I bezdisur nga të tilla iniciativa për ta arrestuar, Dritan Dajti mësohet të jetë shprehur në publik, apo të ketë hapur fjalë, se nëse do ta shihte ngushtë, do të vriste edhe policë. Të paktën në dy raste parakaluese, kur u arratis nga Gjykata e Tiranës në nëntor 2003 si dhe kur u ndalua nga një postbllok policie në Durrës një vit më vonë, Dajti kishte lënë të kuptohej se kishte fuqi të kontrollonte veten që të mos qëllonte policë. Në rastin e arratisjes nga Gjykata, edhe pse i armatosur, ai në asnjë rast nuk e kishte drejtuar armën për të qëlluar kundër policëve, por edhe në rastin e ndalimit në Durrës në postbllok, e kishte kursyer policin, që donte ta prangoste, duke i thënë se ishte Dritan Dajti dhe duke i rrëfyer me sy tytën e pistoletës.
Pse nuk
u thirr RENEA
Pra, mbërritur në mesin e vitin 2009, nervat e Dritan Dajtit ishin dobësuar. Pikërisht në këtë kohë ka hyrë në lojë Skuadra Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Një skuadër që në rastin më të mirë mund të ndërhyjë të bëjë ndalime të të dyshuarve për drogë, por jo më shumë se kaq. Nuk dihet se si kanë rrjedhur ngjarjet, por pohohet se kjo skuadër e kishte nën vëzhgim Dajtin që strehohej pranë pistës “Iliria”, në plazhin e Durrësit, prej pak më shumë se 24 orësh. Mbase për të shmangur dështimin eventual nëse sërish do të thërriteshin trupat e RENEA, krerët e kësaj njësie, duke shmangur njëkohësisht edhe policinë lokale, kishin vendosur të provonin arrestimin. Duke marrë përsipër të gjitha pasojat. Në fund të gjithçkaje u vërtetua se Dritan Dajti e kishte pasur shumë seriozisht me kërcënimet e tij në adresë të policisë. fe.de