E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Jemi kundër ndarjes së Kosovës

 

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka deklaruar për RTK-në se SHBA mbështet kufijtë ekzistues të Kosovës dhe janë kundër çfarëdo lloj ndarje të territorit. Duke komentuar mbi deklaratën e kongresistit republikan, Dana Rohrabacher, se zgjidhja e vetme për paqen në Ballkan do të ishte shkëmbimi i territoreve, zëdhënësi në Departamentin e Shtetit tha se qëndrimi amerikan rreth Kosovës nuk ka ndryshuar. “Mund t’ju them se politika jonë është e pandryshuar,” tha për RTK-në, Mark Toner, zëdhënës i Byrosë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit. Sipas deklaratës së Rohrabacher në “Zërin e Amerikës”, mes Serbisë dhe Kosovës duhej një shkëmbim territoresh për të arritur mirëkuptimin, dhe ‘nëse Beogradi këmbëngulë për të marrë veriun e Kosovës atëherë edhe shqiptarët duhet të këmbëngulin për marrjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit’. “Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës brenda kufijve ekzistues. Ne nuk mbështesim asnjë lloj ndarje të Kosovës”, tha Toner. Ndërkohë Presheva, Bujanoci e Medvegja duan bashkim me Kosovën. Deklarata e fudnit vjken nga kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili konfirmoi se Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës duke theksuar mbështetje për vullnetin e shqiptarëve të shprehur në vitin 1992. ai u shpreh për “Express” se pret një telefonatë nga liderët e Kosovës për të biseduar rreth këtij propozimi. Por partia në koalicionin qeveritar, LDK është pozicionuar kundër shkëmbimit të territoreve. Janë rreth 70 mijë shqiptarë që jetojnë në tri komunat në jug të Serbisë sado që një numër i madh i banorëve janë larguar nga vendbanimet e tyre duke u vendosur në Kosovë, sidomos pas vitit 1999. Vlerësimet e organizatave ndërkombëtare thonë se shqiptarët në jug të Serbisë janë pakica me më së paku të drejta në Evropë. Beogradi, ditëve të fundit, ka kundërshtuar kërkesën politike të subjekteve politike shqiptare për formimin e ‘rajonit’ të Luginës së Preshevës, i cili do të përbëhej nga tri komunat me shumicë shqiptare.
(RTK, Express)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›