E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi liston zonat prodhuese të drogës, Lazarati në top listë

Kreu i Policisë së Shtetit, apel për eliminimin e kultivimit të narkotikëve
Lazarati ende qëndron një zonë problematike për kultivimin e bimëve narkotike në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë është shprehur kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi nga Gjirokastra. Zoti Prençi ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve të policisë për eliminimin në maksimum të këtij fenomeni në fshatin rebel. Një prej pikave kyçe të strategjisë së policisë shqiptare për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike, është fushata sensibilizuese që po realizohet me komunitetin në të gjithë vendin. Kjo fushatë është duke dhënë rezultatet e veta, megjithatë në rast se nëpërmjet kësaj metode nuk do të shihen rezultatet e dëshiruara, atëherë do të operohet me fazën operacionale përmes të cilës do të ndëshkohen në bazë të ligjit të gjithë kultivuesit e lëndëve narkotike, ka kërcënuar drejtori i Policisë Shqiptare, Ahmet Prençi. Sipas këtij të fundit, para disa viteve Shqipëria ka qenë e përfshirë nga kultivimi i lëndëve narkotike, ndërsa aktualisht vetëm në tre zona është përqendruar kultivimi i hashashit ku përveç Lazaratit, rezulton të jenë edhe zonat në territoret pranë rrjedhës së Vjosës në Vlorë dhe në Malësinë e mbi Shkodrës. Në këto dy të fundit është punuar dhe janë arritur rezultate të kënaqshme, ndërkohë që për periudhën në vazhdim, do ti kushtohet rëndësi fshatit Lazarat për të bërë të mundur eliminimin e këtij fenomeni edhe në këtë zonë, është shprehur zoti Prençi për gazetën SOT. Unë, si drejtues kryesor i Policisë së Shtetit, kam ndjekur me vëmendje dhe përgjegjësi problemet komplekse të luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe trafikut të tyre në tërë territorin e vendit dhe veçanërisht situatën në Lazarat, ka shtuar ai, duke nënvizuar se tashmë ka ardhur koha që fshati Lazarat të hiqet nga harta e vendit të origjinës për prodhimin e bimëve narkotike. Drejtori i Policisë së Shtetit ka marrë pjesë dje në një aktivitet të organizuar në Gjirokastër për sensibilizimin e të rinjve për ti thënë JO drogës. Në këtë kuadër kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave në jug të vendit, ku është folur për pasojat negative që sjell kultivimi dhe përdorimi i lëndëve narkotike. Ndërkohë, kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko, i pranishëm të këtë aktivitet u ka kërkuar ndihmë institucioneve të specializuara që me ndihmën e shoqërisë civile dhe organizatave jofitimprurëse të fillojnë menjëherë sensibilizimin për të informuar banorët e kësaj zone për rreziqet që paraqet kultivimin i bimëve narkotike. Është fakt i pamohueshëm që fshati Lazarat është prekur nga kultivimi i bimëve narkotike, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi në gjendje ta luftojmë atë, prandaj ndihma e institucioneve të specializuara dhe shoqërisë civile, do të ishte e vyer për të gjithë komunitetin, është shprehur midis të tjerave, kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko. Mbështetjen e tij për organizmat e shtetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, e ka dhënë edhe drejtuesi i misionit të Pameca-s në vendin tonë, Michael Corbull. Ndërsa, prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, kreu i bashkisë Flamur Bime si dhe drejtuesit rajonalë të arsimit, kryetarë komunash si dhe përfaqësues të zyrës së OSBE, kanë konfirmuar angazhimin e tyre në mbështetje të strukturave të policisë për të luftuar fenomenin e kultivimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike në Qarkun e Gjirokastrës. Gjatë këtij aktiviteti janë shpërndarë edhe materiale të ndryshme sensibilizuese si një gazetë e veçantë për luftën kundër drogës, fletëpalosje, materiale informuese etj, të cilat i ftonin të pranishmit të bëheshin pjesë e fushatës për sensibilizimin e komunitetit në lidhje me mospërdorimin dhe moskultivimin e bimëve narkotike në Qarkun e Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›