E Diel, 1 Nëntor 2026

Prerjet ilegale, 2 milionë metër kub çdo vit destinohen për dru zjarri

06/07/2011  Shfrytëzimet pa kriter, zvogëlohet sipërfaqja pyjore në vend

Prerja e paligjshme e pyjeve po kthehet në një fenomen shqetësues për vendin tonë. Kjo pasi është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme sipërfaqja pyjore, çka mund të sjellë probleme të shumta mjedisore. Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat e mjedisit, rezulton se çdo vit më shumë se 2 milionë metër kub dru përdoren vetëm për ngrohjen e banesave, pjesa dërrmuese e të cilave përvetësohen jashtë kritereve ligjore. Vetë drejtuesit e këtij dikasteri pohojnë se situata është rënduar së fundmi, pasi rritja e kërkesave për energji shkon në raport të drejtë me presionin në pyjet tona, të cilat nxjerrin në pah dobësi në menaxhimin, kontrollin dhe zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve. Për këtë u është kërkuar institucioneve vendore që të mos neglizhojnë monitorimin e këtyre veprimtarive të paligjshme. “Ne përballemi me shume sfida, nga varfëria tek korrupsioni, të cilat krijojnë kushte për aktivitete ilegale, që prekin thellë burimet tona natyrore dhe mjedisin ku ne jetojmë. Probleme, të cilat nuk mund të monitorohen nga një sektor i vetëm. Kështu zbatimi i rregullave dhe ligjeve është çështje sociale, politike dhe institucionale, që kërkon një gjithëpërfshirje aktorësh, ndërveprim ministerial dhe sigurisht zgjidhje të rëndësishme publike”, ka deklaruar kundrejt këtij fenomeni kreu i Ministrisë së Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, fenomen shqetësues është edhe përdorimi i teknologjisë së vjetër nga kompanitë e ndryshme që shfrytëzojnë lëndën drusore, ndryshe nga sa përcaktojnë lejet njëvjeçare për shfrytëzimin e këtyre hapësirave. Kundrejt kësaj situate, Mediu ka shtuar se për kontrata të gjata koncesionare me kompanitë duhet që të plotësohen të gjitha detyrimet, në të kundërt ato do të marrin edhe ndëshkimin e duhur. “Kemi shumë kompani të cilat shfrytëzojnë pyjet, mbi 250, të cilat në shumë raste nuk kanë as teknologjinë, as standardet dhe as nivelin profesional të gjykimit të drejtë për shfrytëzimin e pyjeve. Ka ardhur koha që ndoshta ne duhet të shikojmë në një marrëdhënie më afatgjatë koncesionare, por sidomos me firma të cilat duhet të kenë kritere të qarta të teknologjisë që përdorim. Padyshim edhe një mbështetje të qartë dhe një garanci të qartë financiare. Duhet patjetër që ato të garantojnë në sipërfaqe që i shfrytëzojnë të gjithë logjistikën e nevojshme për mbrojtjen e pyjeve karshi zjarreve”, tha Mediu.

Ndërhyrjet

Aktualisht dikasteri i Mjedisit po vazhdon proceset e decentralizimit me transferimin e rreth 66.000 ha të pyjeve e kullotave tek komunat e bashkitë, për të çuar vendimmarrjen mbi ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre burimeve lokale tek njerëzit që jetojnë dhe varen nga pyjet, lidhur me mjetet e jetesës dhe mirëqenien. “Ne jemi në procesin e krijimit të Shërbimit Këshillimor të Pyjeve dhe Kullotave, për të mbështetur komunat dhe bashkitë në përgjegjësitë dhe rolet e reja, për të siguruar përdorimin e qëndrueshëm te pyjeve dhe kullotave”, është shprehur Mediu. Ndërkohë që edhe Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave po harton ligjin e ri të pyjeve dhe kullotave, për të adresuar dhe shmangur çështjet e mospërputhjes dhe kontradiktave ndërmjet politikës shtetërore, kuadrit ligjor dhe realitetit në terren.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›