“PS-ja nuk mund të ndikohet nga qëndrimet e ndërkombëtarëve”
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi, sulmon propozimet miqësore të partnerëve të huaj
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi, ka shpërfillur edhe zërat dhe thirrjet miqësore të ndërkombëtarëve, që ju kanë sugjeruar deputetëve të PS-së, të hyjnë në parlament. Në një intervistë për BBC-në, Gramoz Ruçi, duke komentuar qëndrimin më të fundit të kreut të Senatit kanadez, por edhe të mjaft ndërkombëtarëve të tjerë që i janë shprehur kundër bojkotit të parlamentit nga opozita, kë bërë të ditur se PS-ja dhe deputetët e saj, nuk mund të ndikohen nga qëndrimet e ndërkombëtarëve.
“Ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të mazhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez. Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa, apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato”, është shprehur Ruçi për BBC-në.
Ndërkohë, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi ka këmbëngulur në qëndrimin se kusht për hyrjen e opozitës në parlament është hapja e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Nëse këto kushte nuk realizohen ne nuk futemi në parlament, sepse kemi 20 vjet që bëjmë zgjedhje, 20 vjet me standarde të parealizuara dhe me shkelje të përsëritura”, ka deklaruar Ruçi më tej.