E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presheva pritje masive Metës: Ne ju mbështesim!

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë nga Shqipëria në këtë Luginë të banuar nga shqiptarët. Meta u prit në Bujanoc nga qindra-mijëra qytetarë të Luginës së Preshevës.

Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, Meta , i shoqëruar nga Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetë-Qeverisjen Vendore, Milan Markoviç, u takua me përfaqësues të autoriteteve vendore të dy komunave të Preshevës dhe Bujanovcit, Ragmi Mustafa dhe Jonuz Musliu.

Meta u shpreh se takimi me autoritetet dhe qytetarët e Luginës së Preshevës ishte pjesa më emocionuese dhe më e bukur e vizitës së tij në Serbi. “Besoj se me këtë vizitë është një perspektivë e re edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd”, tha Meta.

Ai theksoi gjithashtu se shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit kanë qenë më jetimët dhe më të diskriminuarit e shqiptarëve të rajonit dhe shprehu bindjen se “së bashku me Qeverinë e Serbisë do të arrijmë në një kohë të shkurtër të shënojmë një progres të dukshëm për të drejtat dhe për një integrim sa më të begatë të tyre, në mënyrë që kjo luginë të kthehet në një model të bashkëjetesës dhe të prosperitetit për të gjithë Ballkanin.

” Në këtë kuadër, Meta shprehu optimizmin që të drejtat e shqiptarëve do të përparojnë edhe për sa I përket çështjes së njohjes së diplomave të tyre nga autoritetet. Ministri serb Markovic tha e siguroi z. Meta se Qeveria e Serbisë do të bëjë më shumë për prosperitetin e banorëve dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Duke shprehur kënaqësinë e madhe për vizitën e z. Meta, Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Ragmi Mustafa tha se “kemi 97 vjet që e presim një vizitë të tillë”.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Preshevës, Jonuz Musliu, duke vlerësuar domethënien e kësaj vizite historike, tha se “marrëdhëniet që Shqipëria po ndërton me Serbinë, u shton shpresat shqiptarëve këtu për të ardhme më të mirë e më të begatë”.

“Kohët në Ballkan kanë ndryshuar dhe fakti që unë realizoj një vizitë zyrtare në Serbi dhe njëkohësisht edhe në Preshevë e Bujanovc, me mirëkuptimin e plotë të Presidentit Tadiç dhe Qeverisë serbe, I shoqëruar edhe nga Ministri Markoviç, tregon se një erë e re po fryn realisht në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, midis serbëve dhe shqiptarëve”, tha Meta në fund të takimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›