E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca-Kuvendit: Po na ndërhyni në kompetenca!

“Vlerësojmë se Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese janë mjaft të qarta në përcaktimin e kompetencave të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë për ushtrimin e detyrimeve të tyre”, thekson reagimi.

Këshilltarët Ligjorë të Presidentit, citojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 2 datë 19.01.2005 në tërësinë e tij i është përgjigjur kërkesës së paraqitur para saj se cila është përgjegjësia, roli dhe pozicioni i Presidentit të Republikës dhe i Kuvendit të Shqipërisë në rastet e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

“Ky vendim ka përcaktuar në pjesën arsyetuese të tij se të dy institucionet, si Presidenti i Republikës ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë kanë përgjegjësi dhe rol të barabartë në rastet e emërimeve të tilla. Asnjë nga institucionet nuk mund të ketë epërsi në vendimmarrjet e veta, pasi të tilla emërime kërkojnë bashkëpunim midis institucioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk bën fjalë për konsultime paraprake midis institucioneve, por për bashkëpunim institucional”, thuhet më tej. 

Sipas Presidencës, “në vlerësimin tonë, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka parasysh faktin se emërime të tilla nuk mund të bëhen vetëm nga njëri institucion dhe asnjëri prej të dy institucioneve nuk ka peshë apo rol më të madh në miratimin e tyre. Por, të dy institucionet, jo vetëm që kanë pozicionin e tyre kushtetues në ushtrimin e kompetencave të tyre, por çdo vendimmarrje e tyre, duhet të jetë e pavarur nga ndërhyrjet paraprake të njëri–tjetrit”.

Në vijim të deklaratës, thuhet se Presidenti nuk mund të kërkojë konsultime parapake. “Ne gjykojmë se emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon, diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak. Ky është edhe mendimi i anëtarëve të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, ku thuhet se: Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do të thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit”, thuhet më tej.

Në fund, sipas zyrës së shtypit të Presidencës, një debat i hapur i Kuvendit mbi dekretet e Presidentit të Republikës është i rëndësishëm, për t’i dhënë Presidentit informacionin e nevojshëm për arsyet e refuzimit të dhënies së pëlqimit, arsye të cilat do ta lejonin Presidentin, që në të ardhmen të dërgojë në Kuvend kandidatura të pranueshme nga Kuvendi”. /Start/

                                                                                             2011-11-05 15:47
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›