E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, dekreti për zgjedhjet shpallet në shtator

Firma Votimet do të zhvillohen në fillimin e muajit maj

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet të firmosë datën e zgjedhjeve vendore në fillim të muajit të ardhshëm. Burime konfidenciale nga institucioni i Presidencës bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se më 8 shtator do të shpallet dekreti i Presidentit për datën se kur do të mbahen zgjedhjet lokale. E diela e parë ose e dytë e muajit maj do të jenë dy data optimale kur do të kryhet votimi për krerët e bashkive dhe komunave në Shqipëri, si dhe për këshillat përkatëse. Presidenti i Republikës do të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për qeverisjen vendore jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit aktual të krerëve bashkiakë dhe komunalë. Në bazë të përllogaritjeve të sakta që këshilltarët e Presidentit kanë kryer për përcaktimin e datës së zgjedhjeve lokale, është përcaktuar që dekreti të shpallet në muajin shtator. Mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore më datë 8 qershor 2007, me vendimin me numër 1811. Pas muajit gusht, axhenda e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, pritet të ndezë arenën politike me zhvillimet më të rëndësishme për vitin 2010-2011. Në datën 6 shtator, kreu i shtetit pritet të dekretojë emrat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dy ditë më vonë, më 8 shtator, kreu i shtetit ka të përcaktuar në axhendë të shpallë publikisht datën e zgjedhjeve për qeverisjen lokale. Kjo datë pritet të jetë ose e diela e parë, data 1 maj, ose e diela e dytë 8 maj, e muajit të pestë të vitit 2011. Presidenca pritet të shpallë po në muajin shtator, edhe emra të rinj për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Sipas Kodit Zgjedhor, votimi për krerët e qeverisjes lokale do të kryhet nga ora 7:00 deri në orën 19:00. Axhenda e Presidentit është provizore, ndërkohë që këshilltarët e tij lënë të hapur mundësinë që propozimet për vendet vakante për në Gjykatën Kushtetuese dhe dekreti për shpalljen e datës së zgjedhjeve të bëhen të dyja në datën 6 shtator. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit do të shfrytëzojë të gjitha afatet ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor për shpalljen e dekretit të Presidentit për zgjedhjet vendore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›