E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet ish-kreu i KQZ: Të mos digjen, acarojnë situatën

Kume

Mosasgjësimi i fletëve të votimit pas dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale ka fituar së fundmi edhe opinionin e juristëve. Teza e Partisë Socialiste për ngrirjen e fletëve, apo për një zbatim më të matur të nenit 178, pika 6, ka arritur të ndërtojë një situatë politike, e cila mesa duket, nuk shpërfillet dot. Si një akt që pason dekretin e Presidentit për zgjedhjet lokale, asgjësimi i fletëve do të pagëzonte fushatën e re nën një klimë tensioni politik, e cila po hyn edhe në analizën juridike, sikurse ishte rasti i djeshëm i ish-kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume. “Edhe pas dekretimit të zgjedhjeve, KQZ duhet të mos bëhet target i politikës, por le të presë që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve vetëm si produkt i konsensusit dhe jo zbatim formal i këtij ligji. është e fundit pengesë boshatisja e kutive, e cila mund të bëhet edhe vetëm një muaj para zgjedhjeve”, tha Kumi. Kërkesa e vazhdueshme politike e selisë rozë për t’u informuar mbi përmbajtjen e fletëve të votimit po ndikon edhe në drejtimin juridik të trajtimit të çështjes, e cila me një zbatim mekanik të nenit 178, pika 6 rrezikon acarimin ndoshta të panevojshëm të situatës politike në vend. është e vështirë të mendohet ndërmarrja e një veprimi të tillë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një moment politik që është paralajmëruar si i vështirë. Mjafton të kujtohet deklarata e fundit e kreut socialist, Edi Rama, i cili bëri të ditur se aksioni i opozitës në shtator do të ridimensionohet plotësisht, çka e bën realist apelin e Kumit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›