E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE, Qipro konfirmon qëndrimin “pro” dhënies së statusit për Shqipërinë

07-09-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, bisedë telefonike me homologen e tij qipriote dhe njëherazi presidente e radhës e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Erato Kozakou-Marcoullis


Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, zhvilloi një bisedë telefonike me Dr. Erato Kozakou-Marcoullis, Ministre e Punëve të Jashtme e Republikës së Qipros dhe Presidente e radhës e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Ministri Panariti informoi Ministren qipriote për rezultatet e vizitës së tij në Bruksel, veçanërisht lidhur me takimet që zhvilloi në Komision dhe në Parlamentin Evropian. Gjatë bisedës, bëri një prezantim të stadit e reformave të ndërmarra deri tani në vend, në kuadër të zbatimit të prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat. Z. Panariti i shprehu homologes qipriote kërkesën për vazhdimin e mbështetjes së vendit të saj për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Nga ana e saj, znj. Marcoullis vlerësoi me nota mjaft pozitive ecurinë e deritanishme të reformave të ndërmarra në vend dhe inkurajoi avancimin e shpejtë të tyre në funksion të realizimit në mënyrë paralele të 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian si dhe në drejtim të miratimit të ligjit për imunitetet. Znj. Marcoulis e siguroi Ministrin Panariti për mbështetjen e pakursyer të Presidencës qipriote në sfidën evropiane të Shqipërisë. “Kjo është një sfidë e jona e përbashkët”, tha ministrja qipriote, duke theksuar se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, brenda këtij viti, është një ambicie edhe e Presidencës Qipriote. Gjithashtu, Ministria Marcoullis, shprehu kënaqësinë për vizitën e afërt që do të zhvillojë z. Panariti në Nikozia, duke e vlerësuar këtë një mundësi të mirë në shërbim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Meta-Chountis: Opozita të mos pengojë rrugëtimin evropian të vendit/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eurodeputetin Nikolaos Chountis, i cili ndodhet në Tiranë në krye të misionit faktmbledhës të Parlamentit Evropian në kuadër të ecurisë së integrimit evropian të Shqipërisë. Z. Meta dhe z. Chountis diskutuan mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve për integrimin evropian të Shqipërisë, gjendjen politike në vend dhe mbi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Z. Chountis shprehu mbështetjen e Parlamentit Evropian për integrimin evropian të Shqipërisë, dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kuadër, z. Chountis theksoi se pavarësisht se vendimi nuk i takon Parlamentit Evropian, opinioni i këtij institucioni ka peshë të madhe në strukturat e BE-së në Bruksel. Z. Meta, pasi e falenderoi z. Chountis për rolin në vazhdimësi pozitiv të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë, rikonfirmoi qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbështetje të mbarëvajtjes së një klime sa më pozitive e bashkëpunuese në vend, me qëllim mos-pengimin e rrugëtimit evropian të vendit. Ai nënvizoi se të gjitha forcat politike në vend kanë përgjegjësi të madhe për të siguruar një klimë më pozitive politike në vend dhe se konfliktet e vazhdueshme artificiale që krijohen, nuk duhet të bëhen më pengesë për performancën dhe punën e administratës shtetërore në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti. Në këtë drejtim, z. Meta theksoi edhe një herë, qëndrimin e LSI për heqjen pa vonesa të imunitetit te zyrtarëve të lartë, përmes procedurave parlamentare. Në përfundim, z. Meta dhe z. Chountis ndanë mendimin se aktorët kryesorë politikë në Shqipëri, duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale për avancimin e projektit evropian të vendit, si e vetmja rrugë përpara për qytetarët shqiptarë dhe si një kontribut të çmuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›