E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e FIFA-s, tërhiqet Bin Hamam, rivali i Blater

NION- Mohamed Bin Hamam ka tërhequr kandidaturën e tij për presidencën e FIFA-s, pas akuzave për korrupsion. Ai është thirrur nga Komisioni i Etikës për këto akuza të ngritura nga rivali Sep Blater. Bin Hamam është president i Konfederatës Aziatike të Futbollit dhe ai do të kërkonte presidencën e FIFA-s në Kongresin e 1 qershorit, duke sfiduar kështu kreun e saj aktual. “Më vjen keq, sepse e gjithë kjo çështje na ka çuar të paguajmë një çmim të lartë – degradimin e reputacionit të FIFA-s, - bëri të ditur Bin Hamam pas tërheqjes, në një komunikatë për shtyp. – Nuk është kjo ajo çfarë unë mendoja për FIFA-n, gjithçka është e papranueshme. Nuk mund të lejoj që emri i saj të përbaltet nga dita në ditë, për shkak të një gare mes dy individëve. Loja e futbollit dhe njerëzit që e duan atë anembanë botës, duhet të vijnë të parët. Për këtë arsye, unë tërhiqem nga kandidatura për president të FIFA-s”, përfundoi deklaratën e tij Mohamed Bin Hamam. Komisioni i Etikës në FIFA ka nisur një hetim si për të, ashtu edhe për Sep Blater, që akuzohet se nuk veproi në kohën e akuzave për korrupsion të votave, pak muaj më parë.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›