E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada, pritje heronjsh për futbollistët e Barçës

BARCELONE- Qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e Barcelonës për të pritur rikthimin e kampionëve të rinj të Evropës, pas fitores së Champions League të shtunën në “Uembli”. Parada e skuadrës katalanase nisi nga porti i qytetit, ku ndodhet edhe statuja e Kristofor Kolombit, për të vazhduar më pas drejt stadiumit “Kamp Nou” me një autobus të hapur.

I gjithë qyteti ka qenë i ngjyrosur me ngjyrat blaugrana dhe me tifozë që kanë festuar me thirrje dhe duartrokitje rikthimin e idhujve të tyre. Nuk kanë munguar në Katalonjë as tifozë argjentinas, që kanë brohoritur për idhullin e tyre Lionel Mesi.

Më pas, festa është zhvendosur në stadiumin “Kamp Nou”, ku lojtarët kanë çuar trofeun e fituar në Londër dy net më parë. Barcelona fitoi Ligën e katërt të Kampioneve në finalen e Londrës, ku mundi 3-1 Mançester Junajtid. Për spanjollët shënuan Pedro, Mesi e Vija, ndërsa për “Djajtë e Kuq” barazoi përkohësisht shifrat Uejn Runi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›