Mediet botërore lëvdojnë triumfin e Barcelonës
Mediet botërore u përkulën të dielën para paraqitjes madhështore të Barcelonës në fitoren 3-1 ndaj Manchester Unitedit dhe parashtruan pyetjen:
A është kjo skuadra më e mirë në histori dhe a është Lionel Messi futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave? Në Spanjë, ka pak dyshime rreth përgjigjes.
“Barcelona e preku qiellin”, ishte titulli në të përditshmen El Pais. “Më e mira që ekziston”, shkroi lokalja El Periodico de Catalunya. “Ekipi më i mirë në botë”, shpërtheu Mundo Deportivo.
“Super Barca. Futbolli spanjoll sërish në krye të botës”, tha e përditshmja sportive AS. Shkëlqimi i Lionel Messisë zgjoi krahasime interesante.
“Ata shkonin si flutura dhe thumbonin si bletë. Të udhëhequr nga i pandalshmi Leo Messi, Barcelona e la Manchester Unitedin përtokë.
Të lënduar, të thyer”, tha tabloidi britanik, The Sun.
The New York Times shkroi se fitorja nxiti debat nëse Barcelona është skuadra më e mirë në histori të futbollit duke cituar përgjigjen e menaxherit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson: “Në kohën time si menaxher, po”.