E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e KiE-së, Berisha: Do rrisim bashkëpunimin rajonal

Vazhdimi i traditës së reformave, promovimi i tolerancës fetare dhe rritja e demokracisë, do të jetë misioni i Shqipërisë si kryesuese e KiE në mandatin 6 mujor. Në ceremoninë e pritjes se mbajtur nga Ministria e Jashtme, drejtuesi i këtij institucioni Edmond Haxhinasto ka vlerësuar se marrja e Presidencës është mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah arritjet në rrugëtimin e përbashkët. Ndërkaq Haxhinasto shtoi se në këtë 6 mujor Shqipëria do të bëjë gjithcka që të bëhet dhe zëri i Kosovës në KiE, duke shprehur besimin se “Të bashkuar në diversitet” do të rrisim vlerat e Europës.
 

I pranishëm në pritje, kryeministri i vendit Sali Berisha e konsideroi marrjen e kryesimit të KiE një ngjarje historike që vjen si margaritar në 100 vjetorin e Shqipërisë shtet. Ndërsa ka theksuar se Shqipëria do të punojë fort në këtë mandat për rritje të bashkëpunimit rajonal dhe përqëndrim të vëmendjes tek minoritetet.
 

“Është një ditë historike që vjen si margaritar në 100 vjetor. Kjo është një ditë simbolike edhe për KiE për vlerat dhe rëndësinë e tij se ky tempull ishte burim frymëzimi për kombet e shtypura. Shpreh mirënjohje ndaj KiE për mbështetjen në 20 vite me radhë. Kemi përcaktuar një axhendë, vazhdimi i reformave është jetik. Jemi komb i vogël, por në vetvete kemi edhe vlera me të cilat mund të ndikojmë kudo, si toleranca fetare. Do përpiqemi që këtë mesazh ta transmetojmë kudo në Europë si dhe vendet e Pranverës Arabe. Këto vende kanë përjetuar diktatura të egra dhe kanë nevojë për modele dhe mbështetje.Do të promovojmë axhendën për të rinjtë, përpjekjet e përbashkëta me ta do kenë rezultate. Sot ka një përpjekje për bashkëpunim rajonal, do të japim ndihmesën tonë për minoritetet, Ballkani është një mozaik minoritetesh” u shpreh Kryeministri.

Ndërkaq sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Thobjorn Jagland dha mbështetjen e tij për kryesimin e KiE nga Shqipëria, ndërsa vlerësoi se në 20 vite ky vend ka realizuar një demokraci vibrante.
 

“Keni një himn shumë të bukur. Unë u rrita në një kohë kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur. Shqipëria ka ndryshuar dhe është bërë një demokraci vibrante. Është një revolucion, fakti se Shqipëria po merr Presidencën është një mundësi e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por dhe vetë Europën, madje për Ballkanin në vecanti” tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›