E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Korrupsioni në gjyqësor, problem serioz

Departamenti Amerikan i Shtetit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2011. Raporti nis me një koment lidhur me zgjedhjet lokale të 8 majit, ku thuhet se vendi mbajti zgjedhjet lokale të cilat nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u cilësuan si konkurruese dhe transparente, por megjithatë shumë të polarizuara, për shkak të mosbesimit mes partive politike në qeveri dhe opozitë.

Një mjedis i polarizuar elektoral u karakterizua nga incidente dhe numërim të diskutueshëm të votave duke penguar kështu të drejtën e qytetarëve të Shqipërisë për të ndryshuar qeverinë e tyre lirisht

Korrupsioni është një pikë e rëndësishme e raportit të DASH, ku thuhet se, korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz në të gjitha hallkat qeverisëse dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor.

Raporti citon ligjin që parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar, duke shtuar se pavarësisht kësaj, qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive, dhe zyrtarë të angazhur shpesh në praktika korrupsioni kanë mbetur të pandëshkuar.

Rrahjet dhe keqtrajtimit e policisë gjatë ndalimit të shtetasve të dyshuar apo marrjes në pyetje, mbeten probleme të rëndësishme, thekson raporti.

Raste të tjera të shkelje së të drejtave të njeriut përfshijnë raste të keqtrajtimeve fizike në qendrat e paraburgimit nga policia, dhuna në familje,  diskriminimi kundër grave, fëmijëve, abuzimi dhe diskriminimi në bazë të statusit të pakicave etnike dhe të orientimit seksual, apo identitetit gjinor. Raporti thotë se në vend vazhdojnë të raportohen raste të trafikimit të qenieve njerëzore.

Sipas raportit të DASH, qeveria nuk ka ndërmarrë gjithmonë hapat e duhur për të ndjekur penalisht zyrtarë të cilët kanë kryer abuzime. Shumë zyrtarë të qeverisë gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, dhe ata me interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë shmangur ndjekjen e tyre penale.

Zyrtarë në nivele më të ulta janë dënuar për abuzime, por mosndëshkimi i policisë për abuzimet fizike vazhdon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›