E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca e LDK-ja nuk komunikojnë mes veti

Për herë të fundit janë parë bashkë dhe të ulur pranë njëri-tjetrit në akademinë përkujtimore në nderim të shtatë vjetorit të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Ky ka qenë aktiviteti dhe takimi i fundit që zyrtarët e LDK-së, konkretisht liderishpi i këtij subjekti politik është parë bashkë me presidenten e shtetit, Atifete Jahjaga.

Pas kësaj akademie partia e Isa Mustafës ka vazhduar mos ta njohë Jahjagën për presidente, duke ia bojkotuar të gjitha organizimet që i bënë, siç ka ndodhur në muajt e fundit, shkruan sot e përditshmja “Bota sot”.

Se vërtetë presidentja Jahjaga dhe zyrtarët e LDK-së janë “hidhëruar” ndërmjet vete, kjo u pa edhe në akademinë përkujtimore të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në nderim të akademikut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova, Fehmi Agani. Ndonëse jemi mësuar ta shohim në çdo akademi përkujtimore dhe në çdo tubim, zonja e parë e shtetit me apo pa dëshirën e saj mungoi në akademinë përkujtimore për Fehmi Aganin. Në fakt, nuk është se ajo e ka anashkaluar këtë aktivitet, por se e para e shtetit nuk është ftuar nga zyrtarët e LDK-së të marrë pjesë në këtë akademi përkujtimore.

Një arsye e mundshme pse LDK-ja nuk e ka parë të udhës që ta ftoj presidenten Jahjaga në këtë akademi është edhe fakti se ishte pikërisht zonja e parë e shtetit, Atifete Jahjaga, ajo e cila i “duartrokiti” fjalimit të Adem Demaçit në akademinë përkujtimore për luftëtarin Fadil Vata të mbajtur në Suharekë, kur Demaçi e quajti kolonel Tahir Zemën kontrabandues të drogës.

Pavarësisht arsyetimet mes të dy palëve, tashmë po dihet hapur se LDK dhe Presidentja Jahjaga janë “hidhëruar keq” në mes vete. Ky hidhërim duket se do të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme nacionale në Kosovë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›