Presidenca e PES në Tiranë për 18-vjetorin e FRESSH
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste pret në janar në Tiranë krerët më të lartë të Partive Socialiste Evropiane. Takimi i paralajmëruar nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, si një festë brezash do të zhvillohet pikërisht më 16 janar kur Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë mbush 18 vjet nga themelimi i tij. Edhe pse roli i këtij forumi është zbehur hap pas hapi, duket se Rama ka zgjedhur këtë datë simbolike për të pritur krerët e PES. Burimet nga selia rozë kanë pohuar për gazetën se ky takim do të konfirmojë edhe një herë mbështetjen e madhe të PES për Partinë Socialiste Shqiptare, e cila tashmë është bërë pjesë e saj me të drejta të plota. Dhe Kryetari i PS-së, Edi Rama, është zgjedhur anëtar i Konferencës së PES.
Festa
Dy ditë pas anëtarësimit të PS-së në PES, Rama, gjatë një takimi me deputetët dhe krerët socialistë në rrethe paralajmëroi dhe organizimin e një “feste brezash” në janar të 2010. Partia Socialiste e Shqipërisë është zgjedhur anëtare me të drejta të plota e grupit të Partive Socialiste Evropiane në kongresin që u zhvillua në Pragë. Ndërsa kreu i saj, Edi Rama është zgjedhur anëtar i presidencës së PES. Në fjalën përshëndetëse pas këtij vendimi, kryesocialisti Rama e ka quajtur këtë moment si historik. “Ky është një moment historik për Partinë Socialiste, është moment historik për gjithë socialistët dhe progresistët shqiptarë, sepse ne sot jemi anëtarë me të drejtë vote të Partisë Socialiste Evropiane. Pra PSSH është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE, me të drejtë vote, me përfaqësi në Kongresin dhe Presidencën e saj”, - tha dje Rama. Ai u shpreh krenar që PS-së i krijohet mundësia që zëri i saj të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve evropianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Evropian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha partitë socialiste dhe progresiste të BE, dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE, dhe që sjellin në këtë parti eksperiencën e jashtëzakonshme dhe fuqinë e jashtëzakonshme të së majtës evropiane. Rama ka pohuar më tej se PES ka mbështetur argumentet e PS-së dhe kërkesat e saj për zgjedhjet. Presidenti i Partive Socialiste Evropiane, Poul Nayrup Rasmussen, ka përshëndetur anëtarësimin e Partisë Socialiste Shqiptare në familjen e socialistëve evropianë. “Sot është një ditë historike. Në emër të PES unë i uroj mirëseardhjen Partisë Socialiste të Shqipërisë në familjen evropiane të socialistëve. Shpresoj që ju do të dini të ecni përpara duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, ashtu si ne të gjithë bëjmë brenda familjes sonë. Ju uroj edhe një herë e shpresoj që të mund të bashkëpunojmë për të mirën e Shqipërisë”, - ka pohuar Rasmussen në fjalën e tij. Edhe kryetari i Grupit Socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shulc, ka vlerësuar anëtarësimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë në familjen e Partive Socialiste Evropiane. Ai theksoi pas këtij vendimi se Partia Socialiste Shqiptare dhe kreu i saj, Edi Rama, kanë hedhur tashmë një hap të fortë që afron edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian. “Sot në Pragë, Kongresi i Partive Socialiste asocoi Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Ky është një sukses i madh për të gjithë ne. Është mbi të gjitha një sukses për ju dhe për Shqipërinë, pasi është një hap më tej juaji drejt Evropës”, - ka pohuar ai.
FRESSH, protesta kundër Metës: “Shqipëria jo e fundit”
Forumi Rinor Eurosocialist ka kundërshtuar deklaratën e bërë dy ditë më parë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për liberalizimin e vizave. Meta pohoi se Shqipëria është e fundit në këtë proces ashtu siç ka qenë përherë. Kjo deklaratë ka revoltuar të rinjtë socialistë, të cilët zhvilluan paraditen e djeshme një tubim përpara godinës së Ministrisë së Jashtme. Të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur përmes këtij tubimi indinjatën e tyre për deklaratat aspak dinjitoze dhe absurde të ministrit të Jashtëm, Meta. Me moton “I fundit je ti, jo Shqipëria” të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur revoltën e tyre. Përfaqësuesja e këtij forumi, Elisa Spiropali, është shprehur se kjo kuti e madhe, e mbyllur dhe e vjedhur, pranë së cilës jemi mbledhur është Ministria jonë e Jashtme e dallavereve të brendshme. “Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur, para disa ditësh, doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Evropë për një arsye absurde: Sepse jemi të fundit! Zoti ministër i Jashtëm,
Nuk jemi të fundit ne. I fundit je ti që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit për të vetmen arsye, sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është qeveria jote që vjedh edhe tunele”, - tha ajo. Spiropali shtoi se nuk jemi të fundit ne, por ministrat e Qeverisë ku paturpësisht bën pjesë dhe Meta, ata ministra që mbajnë postin edhe pas shpërthimit të Gërdecit apo vjedhjes së miliona lekëve të shqiptarëve. “Nuk jemi të fundit ne. E fundit është administrata jote e kësaj ministrie që nuk e kemi dëgjuar kurrë të japë ndonjë zgjidhje inteligjente apo të tregojë ndonjë shkathtësi diplomatike në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk jemi të fundit ne. E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta. Nuk jemi të fundit ne. Më i fundit dhe më i prapambeturi ndër të gjithë ne je ti me aleancat e tua të dallavereve dhe qeverinë tënde të korruptuar. Zoti ministër i Jashtëm, Ne nuk jemi të fundit. Ne meritojmë të lëvizim të lirë si një popull evropian. Të fundit jeni të gjithë ju”, - përfundoi ajo.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009