E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, thirrje Topit: “Mos dekreto ligjin e tokave, është antikushtetues”

Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste i bën thirrje Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin për kompensimin e ish-fermave në bregdet. Sipas saj, ligji i miratuar nga Kuvendi tri ditë më parë, "Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore", do të thotë që familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit, do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do tu bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, pohoi dje se ky ligj do të shtojë konfliktin social mes atyre që u merret toka dhe personave që do ta marrin atë.
Kundërshtimi
“Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi para tri ditësh për tokat bujqësore, është një ligj që, jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do tu merret toka me ata të tjerët që do tu jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky "shtetëzim" modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre”, - tha Toçi lidhur me pasojat e miratimit të ligjit "Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore". Deputeti socialist Fatmir Toçi, përmes një deklarate për shtyp, theksoi se e keqja e këtij ligji është se familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do tu duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do tu bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli. “Ky ligj ndryshon atë të vitit 1995, i cili është përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit Sali Berisha, por që ska mundur të gjejë zbatim për shkak të një procedure të munguar. Banorëve të zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2 do tu merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2”, - sqaroi Toçi. Sipas tij, opozita konstaton se përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe e ka rritur revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie për grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh. “Konstatojmë, gjithashtu, se ligji i vitit 1995, me disa ndryshime në vitin 1996, ua ka dhënë një herë të drejtën këtyre banorëve për ta kthyer tokën nga përdorimi në pronësi, edhe pse nuk mundi të gjejë zbatim për shkak të mungesës të procedurave të mëtejshme, si rrjedhojë e ngjarjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 1997. Sa më sipër është antikushtetuese të shkohet në ngushtim dhe kufizim të të drejtave të njeriut (si po ndodh me uljen e sipërfaqes që kalon në pronësi nga 1500 në 750 e më pak m2) kur këto të drejta, në çdo fushë qofshin, duhet të shkojnë vetëm drejt zgjerimit dhe përmirësimit të tyre”, - përfundoi deklaratën e tij Toçi. Më 13 nëntor ish-punonjës të NB-së në Orikum, banorë të kësaj qyteze u janë rikthyer protestave për tokat e tyre, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me ligjin 7501. Mbi 30 minuta ata kanë bllokuar rrugën nacionale dhe hyrjen e segmentit për në Orikum, duke ndërprerë qarkullimin e mjeteve. Banorët thanë se nuk ishin dakord me ligjin më të fundit të kryeministrit Berisha që iu jep ish-punëtorëve të NB-ve nga 500 m2 tokë dhe me pjesëtarët mbi 6 persona, kjo shumë zbritet me nga 100 m2. Sipas tyre, po vijohet të abuzohet me tokat e tyre duke mos gjetur një zgjidhje konkrete, por thjesht zgjidhje momentale, të cilat rëndojnë direkt te ish-punonjësit. Protestuesit, njëzëri, e kanë kundërshtuar këtë ligj të Qeverisë Berisha. Pas kontestimeve të tyre Kuvendi ndryshoi ligjin duke e rritur kompensimin nga 500 në 750 m2 maksimumi.

Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›