E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI kundërshton socialistët: “Integrimi, proces i pakthyeshëm”

Autori i Lajmit: RedaksiaZëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, ka reaguar dje pas protestave të opozitës për liberalizimin e vizave. Ai pohoi dje se heqja e vizave për shqiptarët në vendet evropiane do të bëhet brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa theksoi rëndësinë e përgatitjes së Pyetësorit, të cilin e cilësoi si një përgjegjësi kombëtare. “Përgatitja e pyetësorit është një ndërmarrje madhore e shtetit dhe administratës shqiptare, një përgjegjësi mbarëkombëtare dhe mbipartiake”, - theksoi Haxhinasto. Ai vlerësoi më tej se viti 2009 shënoi edhe një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë: paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat dhe marrjen e pyetësorit dhe veçanërisht progresin në liberalizimin e plotë të vizave që do të konkretizohet në gjysmën e parë të 2010-ës. “Në emër të LSI shpreh angazhimin maksimal të saj si forcë politike parlamentare, dhe të gjithë përfaqësuesve të saj në administratën shtetërore për plotësimin me sukses e në kohë të kësaj sfide të jashtëzakonshme që tregon jo vetëm kapacitetet kombëtare për të vlerësuar stadin zhvillimor të sotëm, por edhe vizionin tonë për të ardhmen”, - tha Haxhinasto. Me këtë rast numri dy i LSI-së tha se përshëndeste zërat racionalë që vijnë nga opozita, akoma në rrugë, për tu kthyer në Parlament dhe për të kontribuar në këtë proces dhe ushtruar përgjegjësitë për të cilat i votoi elektorati më 28 qershor. Duke u ndalur në këtë argument, Haxhinasto vlerësoi se përgjegjësitë kombëtare ndaj integrimit nuk ushtrohen nga qoshet e konferencave të shtypit që përpiqen të nxijnë realitetin, por me kontribute konkrete legjislative dhe me mbështetje e vullnet të qartë politik. “Çdokush duhet të kuptojë se procesi i integrimit është i pakthyeshëm dhe viti 2010 do të sjellë më shumë Evropë në Shqipëri”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 27/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›