E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Dëmshpërblim çdo banori për dëmet e përmbytjes

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar edhe dje takimet me banorët e zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës e Lezhës, nga ku u ka premtuar se do të dëmshpërblehen nga qeveria për çdo dëm që u është shkaktuar. Ajo deklaroi se ata do të mbështeten me të gjitha mjetet e duhura, si në ushqime e materiale për të kaluar këtë situatë të vështirë. Në zonat e përmbytura në “Livade”, kryetarja e Kuvendit u bëri apel edhe banorëve të kësaj zone, të largojnë së pari fëmijët, gratë e të sëmurët. “Ne, deputetët, shtabi i emergjencës, ushtria dhe policia, - tha ajo, - jemi të gjithë këtu për t’ju gjendur pranë e për t’ju dhënë ujë e ushqime dhe po ashtu do të dëmshpërblejmë të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja”. Ajo vizitoi zonat e përmbytura përgjatë Bunës, Murriqan, në Komunën Ana e Malit e në fshatra të tjera, ku u takua e bisedoi me banorët dhe ndoqi nga afër vijimin e evakuimeve, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve. “Nga mbrëmë edhe në Bunë ka vazhduar të rritet niveli me 6 cm. Helikopterët vazhdojnë të vijnë këtu për të ndihmuar me ushqime, me ilaçe, me çdo gjë që kanë nevojë banorët. Shtabi vazhdon të marrë masa çdo minutë, çdo orë për të ndjekur situatën dhe zhvillimet e fundit edhe në këtë zonë, ashtu si edhe në Murriqan, Shirokë e zonat e tjera. Janë 38 varka të vëna në dispozicion në Dajç. Po ashtu dy skafe, makina transportuese amfib. Besoj se situata është nën kontroll”, - shtoi Topalli. Njëkohësisht kryetarja e Kuvendit ishte dje në drekë me banorët e shpërngulur nga këto zona, të mbledhur në turizmin “Rozafa” të qytetit të Shkodrës. Ajo i falënderoi ata për bashkëpunimin në evakuimin e familjeve të tyre të rrezikuara nga përmbytjet dhe u garantoi atyre angazhimin maksimal për akomodimin sa më të mirë të çdo banori të shpërngulur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›