Presidenca spanjolle dorëzon “rrufe” aplikimin për Serbinë

Në muajin e tretë të këtij viti, Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian ka organizuar zhvillimin e një konference të gjerë për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Sarajevë. Një eveniment që është përmendur nga vetë shefi i diplomacisë spanjolle, Miguel Angel Moratinos, gjatë një takimi që ka pasur me disa raportues të BE-së për rajonin. Strategjia e presidencës spanjolle për Ballkanin në fakt është një vazhdim i politikës së ndjekur edhe nga Suedia, që konsiston me braktisjen e qëndrimit “En block” dhe kualifikimin një për një të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij matësi, Shqipëria është shteti i parafundit për sa u përket standardeve ndërkohë që ka qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi që ka hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, madje edhe ka firmosur MSA-në shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi. Por politika e Brukselit ka qenë mjaft avancuese me shtetet e ish-Jugosllavisë, duke përshpejtuar mjaft procedurat për Beogradin. Para dy ditëve, Presidenca spanjolle e BE-së ka informuar shtetet anëtare mbi aplikimin e Serbisë për statusin e vendit kandidat. Pra kemi të bëjmë me një “procedurë rrufe” nga dorëzimi në futje në axhendë. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e dorëzoi kërkesën në prill dhe
Këshilli i Ministrave u shpreh rreth një muaj më parë. Qëndrimi i presidencës spanjolle të BE-së në lidhje me aplikimin e Beogradit ishte që “ta dorëzojë atë në moment dhe kohën e duhur”. Sipas të gjitha gjasave, Komisioni Europian në mars ose në prill do të japë opinionin e tij për kërkesën e Serbisë për statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria pritet që të vonohet sërish si pasojë e situatës politike në vend dhe sipas të gjitha gjasave nëse nuk do të ketë dialog politik dhe konsensus për reformat e mëdha, Serbia mund ta marrë para nesh statusin e vendit kandidat dhe Shqipëria do të mbetet vetëm përpara Bosnjës. Gjatë një fjalimi që ka mbajtur në Gjermani, Presidenti i BE-së,
Van Rompuy, deklaroi se Kroacia dhe Maqedonia kanë marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa vizat janë hequr vetëm për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ndërkaq, vendi kryesues i BE-së, Spanja, ka paralajmëruar se do të vazhdojë të mbështesë integrimin europian të Ballkanit, por edhe se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, shefi i diplomacisë spanjolle ka bërë të ditur se Kosova do të jetë pjesë e Konferencës për Ballkanin në Sarajevë. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës – shtet i cili në fillim të këtij viti mori kryesimin e BE-së, Miguel Angel Moratinos, ka deklaruar në Madrid se Spanja do të vazhdojë bisedimet për zgjerimin e Bashkimit Europian edhe në Ballkan – dhe ka përsëritur se nuk do ta ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë një bisede me raportuesit e BE-së, Moratinos ka thënë se bisedimet po zhvillohen me Maqedoninë – duke përmendur këtu kontestin që ka ajo me Greqinë, me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Serbinë. Sa i përket Bosnjës e Hercegovinës, Moratinos është treguar më i përmbajtur, ndërsa kur bëhet fjalë për Kosovën, ai ka thënë se Spanja mbetet pranë qëndrimit të mos e njohë vendin tonë – dhe ka shfaqur shpresën e tij “për zhvillimin konstruktiv të Kosovës”, ku para së gjithash, sipas tij, është me rëndësi stabiliteti. Megjithatë, ai ka shtuar se Kosova do të jetë e përfaqësuar në nivel të lartë në konferencën për Ballkanin, e cila do të mbahet në Sarajevë.