E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrijnë ndihmat e para nga Perëndimi. NATO mobilizon grupin e krizave

Kanë mbërritur menjëherë nga Bashkimi Europian dhe NATO ndihmat e para për Shqipërinë, që të përballojë situatën e emergjencës së shkaktuar nga përmbytja në Shkodër. Vendet e Perëndimit kanë sjellë në Shqipëri mjete për të përballuar emergjencën, që janë helikopterë, pompa uji, gjeneratorë, varka shpëtimi dhe makina zjarrfikëse. Komisioni Europian ka sjellë dje në Tiranë ekipin prej 7 ekspertësh nga Qendra e Monitorimit dhe Informimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian. Ndihmat e para nga vendet anëtare të Bashkimi Europian janë parashikuar të vijnë gjatë fundjavës. Në vijim të kërkesës së qeverisë shqiptare, Qendra e Monitorimit dhe Informimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian (MIC), me qendër në Bruksel, ka sjellë menjëherë një ekip të përbërë nga ekspertë nga Austria, Gjermania, Holanda, Greqia dhe Sllovenia. Sipas një marrëveshjeje me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e çështjeve Humanitare, me këtë ekip është bashkuar si partner edhe një ekspert danez i Zyrës së Vlerësimit dhe Koordinimit të Fatkeqësive të Kombeve të Bashkuara.
Ekipi do të vizitojë sot zonën e prekur nga përmbytjet, në mënyrë që të vlerësojë situatën në terren. Ekipi gjithashtu do ta ndihmojë Shqipërinë në pritjen e ndihmës së shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Italia ka sjellë menjëherë dy helikopterë transportues për të evakuuar personat e përmbytur. Me urdhrin personal të Kryeministrit Berluskoni, Italia në kuadër të BE ka dërguar dy helikopterë CH47, të cilët mund të mbajnë deri në 32 persona ose 24 shtretër të sëmurësh, gjithashtu ata kanë kapacitetin të mbajnë më shumë se 12 tonë ndihma për të vazhduar operacionin e ndihmave. Ndërkaq, Austria ka dërguar 8 gjeneratorë, 5 pompa të kapacitetit të lartë, Sllovenia 13 gjeneratorë, Franca 11 pompa të kapacitetit të lartë dhe Greqia ka sjellë 29 zjarrfikës, 4 automjete, 2 varka shpëtimi, 22 pompa. Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, vuri në dukje se ekipi i ekspertëve të MIC iu përgjigj në kohë tepër të shpejtë kërkesës së qeverisë shqiptare dhe se ata do jenë plotësisht operativë në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare.
Kakavijë
Forcat greke të ndërhyrjes së shpejtë në ndihmë të përballimit të situatës së jashtëzakonshme të krijuar në zonën veriperëndimore nga vërshimi katastrofik i ujërave, dje në mesditë kaluan kufirin shqiptaro-grek në Kakavijë dhe u drejtuan për në veri të vendit. Këto konsiderohen si ndihmat e para tepër emergjente të akorduara nga qeveria greke për situatën e pazakontë, gjë që nënkupton se në varësi të kësaj situate do të ketë edhe ndihma të tjera.
Në këtë kontingjent ndihme për situatën emergjente të krijuar në zonën e Shkodrës, në veri të vendit, përfshihen 28 forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë për raste katastrofash, 4 varka shpëtimi, 9 pompa të fuqishme për largimin e ujërave, 5 gjeneratorë dhe shumë mjete të tjera logjistike. Sipas prefektes së Qarkut të Gjirokastrës, për të përballuar situatën e vështirë të krijuar në veri të vendit, pas periudhës së reshjeve të shumta të shiut në orët e ditët në vazhdim, nga Greqia pritet një kontingjent tjetër ndihmash, ku përfshihen edhe 10 automjete me ndihma humanitare që do të hyjnë në meritorin shqiptar gjatë natës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›